TIRANË- Kuvendi vijon seancën plenare prej disa orësh ndërsa deputetët janë përfshirë në debate lidhur me aktet terroriste me tritol ditët e fundit.
Deputeti i Partisë Socialiste Ben Blushi gjatë fjalës së tij në parlament mori në mbrojtje Ministrin e Brendshëm, ku dy ditë më parë në farmacinë e babait të tij, iu vu tritol.
Për Blushin, nuk është i sulmuar vetëm ministri Tahiri por secili prej nesh.

Në fjalën e tij, Blushi u kërkoi deputetëve të opozitës që të tregojnë solidaritet për atentatet me tritol ndaj familjes së ministrit.

"Kjo është hera e dytë që sulmohet familja e Tahirit. Shënjestra e këtyre sulmeve ishte gati nga qeveria e kaluar, që arrestoi babin e ministrit Tahiri se nuk kishte paguar taksa. Por jo, e arrestoi se ishte babi i një kundërshtari politik. Krimi mori borxh nga opozita e sotme dhe qeveria e djeshme, shënjestrën. Me dashje apo pa dashje qeveria e djeshme i ka përgatitur krimit metodën hakmarrëse", deklaroi deputetit socialist.

Blushi u kërkoi deputetëve të opozitës solidarizim pasi sipas tij, mafia nuk sulmoi vetëm Saimir Tahirin por edhe Shqipërinë.

"Për çfarë është sulmuar Saimir Tahiri? Për luftën që po bën dhe për vendosmërinë që ka treguar për detyrën që mban. Saimiri Tahiri u sulmua si Ministër i Brendshëm i Republikës së Shqipërisë. Mafia na ka sulmuar të gjithëve ne me këtë akt. Tahiri nuk është vetëm ministër i Brendshëm, por është njëri prej nesh në këtë sallë. Ndaj secili prej nesh duhet të ndihet i kërcënuar.Dënojeni krimin pastaj merruni me Saimir Tahirin personalisht", përfundoi Ben Blushi./ATSH/

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)