Konflikti mes Gjykatës së Posaçme dhe avokatëve, për kreun e Partisë së Lirisë Ilir Meta, po sjell pasoja në proceset e shumta gjyqësore që po shtyhen, përfshirë seancat në ngarkim të tij.

Bojkoti i avokatëve kundër rregullores censuruse që GJKKO nisi prej shtatorit, sipas Metës ishte paralajmëruar, dhe situata duhej të ishte parandaluar në kohë përmes dialogut dhe ndërhyrjes së Këshillit të Lartë Gjyqësor, Kuvendit të Shqipërisë dhe aktorëve të tjerë.

“Vendosja e avokatëve në një presion të dyfishtë si nga GJKKO edhe Dhoma Kombëtare e Avokatisë, cenon jo vetëm të drejtat e tyre, por drejtpërdrejt të drejtat thelbësore të qytetarëve të përfshirë në proceset penale. Ky konflikt i stisur dhe arbitraritet i shërben vetëm lojërave politike”, thekson Meta.

Avokatët janë gjobitur për mungesat në procese, dhe të paktën 4 prej tyre e kanë ankimuar masën, ndërsa në dy raste, kryebashkiakut Erjon Veliaj dhe kreut të Partisë Ilir Meta, i janë pezulluar edhe afatet e paraburgimit.

Postimi i plote i Ilir Metes

Konflikti absurd midis GJKKO Shkallë e Parë dhe Dhomës Kombëtare të Avokatisë ka sjellë anullimin dhe shtyrjen e gjykimit për dhjetëra çështje vetëm pranë GJKKO të Shkallës së Parë.

Kjo situatë absurde e paralajmëruar që në fund të korrikut duhej të ishte parandaluar me kohë si përmes dialogut, por edhe ndërhyrjes së Këshillit të Lartë Gjyqësor, Kuvendit të Shqipërisë dhe aktorëve të tjerë.

Përveç humbjeve të konsiderueshme financiare të shtetit dhe palëve të interesuara, ka sjellë edhe zvarritjen e proceseve gjyqësore, që është element i gjykimit të drejtë dhe të rregullt.

Vendosja e avokatëve në një presion të dyfishtë si nga GJKKO Shkallë e Parë edhe Dhoma Kombëtare e Avokatisë, cënon jo vetëm të drejtat e tyre, por drejtpërdrejt të drejtat thelbësore të qytetarëve të përfshirë në proceset penale.

Roli i avokatëve në funksion të procesit të rregullt ligjor është i pazëvendësueshëm.

Edhe në diktaturë ka patur gjyqtarë dhe prokurorë, por demokracia dhe shteti i së drejtës, dallon ndër të tjera nga diktatura se siguron të drejtën e mbrojtjes me avokat.

Ky konflikt i stisur dhe arbitraritet i shërben vetëm lojrave politike dhe minon besimin publik te drejtësia dhe sistemi gjyqësor.