Bojaxhi: Bojkoti i PD luftë për
pushtet, SFIDA vetëm në zgjedhje

Bojaxhi: Bojkoti i PD luftë për<br />pushtet, SFIDA vetëm në zgjedhje
Si një prej nismëtarëve të partisë SFIDA për Shqipërinë, Gjergj Bojaxhi thotë se nuk do të bëhen pjesë e asnjë koalicioni për zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit.
 
I ftuar në "5 pyetjet nga Babaramo", Bojaxhi theksoi se SFIDA s'është e interesuar për pushtet, por ka si synim përfaqësimin e qytetarëve.
 
"SFIDA nuk do hyjë në koalicion me asnjë nga partitë politike. Që para një viti ne kemi deklaruar se nuk do bëjmë koalicion jo vetëm brenda këtij mandati 4 vjeçar që po mbyllet, por edhe për mandatin e parlamentit të ri që po vjen. S'jemi të interesuar për pushtet, duam të përfaqësojmë qytetarët. Përfaqësimi është te qytetarët dhe jo në qeverisje. Fakti që këtu është korruptuar sistemi dhe qeverisja nuk zbaton ligjin, kjo gjë duhet ndryshuar, duhet ndryshuar me votë dhe me përfaqësim", u shpreh Bojaxhi.
 
"Përpjekje për të sabotuar zgjedhjet"
Duke komentuar protestën dhe bojkotin e paralajmëruar të PD-së për zgjedhjet e 18 qershorit, Bojaxhi tha se është luftë për pushtet. Sipas tij, opozita do tentojë të sabotojë procesin zgjedhor.
 
"Ne po flasim që demokracia është e kapur, që ky fenomen është aty, por fenomeni nuk luftohet duke bojkotuar zgjedhjet. Ka një arsye pse SFIDA  futet në garë dhe partitë e tjera nuk duan të futen në garë. Partitë e tjera nuk janë të interesuara për demokracinë, por të kapin pushtetin, dhe kur e dinë që nuk e kapin dot pushtetin, duan edhe ta sabotojnë procesin. Zgjedhjet duke u mbikëqyrur me vëzhgues, do të reflektohen me mandate në parlament", tha ai.
 
Bojaxhi u shpreh edhe kundër tezës së opozitës për shtyrjen e zgjedhjeve parlamentare përtej 18 qershorit. 

"Në asnjë vend demokratik të botës nuk shtyhen zgjedhjet përtej afatit kushtetues. Mund të bëhen zgjedhje të parakohshme, por jo zgjedhje përtej datës së dekretuar. Ky konflikt politik nuk duhuet të dominojë mbi të drejtën tonë për të votuar", tha ai. 

"Kandidatët e SFIDES, nga vota e anëtarësisë"
SFIDA për Shqipërinë, tha Bojaxhi, do publikojë brenda afateve listën e kandidatëve në të gjithë Shqipërinë. Ai tha se emrat që do kandidojnë do përzgjidhen nga vota e anëtarëve të partisë.
 
"Brenda afateve ligjore do bëjmë publik listën e kandidatëve të partisë SFIDA për Shqipërinë. Kemi ndjekur modelin amerikan ku kryetari i partisë nuk do kandidojë në listë. Reforma në demokracinë shqiptare nuk fillon me qytetarët, por brenda shtëpisë, brenda partisë politike. Në momentin kur ne kemi parti politike që nuk reformohen brenda vetes, Çdo pretendim për të reformuar demokracinë shqiptare është i pavlefshëm.
 
Çdo anëtar i SFIDËS do votojë për listën e kandidatëve. Dhe votimi do jetë me letër dhe elektronikisht. Në të gjitha qarqet do bëhet votim
", tha ai. 

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria dy medalje bronzi në Lojërat Olimpike, e kujt është merita?



×

Lajmi i fundit

Shkodër/ Plagoset me armë zjarri një person në aksin Postribë-Prekal (EMRI)

Shkodër/ Plagoset me armë zjarri një person në aksin Postribë-Prekal (EMRI)