Europa nuk dëshiron të varet më nga amerikanët për të dërguar astronautët e saj në hapësirë. Më 15 dhjetor, në Romë, ministrat europianë do të vendosin nëse do të miratojnë një projekt prej 10 miliardë eurosh, që do t’i mundësonte kontinentit të kishte anijen e vet hapësinore dhe të organizonte fluturime me astronautë.
Deri më sot, Europa nuk e ka pasur këtë mundësi. Aktualisht ajo ka 11 astronautë aktivë, katër prej të cilëve do të udhëtojnë vitin e ardhshëm drejt Stacionit Ndërkombëtar Hapësinor me ndihmën e NASA-s.
Por fuqia në rritje e miliarderëve si Elon Musk në hapësirë, pasiguritë mbi të ardhmen e programeve hapësinore amerikane dhe ambiciet ushtarake të Rusisë po e shtyjnë Europën të kërkojë më shumë pavarësi, shkruan The Guardian.
“Nëse vendimi do të jetë pozitiv, ky do të ishte një moment vërtet historik për Europën”, tha Josef Aschbacher, drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Europiane të Hapësirës (ESA).
Projekti parashikon ndërtimin e një anijeje hapësinore europiane, si dhe të platformave të nisjes dhe uljes, me shumë gjasa në Guajanën Franceze, nga ku Europa prej rreth 45 vitesh lëshon satelitët e saj në orbitë.
Kufizimet e fundit që Elon Musk i ka vendosur Ukrainës në përdorimin e rrjetit satelitor Starlink kanë shtuar shqetësimet për varësinë nga kompanitë amerikane. Ndërkohë, kompania e tij SpaceX mori këtë javë miratimin për të lëshuar një milion satelitë që do të përpunojnë të dhëna në hapësirë.
“Dëshira për të pasur më shumë autonomi sigurisht që lidhet edhe me rrethanat gjeopolitike. Aktualisht ka paqartësi se si do të vazhdojnë fluturimet hapësinore me astronautë në Shtetet e Bashkuara”, tha Aschbacher.
Ai shpjegoi se marrëdhëniet me NASA-n janë të mira dhe të forta, por askush nuk garanton se situata nuk mund të ndryshojë. Në varësi të presidentit që drejton Shtëpinë e Bardhë, SHBA-ja mund të zvogëlojë rolin e NASA-s apo edhe t’ua ndalojë astronautëve të huaj pjesëmarrjen në fluturimet hapësinore amerikane.
Europa nuk synon të ndërpresë bashkëpunimin me NASA-n, por të fitojë aftësinë që sot e kanë SHBA-ja, Rusia dhe Kina: të dërgojë vetë njerëz në hapësirë.
Përpjekja e fundit europiane për të ndërtuar një anije të tillë daton në vitin 1992. Projekti Hermes, i konceptuar si rival i anijes hapësinore amerikane, u braktis për shkak të rritjes së kostove pas tragjedisë së Challenger.
Por çështja sot nuk është vetëm gjeopolitike. Agjencia Europiane e Hapësirës paralajmëron se vazhdimi i varësisë nga amerikanët do të thotë që paratë e taksapaguesve europianë të financojnë zhvillimin e kompanive amerikane në vend të atyre europiane.
“Kjo financon kompanitë në SHBA në vend të kompanive tona. Kompanitë amerikane më të fuqishme do të dobësonin kompanitë tona, sepse do t’i nxirrnin ato jashtë tregut”, tha Aschbacher.
Përfitimet nga investimet në hapësirë shkojnë përtej dërgimit të astronautëve në orbitë. Nga teknologjia e kamerave të telefonave dhe imazheria mjekësore, te pompat e zemrës, dyshekët me shkumë memorike dhe lentet rezistente ndaj gërvishtjeve, një sërë shpikjesh që përdorim sot lidhen me kërkimet hapësinore.
Vendimi i 15 dhjetorit vjen gjithashtu në një moment kur hapësira po kthehet gjithnjë e më shumë në një terren rivaliteti ushtarak. Vetëm këtë javë janë publikuar raportime se Rusia mund të jetë duke planifikuar vendosjen e armëve bërthamore në hapësirë.




Komente
Komento