ELBASAN-Ditën e djeshme për rreth 30 minuta u bllokua aksi nacional Elbasan-Librazhd, pasi një grup qytetarësh po protestonin duke kundërshtuar vendimin e ARRSH për të bllokuar urën në anë të djathtë të aksit nga njësia mbrojtëse e autoritetit rrugor  për arsye sigurie. Kjo urë për më shumë se 30 vitesh ka shërbyer si rrugë lidhëse për banorët e lagjes “Emin Matraxhiu” me qytetin e Elbasanit.

Banorët bllokuan rrugën pa një lajmërim në polici, pasi sipas tyre edhe ata nuk u njoftuan nga autoritet për bllokimin. Gjithashtu sikundër duket në pamje prishën edhe barrierën e ngritur.  Nisur nga kjo policia e Elbasanit njoftoi sot se 3 prej banorëve janë në procedim penal në gjendje të lirë.

"Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Elbasan,  u proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit: L.B., 50 vjeç, B.H., 58 vjeç dhe J.Xh., 46 vjeç, banues në Elbasan, pasi  këto shtetasit në aksin rrugor Elbasan-Librazhd, kanë penguar qarkullimin e mjeteve dhe kanë hequr barrjerat e rrugës të vendosur nga ARRSH-ja, duke i dëmtuar ato.  Vijon puna për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë organizim të paligjshëm. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, për veprat penale 'Shkatërrimi i pronës' dhe 'Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit'", thuhet në njoftimin e policisë.