Arrestohet ish-deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu për organizimin e tubimeve të paligjshme, bllokim të rrugës dhe kundërshtim me dhunë të forcave të policisë. Ish-deputeti u shoqërua rreth orës 11:00 nga forcat e policisë, teksa së bashku me disa banorë të zonës së "Astirit" bllokuan rrugën paraditen e sotme, në tentativë për të penguar kalimin e eskortës së kryeministrit Edi Rama.

Balliu dhe banorët zaptuan rrugën duke penguar qarkullimin e automjeteve. U ulën në mes të rrugës në zonën e Unazës së Madhe, ndërsa kreu i qeverisë nga kjo rrugë për të shkuar në një aktivitet tek Fabrika e Miellit. Pati konfrontime me forcat e policisë që tentuan të largojnë protestuesit nga rruga. Vetë ish-deputeti i PD-së u përplas me uniformat blu, në mbështetje të të cilëve ishin edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe Shqiponjat.

Balliu u shoqërua nga forcat Shqiponja ndërsa në momentin që ai po futej në furgonin e policisë ka bërë rezistencë. Për pasojë është thyer edhe xhami i furgonit, që Balliu e shfrytëzoi si një "dritare" për të dalë me gjysmën e trupit duke bërë simbolin e PD-së, dy gishtat

Sipas nenit 236 për kundërshtim të punonjësit të policisë së rendit publik, dënimi është nga gjobë deri në një vit, dhe deri në shtatë vjet kur ushtrohet dhunë fizike më shumë se një herë dhe në bashkëpunim.

Ndërkohë neni 262 për organizimin dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme dënohet me gjobë ose burgim deri në një vit, për manifestimet pa leje, me burgim deri në tre vjet kur manifestimi i paligjshëm vijon edhe pas paralajmërimeve për shpërndarje, dhe nga gjobë deri në dy vjet burg, kur vepra përsëritet më shumë se një herë dhe sjell pasoja të rënda.

Sa i përket bllokimit të rrugës, Kodit penal parashikon deri në 3 vite burg. Mazhoranca në një draft për ndryshimin e Kodit Penal ka kërkuar ashpërsim të dënimeve për disa çështje të ndjeshme së fundi, siç është bllokimi i rrugëve, një ligj i mbajtur vetëm në letër dhe i pazbatuar deri më sot, apo edhe ndëshkimi më i ashpër sa i përket sigurisë ushqimore.

Bashkë me Klevis Balliun u shoqëruan edhe disa banorë, ndërsa tre të tjerë ndodhen në spital për ndihmë mjekësore, pasi nuk u ndjenë mirë gjatë konfrontimeve të shumta që pati gjatë tubimit me bllokim rruge.

Kujtojmë se banorët e Astirit prej kohësh janë në protestë për të kundërshtuar prishjen e banesave të tyre që preken nga zgjerimi i Unazës së Madhe.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:35
Arrestimi i Balliut/ Protestuesit hedhin shashka dhe tymuese para Drejtorisë së Policisë

1557257324_page.jpg

Pas lajmit për arrestimit të ish- deputetit të PD, Klevis Balliu, banorë të zonës së Astirit dhe mbështetës së PD kanë protestuar përpara Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Protestuesit kanë hedhur kapsolla dhe kanë ndezur tymuese në mbështetje të Balliut dhe banorëve të tjerë të shoqëruar në Polici, pasi bllokuan rrugën dhe kundërshtuan uniformat blu.

Ora 21:02
Braimllari dhe Vasili në mbështetje të Klevis Balliut dhe protestuesve të ndaluar

Banorë të Unazës së Re të shoqëruar nga sekretari i përgjithshëm i LSI-së Endrit Braimllari dhe nënkryetari Petrit Vasili kanë shkuar te Drejtoria e Policisë së Tiranës në mbështetje të protestuesve të ndaluar dhe ish-deputetit Klevis Balliu i cili është arrestuar për organizimin e tubimeve të paligjshme, bllokim të rrugës dhe kundërshtim me dhunë të forcave të policisë.

Vasili ka deklaruar se ndalimi i protestuesve është një akt kriminal dhe se nga sot Edi Rama ka një llogari të hapur me qytetarët.

Ora 19:42
Tubimi i dhunshëm tek Unaza e Re, 4 punonjës policie të plagosur

Gjatë tubimit të paligjshëm zhvilluar sot në mesditë në aksin kryesor rrugor në zonën e Unazës së Re, një grup protestuesish kanë goditur me sende të forta duke plagosur 4 punonjës policie, 3 nga forcat "Shqiponja" dhe 1 nga FNSH.

Efektivët e Policisë po marrin ndihmë mjekësore në Spitalin e Traumës në Tiranë dhe janë jashtë rrezikut për jetën.

Në orët e pasdites policët e lënduar i vizitoi në spital Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu dhe drejtues të larte të PSH.

Policia e Shtetit nën drejtimin e Prokurorisë po vijon veprimet procedurale dhe hetimore për të përballur me drejtësinë, autorët e sulmit mbi forcat e rendit.

Ora 15:45
U konfrontuan me policinë dhe bllokuan rrugën tek Unaza e Re, zbardhen emrat e të shoqëruarve

Report Tv ka zbardhur emrat e personave të shoqëruar në komisariatin nr.6 pasi u konfliktuan me policinë dhe bllokuan rrugën tek Unaza e Re. Mësohet se të shoqëruar janë Gazmend Koka, Arben Qyrani, Muharrem Rexha dhe Florian Protoduari. Ky i fundit nuk është një emër i panjohur për opinionin publik. Ai është një nga qytetarët që ka qenë më aktiv në protestën disa mujore në zonën e Astirit dhe nuk është hera e parë që është shoqëruar në polici. Ndërkohë, në shenjë solidarizimi me të shoqëruarit, një grup banorësh vijojnë të ulur këmbëkryq në rrugë para komisariatit.

Ora 15:06
Bardhi: Nga ky moment opozita nuk njeh Institucionin e Drejtorit të Policisë së Tiranës

1557242350_gazbardhi2.jpg
Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi ka qënë i pranishëm tek komisariati nr.6. aty ku ndodhen të shoqëruar Klevis Balliu dhe disa protestes të tjerë. Bardhi fillimisht nuk është lejuar të hyjë brenda ambjenteve të komisariatit pasi ka patur tentativa për të hyrë edhe nga banorët.

Në një deklaratë për mediat Bardhi ka thënë ndër të tjera se nga ky moment opozita nuk njeh Institucionin e Drejtorit të Policisë së Tiranës.

"Drejtori i Policisë së Tiranës me urdhër politik të Edi Ramës tenton të intimidojë qytetarët në shkelje flagrante të ligjit. Janë duke fabrikuar prova dhe fakte me urdhër politik të Edi Ramës për të mbajtur katër qytetarë të pafajshëm, mes tyre deputetin e opozitës Klevis Balliu të shoqëruar në polici. I bëj thirrje të drejtpërdrejt Ministrit të Brendshëm. Mos guxo të provokosh popullin opozita. Përgjegjësia do të jetë mbi Ministrin e Brendshëm sepse ne nga ky momentin nuk e njohim më institucionin e Drejtorit të Policisë së Tiranës. Është një kriminel, që paguhet me taksat e qytetarëve shqiptarë për të mbrojtur të drejtat dhe liritë themelore të qytetarëve, për të luftuar krimin, ndërkohë që i ka shpallur luftë qytetarëve. Të jetë i sigurt që luftën që i ka shpallur qytetarëve do ta marrë mbrapsht.Nga ky moment, opozita nuk njeh Institucionin e Drejtorit të Policisë së Tiranës. Është një kriminel në krye të Policisë së Shtetit. Nuk njohim Institucionin e Drejtorit të Policisë së Tiranës dhe do të marrë përgjigjen e merituar personale dhe ligjore nga qytetarët." ka deklaruar Bardhi.

Ora 15:02
'Protestuesi në gjendje të rëndë', PD akuzon policinë për dhunë

Partia Demokratike në një komunikatë me mediat ka akuzuar policinë se ka ushtruar dhunë mbi protestuesit e Unazës së Re.

Sipas pretendimeve të ngritura nga PD dy efektivë të FNSH kanë zbrazur 2 bombola me gaz ndaj një protesuesi deri sa ai ka humbur ndjenjat. Aktualisht, ai ndodhet në repartin e djegies në QSUT, pasi ka djegie të rënda në kokë, shpatulla dhe këmbë.

Deklarata e plotë nga PD:
Forca të shumta policore ushtruan sot dhunë të pajustifikuar mbi banorët e Unazës së Re, që po protestonin paqësisht kundër pranisë së Edi Ramës në një biznes aty pranë.

Në video është dëshmia tronditëse e protestuesit Astrit Sadikaj, i dhunuar rëndë nga policia me gaz djegës dhe lotsjellës. Astriti është një nga banorët që proteston me muaj të tërë kundër projektit korruptiv të Unazës së Re që prish pa shpërblim shtëpinë e tij dhe të rreth 2 mijë banorëve të tjerë. Astriti tregon se ka shkuar pranë forcave të policisë për të qetësuar situatën, duke i thënë se qëllimi tyre është të protestojnë në paqe dhe të largohen në paqe. Astriti tregon se 3 policë i janë hedhur për ta bllokuar, ndër 2 të tjerë të FNSH i kanë zbrazur 2 bombola me gaz derisa ka humbur ndjenjat.

Aktualisht, ai ndodhet në repartin e djegies në QSUT, pasi ka djegie të rënda në kokë, shpatulla dhe këmbë. Albana Vokshi e vizitoi Astrit Sadikaj në spital dhe i mori dëshminë e dhunës policore.

Ora 13:59
Luan Rama për përplasjen tek Unaza e Re: Policia është në tejkalim të ligjit


Zëvendëskryetari i LSI-së Luan Rama ka komentuar zhvillimet e sotme në zonën e Astirit, gjatë një deklarate për shtyp, duke thënë se banorët e Astirët po protestojnë me të drejtën e tyre. 

 “Meqenëse jemi dhe në këtë çast me një konfrontim të policisë te Unaza e Re, ku qytetarët protestojnë në të drejtën e tyre, për të mbrojtur pronën e tyre, për të mbrojtur shtëpitë e tyre dhe ku policia është në tejkalim të ligjit, kuptohet qartë se cila është arsyeja e tërheqjes nga procesi i Vettingut, e cila lidhet me përpjekjen për ta instrumentalizuar këtë proces dhe për të kontaminuar në këtë qëllim të mbrapshtë të qeverisë edhe vetë strukturën e policisë së shtetit. Prandaj në shenjë reflektimi dhe përgjegjësie i kërkoj atij palo Parlamenti që ka mbetur që të mos i shtoj zullumeve dhe turpeve të veta edhe turpin e tërheqjes nga procesi i Vettingut në Policinë e Shtetit”, tha Luan Rama.

Ora 13:50
Paloka: Banorët u ngritën pasi kujtuan se do u prishte policia banesat


Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka ka reaguar në lidhje me shoqërimin e Klevis Balliut dhe disa banorëve të tjerë pasi u konfliktuan me policinë tek Unaza e Re.

Paloka ka thënë se Balliu dhe banorët e Astirit kanë dalë në protestë pasi kujtuan se policia kishte ardhur për t'u prishur banesat.

"Siç e shihni edhe vete gjendja po degjeneron çdo ditë. Kjo afer korruptive është sot kyci i gjithckaje. Edhe një herë banorët kanë dalë aty ku protestojnë për ditë, pasi kanë menduar se policia po vjen tu prishi shpiat. Polcia janë sulur si bisha mbi qyettarët me lëndë djegesë dhe gaz. Kanë marrë burrra e gra dhe i kanë futur në furgonin e policisë dhe po i mbajnë ilegalisht.  Balliu është deputet jo ish-deputet, doli për krahë banorëve. Aq më i fortë do të jeët reagimi qyterë. Ta dijë mirë Rama se nuk i tremb më vetëm i ofron ditët e fundit të tij" ka deklaruar Paloka.

Ora 13:48
Përplasje para komisariatit nr.6, banorët e Astirit thyejnë traun dhe kërkojnë lirimin e të shoqëruarëve (VIDEO)

Përfaqësues të Partisë Demokratike kanë shkuar në Komisariatin nr.6., aty ku ndodhet ish-deputeti i PD, Klevis Balliu së bashku me disa protestues të tjerë. Personat në fjalë  janë shoqëruar nga policia për shkak se u konfliktuan me policinë dhe bllokuan rrugën tek Unaza e Re.

Ndërkohë para komisariatit janë krijuar përplasje mes banorëve të Astirit që kanë shkuar për të kërkuar lirimin e të shoqërurëve. Ata kanë thyer edhe traun që ndan rrugën me ambientet e komisariatit nr.6. Ndërsa brenda komisariatit ka shkuar Sekretari i Përgjithshëm i  PD, Gazment Bardhi për të kërkuar lirimin e të shoqërurëve.

 

Ora 12:23
Gazment Bardhi i del 'krahë' Balliut: Është hakmarrje politike, shoqërim i paligjshëm

Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka shkuar tek Unaza e Re menjëherë pas shoqërimit të ish-deputetit të PD, Klevis Balliu. Ai nga atje ka deklaruar se shoqërimi i Balliut është një hakmarrje politike dhe një veprim i paligjshëm.

"Ne jemi përkrah tyre nëe 24 orë të ditës. Jam këtu për tu dhënë mbështejet nga PD. Mbi djeresën e tyre nuk ekzekutohet asnjë akt korruptiv . Është një hakmarrje politike dhe një veprim i paligjshëm. Sot në burg duhet të jenë ata që vjedhin projektin korruptiv 20 mln euro. Balliu  ka qënë në mbështetje të tyre " ka deklaruar ndër të tjera Bardhi.

Ora 12:04
Këmbëkryq në rrugë, banorët e Astirit bllokojnë sërish Unazën e Re

Banorët e Astirit pas përplasjes me policinë, ku  nuk kanë munguar edhe shoqërimet,  kanë bllokuar sërish njërin aks të rrugës tek Unaza e Re. Ata janë grumbulluar së bashku dhe janë ulur në mes të rrugës duke paralizuar  tërësisht lëvizjen e makinave në njërin aks tek Unaza e Re. 



 

Ora 11:56
Konfrontim mes banorëve të Unazës së Re dhe Policisë, shoqërohet Klevis Balliu (FOTO)
Ora 11:52
Vasili: Masakrenjtë e policisë ndalojnë Balliun dhe mbrojnë hajdutët



Nënkryetari i LSI, Petrit Vasil me anë të një statusi në Facebook ka reaguar për ngjarjen e ndodhur tek Unaza e Re duke thënë se policia dhunoi protestuesit.

"Maskarenjte e policise ndalojne dhe dhunojne poshtersisht banoret e Astirit,ndalojne Klevis Balliun dhe mbrojne hajdutet dhe kriminelet e qeverise, qe vodhen 40 milion euro tek projekti i Astirit.

Policia e Gjakosin qytetaret e ndershem, qe mbrojne pronen e tyre,djersen dhe gjakun e tyre nga faqezinjte e qeverise te kapur ne flagrance duke vjedhur parate e shtetit.

Civilet brenda policise qe dhunojne qytetaret jane identifikuar dhe do te pergjigjen deri ne nje ata vete personalisht dhe ata qe i komandojne. Policia perfundimisht armike e qytetareve dhe mbrojtese e kusareve." shkruan Vasili.

Ora 11:43
Humbën ndjenjat në protestë, ambulanca u vjen në ndihmë dy grave (VIDEO)

Ambulanca u ka ardhur në ndihmë dy grave të cilat kanë humbur ndjenjat në protestën e organizuar tek Unaza e Re. Dy gratë në fjalë janë  marrë nga ambulanca për tu transportuar në spital ku do të marrin ndihmën e nevojshme mjeksore. 

Ndërkohë forcat e polciisë FNSH dhe 'Shqiponjat' kanë bërë të mundur hapjen e rrugës.