Bllokoi emërimin e ambasadorëve? Meta letër Nikollës, Kodhelit dhe Xhaçkës: Veliaj gënjen, gati të vij në Kuvend për të sqaruar të vërtetën

Bllokoi emërimin e ambasadorëve? Meta letër Nikollës, Kodhelit dhe Xhaçkës: Veliaj gënjen, gati të vij në Kuvend për të sqaruar të vërtetën

TIRANË- Presidenti Ilir Meta, në një letër drejtuar zyrtarëve të lartë i ka cilësuar gënjeshtra të qëllimshme deklaratat e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj se ka bllokuar emërimin e ambasadorëve shqiptarë jashtë vendit. Meta ia ka dërguar letrën kryetares së Kuvendit, Lindita Nikollës, kryetares së Komisionit të Jashtëm, Mimi Kodhelit dhe ministres së Jashtme Olta Xhaçka.

Kreu i shtetit shkruan se nuk ka refuzuar asnjë propozim të qeverisë për diplomatët apo bllokimin e tyre të qëllimshëm, por deklaratat e Veliajt janë gënjeshtra që synojnë të spostojnë vëmendjen e opinionit publik nga situata kritike në të cilën ndodhet vendi dhe të përpiqen të denigrojnë Institucionin e Presidentit të Republikës.

Ndër të tjera, Meta thotë se është treguar shumë bashkëpunues dhe i përgjegjshëm duke dekretuar në kohë dhe në respekt të ligjit propozimet e kësaj qeverie për Ambasadorë apo Shefa Misioni Diplomatik të Shqipërisë në vendet mike apo organizatat ndërkombëtare. Ai thekson se ka kërkuar rinovimin e rinovimin e domosdoshëm të trupës sonë diplomatike.

Nisur nga deklarata e Veliajt, Meta i kërkon Komisonit të Jashtëm të diskutojë për shpifjet e Veliajt dhe madje t'i kërkojë llogari qeverisë për të qartësuar deklaratat e Veliajt për ambasadorët. Përveç kësaj, Meta thotë se është i gatshëm të shkojë në Komisionin e Politikës së Jashtme të Kuvendit të Shqipërisë për të sqaruar të vërtetën.

Kujtojmë që dy ditë më parë, kryebashkiaku Erion Veliaj akuzoi presidentin Ilir Meta se ka bllokuar emërimin e ambasadorëve shqiptarë jashtë vendit. Menjëherë erdhi edhe përgjigjja e Ilir Metës përmes një konference për shtyp, ku duke e quajtur Veliajn 'Zogu i Tiranës', tha se të gjitha këto deklarata janë shpifje. Sipas Metës, maxhoranca ka gënjyer me këtë pretendim ish-deputetë e qytetarë të thjeshtë se e kanë dërguar kanë mashtruar ish-deputetë duke i thënë ta kemi çuar emrin, por ai nuk të do dhe nuk e firmos dekretin.

Letra e plotë:

E nderuar Kryetare e Komisionit të Politikës së Jashtme,

Të nderuar anëtarë të Komisionit të Politikës së Jashtme,

Dëshiroj t’ju uroj të gjithëve dhe një herë punë të mbarë dhe suksese në aktivitetin shumë të rëndësishëm të Komisionit të Politikës së Jashtme të Kuvendit të Shqipërisë dhe në përmbushjen e rolit të pazëvendësueshëm të këtij komisioni dhe vetë kuvendit në politikën e jashtë të vendit tonë. 

Në vijim të bashkëpunimit të deritanishëm institucional për çështjet e rëndësishme të politikës së jashtme dhe debatit mbi përgjegjësitë që kemi të gjithë përballë popullit shqiptar dhe opinionit publik, dëshiroj t’ju bëj me dije se deklaratat e Kryetarit aktual të Bashkisë së Tiranës, lidhur me “bllokimin e qëllimshëm të ambasadorëve” nga ana e Presidentit të Republikës janë vetëm gënjeshtra të qëllimshme, të cilat synojnë vetëm të s’postojnë vëmendjen e opinionit publik nga situata kritike në të cilën ndodhet vendi, nga problemet reale të qeverisjes dhe skandalet e saj dhe të përpiqen të denigrojnë Institucionin e Presidentit të Republikës.

Edhe një herë ju bëj me dije juve dhe nëpërmjet jush të gjithë opinion publik, se Presidenti i Republikës nuk ka rrëzuar, refuzuar apo bllokuar asnjë propozim të qeverisë aktuale për Ambasador të Republikës së Shqipërisë në ndonjë vend apo organizatë ndërkombëtare, përkundrazi është treguar shumë bashkëpunues dhe i përgjegjshëm duke dekretuar në kohë dhe në respekt të ligjit propozimet e kësaj qeverie për Ambasadorë apo Shefa Misioni Diplomatik të Republikës së Shqipërisë në vendet mike apo organizatat ndërkombëtare.

Dëshiroj t’i bëj me dije Komisionit të Politikës së Jashtme të Kuvendit të Shqipërisë se prej kohësh kam komunikuar me përfaqësuesit e qeverisë për rinovimin e domosdoshëm të trupës sonë diplomatike, në respekt të ligjit dhe të kushtetutës, duke treguar gatishmëri të plotë, bashkëpunim të sinqertë, konstruktivitet dhe transparencë.

Duke shprehur keqardhjen time të thellë për mënyrën se si kjo çështje kaq e rëndësishme u nëpërkëmb, u politizua dhe u bë publike në mënyrë të padenjë, mendoj se është në nderin e Komisionit të Politikës së Jashtme dhe anëtareve të tij, të rolit të tij të pazëvendësueshëm në fushën e politikës së jashtme, që këtë çështje ta bëjë jo vetëm pjesë të debatit të brendshëm, por edhe të kërkesë-llogarisë ndaj qeverisë dhe të gjithë atyre që e kanë për detyrë të respektojnë ligjin, të respektojnë trupën diplomatike shqiptare dhe dinjitetin e saj përfaqësues dhe të qartësojë të vërtetën e deklaratave dashakeqe të Kryetarit aktual të Bashkisë së Tiranës, dhe njëkohësisht për të çbllokuar në mënyrë të menjëhershme procesin e rifreskimit dhe emërimit të duhur të Ambasadorëve dhe Shefave të Misioneve të Shqipërisë në vendet mike dhe në organizatat ndërkombëtare ku ne jemi të akredituar.

Dëshiroj t’ju tregoj edhe një herë të gjithë vullnetin tim, që së bashku me ju të nxisim këtë proces dhe të shpreh gatishmërinë time të plotë që në çdo moment, në ushtrim të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore, të vij, ashtu siç edhe kam ardhur kur ka qenë e domosdoshme, edhe në Komisionin e Politikës së Jashtme të Kuvendit të Shqipërisë për të zbardhur të vërtetën por edhe për t’i dhënë zgjidhje kësaj çështje të rëndësishme për vendin dhe për përfaqësimin e tij në arenën ndërkombëtare.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Protesta e Berishës, Faik Basha i PL-së e pranon: Nuk kishim shumë njerëz edhe prej motit! Haklaj: Mosbindja civile, teatër! PD bllokoi rrugët, vepër penale

Protesta e Berishës, Faik Basha i PL-së e pranon: Nuk kishim shumë njerëz edhe prej motit! Haklaj: Mosbindja civile, teatër! PD bllokoi rrugët, vepër penale