TIRANE - Në mbi 200 shkolla, ku do të zhvillohen provimet e Maturës Shtetërore, do të vendosen bllokues të valëve të celularëve, si një masë që do të eleminojë mundësinë e kopjimit nga maturantët. Sipas ministrisë së Arsimit, kjo masë merret për të garantuar transparencën në dhënien e provimeve, duke pasur parsysh mundësitë e sofistikuara të teknologjisë së informacionit.

Kjo mundësi do të shmangë edhe kontrollet e imtësishme të administratorëve, të cilat çojnë në vonesa gjatë provimeve. Zyrtarë të ministrisë së Arsimit konfirmojnë se gjatë kësaj jave do të zhvillohet tenderi për blerjen e një numri të konsiderushëm të aparaturave, të cilat kanë një kosto të lartë finaciare.

Mbyllja e muajit maj shënon çeljen zyrtare të provimeve të Maturës Shtetërore 2013. Konkretisht në datën 31 Maj, maturantët dhe kandidatët e tjerë që do të aplikojnë për pranimet në shkollat e larta publike të vendit do ti nënshtrohen provimit të parë të detyruar të maturës në lëndën e Gjuhës-Shqipe dhe Letërsisë.

Provimi i dytë i detyruar do të zhvillohet në lëndën e matematikës në datën 14 qershor. Ndërsa provimet e lëndëve me zgjedhje do të zhvillohen në një ditë vetme, përkatësisht më 29 qershor.

Redaksia Online
(jl/shqiptarja.com)