Në një deklaratë për mediat, Bogdani solli në vëmendje planin e Kryeministrit Berisha për krijimin e vendeve të punës, duke argumentuar rritjen potenciale të turizmit në Shqipëri.
" Kryeministri ka kohë që është kthyer në një dëgjues të vëmendshëm të zërave nga grupet e interesit. Ai u takua me pronarë hotelesh, me operatorë turistikë dhe me përfaqësues të biznesit të vogël që merren me turizmin, për të dëgjuar idetë e tyre dhe për të diskutuar planin e tij për turizmin dhe punësimin", theksoi deputeti demokrat.
Nga ana tjetër, vijoi Bogdani, "Rama në fundjavë, vazhdoi me barcaleta duke konkuruar Portokallinë".
Më tej, Bogdani ka ironizuar sloganet e liderit të opozitës për turizmin.
"Tre sloganet e tij për turizmin?
Hapi i parë: Analiza e tij. Mirë z. Rama, kjo është analiza, ka më shumë turistë që vijnë në Shqipëri, duke krijuar më shumë vende pune më saktë analiza tregon se numri i turistëve dhe vizitorëve është rritur nga 300 mijë që ishte në vitin 2004 në 4.7 milion në vitin 2012.
Hapi i dytë: Promovimi i tij. Mirë z.Rama, a ndihmuan grevat e tua të urisë, shpërndarja e plehrave në Tiranë nga ju si kryetare bashkie bojkotet dhe aksionet e dhunshme, në tërheqjen e turistëve në Shqipëri?
Hapi i tretë: Krijimi i një Plani. Kjo është e drejtë, Plani i z.Rama, është se si të bëjë një Plan", tha Bogdani, duke theksuar se "plani i vetëm i z.Rama është të rrisë taksat, çka do të sjellë humbje të vendeve të punës, dhe ai është një mace e zezë për bizneset. Nëse do të donte, ai si kryebashkiak i Tiranës, mund të kishte promovuar turizmin, por në fakt ai zgjodhi të kujdesej për punën e tij, dhe jo të krijonte vende pune për qytetarët. Në 11 vite, z.Rama nuk mori mundimin as të hapte një zyrë turistike për turistët në Kryeqytet".
Në përfundim të deklaratës për shtyp, deputeti demokrat, Gert Bogdani, tha se "Partia Demokratike, do të vazhdojë të punojë për të krijuar vende pune përmes turizmit, duke promovuar Shqipërinë, duke zhvilluar zonat turistike, dhe duke e bërë më të lehtë për turistët që të vijnë në Shqipëri".
Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)