KORÇË - Ministri i Financave, Ridvan Bode, nga komuna Libonik e Korçës, ka vijuar akuzat ndaj selisë rozë, duke theksuar se përballë alternativës së integrimit, të cilën e përfaqëson Partia Demokratike, ndodhet alternativa e bllokimit me vota në parlament e atyre “që 20 vjet më parë na izoluan me tela me gjëmba”.

Këto deklarata Ministri i Financave, Ridvan Bode i bëri gjatë një takimi festiv për 22-vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike në komunën Libonik.

Sipas z.Bode, në tetë vjet qeverisje, PD ka udhëhequr shqiptarët drejt ëndrrës europiane dhe këtë do të vijojë ta bëjë në çdo takim me qytetarët edhe gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e 23 qershorit,për të thyer cdo pengesë që duan të bëjnë bijtë e etërve të komunizmit.

Ministri i Financave është ndalur dhe tek nisma më e fundit e Qeverisë për heqjen e TVSH-së së makinerive bujqësore, blegtorale, farnave dhe ilaçeve. “Një politikë e tillë taksash”, - ka theksuar Ministri i Financave, - “nxit punësimin dhe rrit impulsin e produkteve në treg”.

Edhe në këtë pikë, ministri nuk ka kursyer akuzat ndaj Partisë Socialiste dhe programit të saj për taksën progresive, që sikurse pohoi ai, rritin peshën e qeverisë, duke i bërë gjithnjë e më shumë qytetarët të varur prej saj.

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)