Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, deputeti Tedi Blushi, në emër të PL-së i ka dërguar një kërkesë krerëve të grupeve të tjera parlamentare dhe deputetëve jashtë grupeve parlamentare për ndërhyrje të menjëhershme të Kuvendit të Shqipërisë për nxitjen e dialogut institucional me qëllim zgjidhjen urgjente të ngërçit ndërmjet Shkallës së Parë të GJKKO-së dhe Dhomës Kombëtare të Avokatisë.

Dhoma e Avokatisë ka vendosur bojkotimin e seancave gjyqësore në Gjykatën e Posaçme, në shenjë proteste ndaj rregullores së re të GJKKO-së, e cila censuron punën e mediave dhe vështirëson punën e avokatëve.

Në kërkesë, PL thekson se konflikti nuk mund të konsiderohet më një mosmarrëveshje që i përket ekskluzivisht marrëdhënies ndërmjet dy palëve.

Sipas Partisë së Lirisë, bojkoti i avokatëve dhe pasojat që kanë rrjedhur prej tij kanë sjellë shtyrjen ose moszhvillimin e seancave gjyqësore, përfshirë seancat që lidhen me caktimin, shqyrtimin dhe vijimin e masave të sigurimit personal.

Partia e Lirisë merr si shembull konkret rastin e ish-Presidentit Ilir Meta, i cili ndodhet në qeli që prej tetorit të vitit 2024. Duke e cilësuar situatën si alarmante, PL thekson se ndërkohë që procesi gjyqësor ndaj tij vijon, seancat janë shtyrë në kontekstin e konfliktit ndërmjet GJKKO-së dhe Dhomës Kombëtare të Avokatisë, ndërsa afatet e paraburgimit janë pezulluar.

Sipas PL-së, kjo e bën rastin konkret një shembull veçanërisht serioz të pasojave shumë të rënda që një konflikt institucional mund të prodhojë mbi lirinë personale të një individi.

PL kërkon nga Kuvendi që të verifikojë është nëse duhet të rëndojë mbi një të paraburgosur barra e një konflikti institucional ndërmjet gjykatës dhe avokatëve, duke sjellë shtyrjen e procesit dhe zgjatjen e periudhës së privimit të lirisë.

Për këtë arsye, sipas PL-së çështja nuk duhet të trajtohet nga Kuvendi në funksion të mbështetjes së njërës apo tjetrës palë. Objekti i angazhimit parlamentar, thotë PL, duhet të jetë mbrojtja e parimeve kushtetuese dhe parandalimi i pasojave të mëtejshme shumë të rënda mbi të drejtat dhe liritë themelore.

PL ka kërkuar nga përfaqësuesit e grupeve parlamentare dhe partive politike në Kuvend:

 1. Të nxisni trajtimin me urgjencë të kësaj çështjeje nga komisionet parlamentare përgjegjëse, në përputhje me kompetencat e tyre kushtetuese dhe rregullatore.

2. Të kërkohet informacion i plotë, konkret dhe i dokumentuar mbi pasojat e konfliktit dhe të bojkotit, përfshirë numrin dhe natyrën e seancave të shtyra apo të pamundësuara, veçanërisht ato që lidhen me masat e sigurimit personal.

3. Të verifikohet nëse dhe në çfarë mase vonesat e shkaktuara nga kjo situatë kanë ndikuar në kohëzgjatjen faktike të paraburgimit dhe nëse pezullimi i afateve të paraburgimit në këto rrethana është në përputhje me kërkesat e Kushtetutës, Kodit të Procedurës Penale dhe KEDNJ-së.

4. Të kërkohet informacion i posaçëm mbi rastin e Z.Ilir Meta, duke pasur parasysh se ai ndodhet në paraburgim prej tetorit 2024 dhe se procesi i tij po përballet me shtyrje të përsëritura në kontekstin e konfliktit ndërmjet GJKKO-së dhe Dhomës Kombëtare të Avokatisë.

5. Të kërkohen shpjegime nga institucionet përkatëse mbi masat e marra për të garantuar vijueshmërinë e proceseve dhe respektimin e të drejtave procedurale, pa cenuar pavarësinë e pushtetit gjyqësor.

6. Të nxitet dialogu institucional për tejkalimin e konfliktit, me synim që asnjë mosmarrëveshje ndërmjet GJKKO-së së Shkallës së Parë dhe Dhomës Kombëtare të Avokatisë të vijojë të prodhojë pasoja mbi administrimin e drejtësisë penale dhe lirinë personale të individëve.

Kliko këtu per të lexuar dokumentin e plotë