Falë një operacioni të mirëorganizuar të Policisë së Sarandës, Policisë Kufitare dhe asaj Greke të koduar “Butrinti” janë sekuestruar 5 mjete lundruese të vjedhura. Në kuadër të këtij operacioni janë arrestuar edhe katër persona.
Më datë 02.09.2018, në grykëderdhjen e lumit "Pavllo", u bë e mundur bllokimi i një mjeti lundrues tip Gomone me mbishkrimin "Highfield", në të cilin u arrestuan në flagrancë dy shtetasit e mëposhtëm: F.Ll, 17 vjeç, banues në fshatin Shëndëlli, Sarandë. A.D., 15 vjeç, banues në fshatin Shëndëlli, Sarandė.
Nga kontrolli i ushtruar në banesën e shtetasit A.D, u gjet dhe u sekuestrua një mjet lundrues varkë plastike me mbishkrimin "Evinrude", pa dokumentacion.
Report Tv mëson se këta shtetas dyshohen edhe për ngjarje të tjera të vjedhjes së gomoneve. Ata shkonin me varkë në Korfuz, linin varkën aty dhe vidhnin gomonen që e sillnin në Sarandë.
Dje, një grup i drejtuar nga Struktura e Komisariatit të Policisë së Sarandës u ka bërë pritë në Lumin Pavllo ku edhe i ka kapur dy të parët dhe pastaj operacioni ka vijuar me arrestimin e dy të tjerëve në Korfuz dhe sekuestrimin e 5 mjetëve lundruese. Indicia për hetimin erdhi pas vjedhjes në Sarandë të varkës që përdornin trafikantët për të shkuar në Korfuz. Mjetet që vidheshin do përdoreshin për trafik droge.