Pep Guardiola po shijon pushimet, pasi në verë u largua pas një dekade nga Manchester City, ndërsa sëfundmi është zhvendosur në Brazil. Atje ku ka dhënë një intervistë për ‘Romario TV’ dhe ka folur me shumë respekt për Cristiano Ronaldo-n. 41-vjeçari njoftoi lamtumirën nga kombëtarja pas përplasjeve që pati me trajneri Jorge Jesus. Sipas Guardiolës, një legjendë si Ronaldo nuk duhet të largohet në këtë mënyrë.

Guardiola pa pohuar se palët, Ronaldo, federata portugeze dhe trajneri duhet të gjejnë gjuhën e përbashkët për të nderuar një legjendë si CR7. Sipas Guardiolës Ronaldo ka frymëzuar breza të rinj të merren me këtë sport dhe ai meriton më shumë se kaq.

“Federata Portugeze e Futbollit duhet të garantojë një fund dinjitoz të karrierës së Cristiano Ronaldos. Të dyja palët duhet të bëjnë përpjekje të qarta për t’i siguruar një lamtumirë që meriton një legjendë.

Cristiano Ronaldo nuk duhet të largohet në këtë mënyrë nga Kombëtarja e Portugalisë. Portugalia nuk mund ta lërë të ikë kështu, pas gjithë historisë që kanë ndërtuar së bashku.

Ai ka qenë një figurë jashtëzakonisht e rëndësishme, jo vetëm për veten dhe Portugalinë, por edhe për brezat e ardhshëm të futbollistëve portugezë.

Duhet ta kuptojnë se Cristiano Ronaldo meriton të largohet sipas kushteve të tij. Në historinë tuaj ka pasur futbollistë të jashtëzakonshëm dhe Cristiano është njëri prej tyre. Prandaj, kjo situatë duhet të korrigjohet.

Duhet të organizohet një festë ku ai të ndiejë dashurinë e bashkëkombësve të tij, por edhe vetë duhet të marrë iniciativën dhe të thotë: Le ta kthejmë faqen dhe të lëmë pas të shkuarën.

Një karrierë e tërë nuk mund të gjykohet për shkak të një apo dy muajve, apo të një mosmarrëveshjeje ose keqkuptimi me një apo dy persona.

Ka karriera të mbushura me arritje që meritojnë të ruhen dhe të mbrohen. Cristiano Ronaldo e meriton këtë.

Lojtarët e mëdhenj, ata që kanë qenë vërtet në majën e futbollit, meritojnë të largohen nga dera kryesore.

Së pari, sepse e kanë fituar këtë të drejtë me gjithçka që i kanë dhënë sportit. Vetë futbolli u detyrohet këtë mirënjohje.

Së dyti, për të gjithë fëmijët që hedhin hapat e parë në fushën e lojës dhe që mund të thonë: Dua ta përfundoj karrierën si Romário, Cristiano Ronaldo, Lionel Messi, Paolo Maldini apo një tjetër prej të mëdhenjve të historisë.

Kështu duhet të ndodhë”, – deklaroi Guardiola për “Romário TV”

Këto fjalë marrin një tjetër vlerë kur vijnë nga një kundërshtar në fushë si Pep Guardiola. Ky i fundit drejtonte Barcelonën kur Ronaldo ishte te Real Madrid në vitet 2010 dhe ‘El Clasico’ ishte ndeshja që ‘pushtonte’ botën.

Sëfundmi Ronaldo shënoi me ekipin e Al Nassr në fitoren 2-1 Al Sadd, duke u ngjitur në kuotën e 987 realizimeve në karrierë. 41-vjeçari ka pohuar se nuk do të ndalet pa kapur kuotën e 1000 realizimeve, ndërsa tani duket shumë afër.