Deputeti socialist, Ben Blushi kundërshtoi projektligjin për importin e mbetjeve urbane në Shqipëri, duke hedhur akuza ndaj të dy krahëve të politikës. Blushi tha se i di arsyet e rikthimit në Parlament të ligjit nga kjo mazhorancë, e cila tre vjet më parë shfuqizoi ligjin e demokratëve. Sipas tij, ligji është blerë nga biznesmenë të interesuar për tregun e plehrave, ndërsa politika thjesht po e zbaton atë. 
 
"Sot, Rilindja ka marrë përsipër të votojë ligjin e PD që e shfuqizoi vetë në vitin 2013-ë. Nuk ka akt më të pastër imoraliteti politik që tregon fundi e një grupi të ndotur që po i bëjnë keq Shqipërisë. Nga nesër kur ky ligj të hyjë në fuqi, pasi ky ligj do ta votojnë, ka vetëm një mundësi, që qytetarët të kalojnë rrugëve dhe plehrat tua hedhin mbi kokë. Por, nuk ka fjalë për të përshkuar atë që po bën sot, po hiqni kufirin për helmet dhe plehrat që nga Europa do të vijnë në Shqipëri. Çfarë ishin ato arsye që iu çuan të shfuqizoni këtë ligj? Për 1000 arsye. Kush ishin arsyet që sot u zhbënë? E di kush janë. Ky është një ligj i blerë, i sponsorizuar. Nuk vjen për shkak të vullnetit, as për të hapur vende pune, as për industrinë. Një nga gjërat që ndërtoi rilindja këto tre vjet, është tregu i ligjeve. Një ligj që blihet, vjen në parlament dhe votohet. Nëse s'ke para ta blesh, do ta blejë kundërshtari yt. Tregu i ligjit ekziston. Duke hequr kufijtë e helmeve, a e dini çfarë merrni përsipër? Të dyja palët janë shumë të qeshura. Pse qeshni? Çfarë bëni sot? Po helmoni shëndetin e shoqërisë. Sa vatra kanceri do hapen prej këtij? Sa fëmijë, si ai Arditi i Sharrës, do punojnë atje? Sa fëmijë? Është e poshtër dhe kriminale. Pyetja mbetet, çdo ditë duhet bërë, kush e qeveris Shqipërinë? Një grup biznesmenësh që dje ishin me PD-në dhe sot janë me Rilindjen? Ky grup e futi ligjin në Parlament dhe ju po e votoni", u deputeti socialist. 

Në përfundim, Blushi ftoi qytetarët që t'ua shkruajnë emrat politikanëve në kazanët e plehrave. "Secilit prej jush, t'i shkruhet emri në kazanët e plehrave të lagjes. Nuk dua ta votoj këtë ligj, sepse nuk kam qejf që emri im të shkruhet në një kazan plehrash, siç po zgjidhni ju sot", theksoi më tej deputeti socialist. 

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com