Boeing 737 Max 8 dhe certifikimi i avionëve në SHBA

 Boeing 737 Max 8 dhe certifikimi i avionëve në SHBA

Senati amerikan thirri të mërkurën një seancë dëgjimore në vazhdën e rrëzimit të dy avionëve Boeing 737 MAX 8 për shkak të problemeve të dyshuara në sistemin elektronik.

Në seancë, rregullatorët e qeverisë për aviacionin morën në mbrojtje praktikën e deritanishme, në bazë të së cilës janë vetë kompanitë që certifikojnë sigurinë e avionëve të prodhuar prej tyre.

Kreu i Administratës së Aviacionit Federal, Daniel Elwell, u tha senatorëve se punonjësit që certifikojnë sigurinë e avionëve të prodhuar prej tyre janë përzgjedhur posaçërisht nga Federata Amerikane e Aviacionit dhe mbikëqyren prej saj.

"Fakti që Federata dhe komuniteti i aviacionit identifikojnë së bashku rreziqet e sistemit dhe zbatojnë zgjidhjet e sigurisë, kjo kërkon bashkëpunim, komunikim dhe objektiva të përbashkëta. Dekada të tëra përvoje kanë provuar se kjo mënyrë shton njohuritë që përndryshe ne nuk do t’i kishim. Certifikimi i avionëve gjithnjë është mbështetur mbi shkëmbimin e informacionit dhe të dhënave teknike me industrinë",thotë Daniel Elwell, Administrator në detyrë i Federatës së Aviacionit.

Por një senator demokrat tha se duke qenë se vetë kompanitë që prodhojnë aeroplanë i certifikojnë ata si të sigurt, kjo mund të dëmtojë besimin e publikut.

"Fakti është se Federata e Aviacionit vendosi të bëjë certifikimin për të kursyer para, por kjo mënyrë nuk është as e lirë dhe as e sigurtë; është si të vësh dhelprën të ruajë kotecin e pulave. Kjo mund të thuhet edhe për avionin 737 MAX 8. Në nxitimin për të prodhuar avionin, për shkak të konkurrencës me Airbus-in, disa elementë kritikë të sigurisë u nënvlerësuan,” tha senatori demokrat, Richard Blumenthal.

Senatori republikan që mbikqyrte seancën tha se ka pasur shqetësime për marrëdhëniet e ngushta, siç i quajti ai, midis Federatës së Aviacionit dhe firmës Boeing, prodhuesit me qendër në Seattle të avionit 737 MAX.

"Jo vetëm që rrëzimet e fundit të avionëve kanë tronditur besimin e publikut, por pyetjet që janë ngritur më pas lidhur me mbikëqyrjen e Federatës së Aviacionit mbi prodhuesit e avionëve, procesin e certifikimit dhe marrëdhënien e ngushtë midis industrisë dhe rregullatorit, kërcënojnë të dëmtojnë besimin tek i tërë sistemi", tha senatori republikan, Ted Cruz.

Kompania Boeing tha të mërkurën se nuk ka nevojë për rregulla të reja federale mbi mënyrën se si i ndërton dhe i teston avionët. Ajo tha se është pranë përmirësimit të sistemit elektronik që nuk lejon bllokimin e avionit 737 MAX në ajër. Ky sistem dyshohet të ketë qenë shkaku i dy rrëzimeve fatale të këtij lloj avioni.

Megjithatë, ndoshta do të duhet një farë kohe që aeroplanët Boeing 737 MAX 8 të ngrihen përsëri në ajër.VOA

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë