TIRANË - Deputeti i PD-së, Luçiano Boçi  i cili është edhe anëtar i Komisionit për Median në Kuvend, gjatë intervistës në emisionin Tete a Tete në A1 Report, ka theksuar se, aktualisht është bllokuar përgjedhja e televizioneve që do të marrin frekuencat dixhitale.

Sipas tij, opozita është kundër mazhorancës që do ti lejë RTSH-së vetëm një frekuencë e jo dy, me qëllim që njërën t'ia japë një televizioni privat. Gjithashtu ai bëri të ditur se, ka ndryshuar procedura për zgjedhjen e kreut të Këshillit Drejtues të RTSH-së si dhe të Autoritetit të Medias Audiovizive.

Sipas tij, RTSH-ja nuk ka qenë e njëanshme pasi në raportet që janë dorëzuar në Kuvend, koha për secilën nga partitë politike ka qenë e njëjta dhe lajmi që vjen nga ky televizion publik nuk është i njëanshëm.

“Do zgjedhim 10 anëtarët dhe më pas edhe kryetarin e Këshillit Drejtues të RTSH-s, që ka procedurë më vete. Procesi në fund do të ketë në fund një produkt cilësor”, tha deputeti demokrat përballë gazetarit, Artur Nura.

Sipas tij, procedura ka ndryshuar sepse ka një ligj të ri për median dhe kjo ka bërë që të ndryshohen edhe mënyra e përgjedhjes së tyre. Sipas Boçit aktualisht kandidatët për anëtarë dhe kryetarë të këtyre institucioneve nuk duhet të vijnë nga partitë politike por nga shoqëria civile.

“Ligji për median ka ngrënë shumë kohë për shkak të mungesës së konsensusit”, tha Boçi gjatë intervistës. Sipas tij, RTSH-ja duhet që të shfrytëzoje edhe burime të tjera veç atyre fondeve që jep qeveria.
 
Duke folur për frekuencat dixhitale, Boçi deklaroi se aktualisht ka një pengesë në këtë proces që ka ardhur nga qeveria dhe nga mazhoranca. |Ka një tentativë penguese. Është krijuar një komision për frekuencat dixhitale dhe aty paradoksalisht është edhe nënkryetari i komisionit të Medias dhe kjo është kundër ligjit”, tha Boçi gjatë intervistës në A1 Report.
 
“Është pezulluar dhënia e frekuencave të televizioneve dixhitale dhe qeveria kërkon që RTSH-së të mos i jepen 2 frekuenca por 1 dhe kjo frekuencë ti jepet një televizioni privat që do të krijonte një megamonopol në fushën e medias në Shqipërisë”, theksoi deputeti demokrat gjatë fjalës së tij.
 
Deputeti Luçiano Boçi tha gjatë fjalës së tij në emisionin Tete a Tete se, ata televizione që do të marrin frekuenca dixhitale duhet që të lirojnë ato që kanë aktualisht pasi është një kërkesë e BE-së.
 
“Në momentin që kompanitë që kërkojnë të bëhen pjesë në rrjetet numerike duhet të lejnë rrjetet frekuencore që i kanë zënë. Unë nuk shpresoj që mazhoranca të ketë tolerancë ndaj opozitës. Nuk është Endira Bushati që ka bllokuar AMA”, tha deputeti demokrat, Luçiano Boçi gjatë intervistës së tij në emisionin Tete a Tete në A1 Report.

Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)