KUKËS- Një ditë pasi pronarët e tokave ku po ndërtohet shtesa e aeroportit të Kukësit bllokuan punimet pasi kërkojnë shpronësim ka reaguar bashkia e Kukësit. Banorët pretendojnë se kanë certifikata pronësie dhe për këtë arsye kërkojnë dëmshpërblimin që u takon.
Kryetari i Bashkisë së Kukësit, Safet Gjici ka deklaruar se ka nisur negociatat me qeverinë për të riparë vendimin për vlerën e shpronësimit. Sipas Gjicit kjo situatë nuk i shërben asnjërës palë, as koncesionarit as qeverisë por as pronarëve që kërkojnë me të drejtë dëmshpërblimin për tokat që do të zërë aeroporti.
Gjici shprehet i pakënaqur me ecurinë e punimeve, si pasojë e pretendimeve të banorëve, të cilët disponojnë dokumentacionin e duhur për pronat që preken, si pasojë e zgjerimit të pistës së aeroportit.
"Kjo është problem mes koncesionarit, qeverisë dhe pronarit të tokave me letra. Padiskutim që mbështes pronartë me dokumentacion, që të marrin përfitimet. Unë besoj se do të ketë një zgjidhje. duhet bërë shpejtë dhe nuk duhet penguar puna. Për ne është një zhvillim i shpejtë ekonomik dhe që do të punësojë njerëz. Aeroporti do të ketë shumë pasagjerë dhe turistë. Levërdija jonë është të hapet sa më shpejtë aeroporti. Kam biseduar me koncesionarin dhe pas shpronësimit ata direkt do të fillojnë punën me tre turne për të mbaruar atë punë. Ka edhe ai interes. Do të ketë një zgjidhje. Prandaj nuk ka patur rritje të punës. Pasi po punohet për të shpërndarë dhe shpronësuar pronarët. Do të fillojmë edhe me njësi tjera administrative për të punuar. Pra kur njerëzit kanë toka dhe nuk kanë letra, nëpërmjet kadastrës do të bëhet e mundur të jenë pronarë të ligjshëm dhe të jenë në treg. Ne do jemi mbështetës të qytetarëve Kuksianë. jemi në kontakt. Edhe koncesionari e ka problem këtë." ka thënë Gjici.
Një ditë më parë, pronarët thanë, se qeveria ka vënë në dispozicion të tyre një shpronësim, jo më shumë se 2 mijë lekë të vjetra për metër katror tokë, vlerë kjo që konsiderohet nga pronarët si shumë e ulët dhe jo në proporcion me vlerën e tregut të tokës.