TIRANË – "Gjatë këtyre viteve janë shtruar më shumë rrugë se në gjithë historinë e kombit". Kjo është deklarata e sotme e deputetit demokrat Gerti Bogdani, bërë përkundër akuzave të kryesocialistit Rama në Peshkopi.

“ Sot, z.Rama ka arritur një nivel të paprecedentë në serinë e llangosjes dhe sajesave që prodhon nga salloni mavi. Në botën e z.Rama, infrastruktura ka degraduar!"- tha ai. - "Por të gjithë qytetarët janë të ndërgjegjshëm se sot rrugët janë më mirë se kurrë, se kemi 1,300 shkolla të reja dhe të rikonstruktuara, 400 spitale dhe qendra ambulatore të reja dhe rikonstruktuara, dhe infrastruktura sot është më mirë se asnjëherë më parë. Në të vërtetë, gjatë këtyre tetë viteve janë shtruar më shumë rrugë se në të gjithë historinë e kombit.

Z. Rama trilloi se “për të ardhur këtu m’u desh një kohë e gjatë”. Ndërkohë që në fakt koha e udhëtimit nga Tirana në Peshkopi jo vetëm është shkurtuar një orë, por tashmë ka përfunduar edhe gjysma e Rrugës së Arbrit e cila do ta bëjë distancën Tiranë – Peshkopi vetëm një orë udhëtim. Gjithsej, ne kemi asfaltuar 10.000 km rrugë që e kanë shkurtuar kohën e udhëtimit nga Tirana në pjesët e tjera të Shqipërisë, nga 1.5 deri në 3 herë.

Z. Rama pretendon se kjo nuk është e mundur, dhe ai mund të jetë një matuf dy metrosh, por kjo s’do të thotë se venat e tij nuk mjaftojnë për të bërë xhiron e botës. Zotit Rama mund t’i jetë dashur një kohë kaq e gjatë për të shkuar në Peshkopi, sepse ka ndaluar rrugës për të bërë ciu ciu", - tha deputeti demokrat, duke ironizuar tendencën e Ramës për të përdorur "Twitter"-in.

"Z.Rama sot theu edhe rekordin e tij personal duke bërë shpikjen më të madhe të njerëzimit", - tha Bogdani. - "Ai shpiku makinën e kohës dhe udhëtoi poshtë e lartë e lartë e poshë nga viti 1432 e deri më sot, kur foli për regjistrimin e pronave. Në fakt, e vetmja gjë ende e paregjistruar sot në Shqipëri është fantazia e tij e sallonit mavi. Por, të paktën z.Rama u tregua i sinqertë për një gjë. Ai tha që plani i tij për një Shqipëri të zhvilluar, është ai që brenda dy viteve z. Rama të ketë një plan të tillë. E vërtetë, plani i z. Rama është që të ketë një plan.

Sepse Z. Rama nuk ka asnjë plan përveç planit për të rritur taksat, gjë që do të rrisë papunësinë. Z. Rama është një mace e zezë për biznesin, investimet e huaja dhe zhvillimin e vendit. Partia Demokratike do të vazhdojë punën për të përmirësuar infrastrukturën e Shqipërisë dhe do të punojë për të ndërtuar një Shqipëri më të zhvilluar", - theksoi Bogdani.

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)