BE-ja ka kërcënuar pronarin e Twitter, Elon Musk, me sanksione pasi disa gazetarëve që publikonin lajmet mbi kompaninë iu pezulluan papritmas llogaritë e tyre. Gazetarët e New York Times, CNN dhe Washington Post ishin në mesin e atyre të cilëve iu bllokuan llogaritë. OKB gjithashtu ka dënuar veprimin e Elon Musk, duke deklaruar se përbënte një precedent të rrezikshëm për mediat në gjithë botën.
Komisionerja e BE Vera Jourova tha se ligji i ri i shërbimeve dixhitale të BE-së kërkon "respektimin e lirisë së medias". Ministria e Jashtme gjermane paralajmëroi gjithashtu Twitter se "liria e shtypit nuk mund të ndizet dhe fiket sipas dëshirës".
Komisionerja Jourova tha se lajmi për pezullimin e gazetarëve në Twitter ishte "shqetësues".
"Akti i Shërbimeve Dixhitale të BE-së kërkon respektimin e lirisë së medias dhe të drejtave themelore. Kjo përforcohet sipas Aktit tonë për Lirinë e Medias. Elon Musk duhet të jetë i vetëdijshëm për këtë. Ka vija të kuqe. Dhe sanksione, së shpejti"-tha ajo.
Musk shkroi në Twitter se llogaritë për të cilat shpërndanin informacione private për individët marrin një pezullim të përkohshëm shtatë-ditor.
Organizata e Kombeve të Bashkuara ka shprehur shqetësim për pezullimin e llogarive të një grupi gazetarësh në Twitter. Reagimi erdhi pasi Bashkimi Europian paralajmëroi sanksione ndaj kompanisë së Elon Musk për bllokimin e llogarive të gazetarëve, duke argumentuar se platforma e kësaj medie sociale mund të binte në kundërshtim me rregulloret e ardhshme dixhitale.
Stephane Dujarric tha se zërat e medias nuk duhet të heshtin në një platformë që pretendonte se ishte një parajsë për lirinë e fjalës. “Ky veprim vendos një precedent të rrezikshëm në një kohë kur gazetarët në të gjithë botën po përballen me censurë, kërcënime fizike dhe akoma më keq,” u tha ai gazetarëve.