Mbi 120 monopatina të cilët u sekuestruan nga policia pas vendimit për ndalimin e përkohshëm të tyre, pas 30 ditësh do të jenë sërish në duart e pronarëve. Policia Rrugore u tha një grupi aktivistësh që protestuan pranë Komisariatit, se për të tërhequr monopatinat, duhet të paraqesin një vërtetim pronësie, qoftë ajo fatura e blerjes.
***
Tre ditë nga vendimi për ndalimin përkohësisht të monopotinave, deri në daljen e rregullave të reja, mbi 120 mjete të tilla raportohen të bllokuara në të gjithë vendin. Vendimi kundërshtohet nga Qëndresa Qytetare, e cila këtë të mërkurë zhvilloi një protestë simbolike pranë Komisariatit të Policisë Rrugore.
Ata e cilësojnë vendimin jo korrekt, të marrë në një kohë të shkurtër pa paralajmërim dhe jo përmes kanaleve zyrtare.
Disa qytetarë u takuan me shefin e Komisariatit.
“Do të mbahen mjetet për 30 ditë të bllokuara për shkak se gjatë kësaj periudhe do rregullohet me ligj se si do të qarkullojnë mjetet elektrike në qarkullimin rrugor. Ndërkohë që ne mund të themi paligjshmëria do vazhdojë dhe për 30 ditë derisa të kemi një ligj për të rregulluar paligjshmërinë e tyre”, thotë aktivisti Gentian Serjani.
Aktivistët nuk janë kundër vendosjes së rregullave dhe standartizimin e këtyre mjeteve rrugore.
“Kufizimi i moshës. Mund të jetë kufizimi i shpejtësisë, mund të jetë përdorimi i kaskës, po ama nuk mund të jetë kurrsesi marrja e motomjeteve të të gjithë qytetarëve”, shprehet aktivisti Edison Likaj.
“Ku ishte Ministria e Brendshme, Ministria e Transportit, Dogana për siguruar faktin që këto skutera të mos përdoren nga adoleshentë, të mos përdoren nga të rinj, të mos përdoren nga të mitur”, thotë aktivistja Sidorela Vatnikaj.
Vendimi prek edhe bizneset private që shesin monopatina dhe pajisje të tyre.
“Rastësisht duke drekuar me familjen të dielën mora vesh falimentin tim. Ishte shumë e çuditshme sepse çdo sipërmarrës e ka konceptin e po të gjithë mendojnë se vjen dalë ngadalë, vjen nga një arsye, vjen nga një gabim në biznes. Jo thjesht se po bën punën e duhur, jo thjesht se po shërben”, thotë sipërmarrësi Redin Muçaj.
Një qytetar iu bashkua protestës për të birin picier, i cili pas 10 orësh punë është i detyruar të bëjë kilometra të tëra në këmbë gjatë natës, për tu kthyer në shtëpi, në mungesë të transportit publik.
“Çuni tani mua po më ikën në autobus e po më vjen në këmbë në shtëpi i lodhur gjithë ditën, 10 orë në punë në këmbë”, shprehet Renato Dhiaj.
Monopatinat nisën të shtohen në vendin tonë pas periudhës së pandemisë.
Me kalimin e kohës, të parregulluara me ligj, lëvizja e tyre shfaqi probleme të shumta në qarkullim.
Sipas autoriteteve, vetëm gjatë vitit 2024, gati 1000 raste dëmtimesh prej tyre u raportuan te Spitali i Traumës.
Ministria e Brendshme e konsideroi situatën alarmante dhe për pasojë bllokim të tyre deri në nxjerrjen e rregullave të plota për qarkullim.
Komente













Mirë e keni,biznes me vdekjen.Ju bëftë mirë biznesi.
Përgjigju