Boçi mban fjalën e fundit si deputet në parlament: Dorëzoj mandatin që të jem pranë njerëzve të mi, i kam falur shpifjet! Boll ia vratë votën qytetarëve

 

Luçiano Boçi, i cili do të lërë mandatin e deputetit për të kandiduar si kryetar bashkie në Elbasan mbajti fjalën në Kuvend duke thënë se nuk po dorëzohet. Boçi shprehet se këtë sakrificë po e bën për t’i kthyer lavdinë Bashkisë së Elbasanit.

Po ashtu ironizon qeverinë duke thënë se i ka falur shpifjet me idenë se falja është hyjnore dhe i bën thirrje që të ndalen së detyruari qytetarët ëqë t’i pëlqejnë në rrjete sociale.

“Në këtë sallë më ka sjellë mbështetja dhe vota e qytetarëve pa parti të Elbasanit. Vetë në këto vite jam përpjekur sa kam mundur me angazhimin tim të jem zëri i tyre. Jam përpjekuri të jem mbështetja e tyre, zgjidhësi i problemeve të tyre, miku i tyre, pavarësisht krahut politik, vetvetja. Jo gjithmonë ia kam arritur dhe kjo është krejt njerëzore ama ka qenë nder për mua.

Ka qenë besimi i tyre që e ka bërë fjalën të vlerë dhe i ka dhënë frymë mendjes time të flasë dhe të thojë të vërtetën. Po e dorëzoj sot mandatin me kushtin që të jem më pranë njerëzve të mi, qytetarëve të Elbasanit. Një mekanizëm që vret besimin dhe shpresën e qytetarëve. Këtu jam ballafaquar me kundërshtar luftarak dhe me kolegë.. i kam falur shpifjet me idenë se falja është hyjnore. Ky vend më ka pëlqyer për dinamikën, të bukurën e politikës dhe të shëmtuarën e saj.

Nuk jam nga ata që dorëzohem. Më pëlqejnë betejat dhe sfidat, sikurse më pëlqen të jem me njerëzit e vërtetë të këtij vendi, të nxis një investim, të ndihmoj dikë. Jam i bindur që edhe ju këtë dëshironi, pavarësisht detyrimeve dhe joshjeve politike. Më është dhënë privilegji që dikush mund ta quajë sakrificë.

Privilegj për të qenë në bashkinë time të Elbasanit, e shoh si mundësinë e artë për t’i kthyer të gjithë shkëlqimin, meritën dhe lavdinë e dikurshme. Fati i një qyteti mund të ngjajë i vogël por është madhërisht i rëndë si gur prehistorik në ndërgjegjen e qytetarëve. Nëse ka një pasqyrë ku dua të dukem mirë është vetëdija e qytetarëve. Unë po iki për tu rikthyer se kjo u vlen njerëzve të mi se bashkë me ta do e bëjmë ndryshimin. Do e bëjmë Elbasanin një vend të dashur ku mund të jetosh pa menduar si të ikësh, ku përmasa njerëzore rritet dhe trashëgohet bukur. Boll i detyruat qytetarët t’ju pëlqejnë me zor në rrjete sociale. Bashkia është e qytetarëve dhe ata do e bëjnë ndryshimin.

Sot unë nuk dua të flas për mizorinë me të cilën e keni trajtuar atë bashki me dekada dhe keni përfituar gjatë këtyre viteve. I keni bindur se janë të varfër dhe se do të vdesin të tillë dhe ky padyshim është një krim. U keni helmuar tokën më të butë të planetit dhe u keni mashtruar me një gjysmë thesi miell që të mbajnë gojën mbyllur. U keni vjedhur 27 mln euro me një gënjeshtër që edhe pse nuk djeg dot plehra, ju u djeg me siguri. Keni shkatërruar çdo infrastrukturë, keni braktisur lagje dhe fshatra, pa rrugë e pa shërbim, por vetëm me presionin për të marrë votën. Unë po iki për t’u rikthyer atje ku çdo gjë e vogël bën një diferencë të madhe. Ne do ta rikthejmë Elbasanin në një pol të rëndësishëm ekonomik, në trekëndëshin, Tiranë-Elbasan –Durrës. Një vend ku mund të jetosh pa menduar si të ikësh. Elbasanin do ta bëjmë qytetin e internetit të shpejtë dhe do t’i tregojmë qeverisë së si qeveriset në një vend me njerëz të mirë. Kërkesa ime në këtë sallë, është boll ia vratë votën dhe të ardhmen duke ia blerë atë. Boll ia kërcënuan jetën duke i larguar për bindje politike dhe boll i mashtruat me propagandë”, tha Boçi.


Lajmi kryesor:

Kuvend, debat për inceneratorët, Berisha: Ahmetaj i fajshëm, por Rama është koka e krimit! Balla: 'Katran me bojë' të përjashtoi kandidati yt nga fushata e Tiranës


/KT/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Përfitojnë 177 mijë pensionistë në Tiranë/ Nis aplikimi i të moshuarve për abone falas

Përfitojnë 177 mijë pensionistë në Tiranë/ Nis aplikimi i të moshuarve për abone falas