TIRANË- Bojkotit të avokatëve në seancat gjyqësore pas rregullores së re që u ndalon përdorimin e celularëve, Gjykata e Posaçme iu është përgjigjur duke i ndëshkuar me gjoba. GJKKO e ka bërë të qartë që nuk do të tërhiqet nga rregullorja e re censuruese dhe në një përgjigje të kthyer avokatëve vetëm 4 ditë më parë u kishte kërkuar që të zbatojnë rregulloren ose në të kundërt të ndjekin rrugët ligjore.

Gjobat u vendosën gjatë procesit ndaj Lulzim Berishës, Emiljano Shullazit dhe të pandehurve të tjerë për vrasjet e vitit 2005 të Vajdin Lamajt dhe Klodian Saliut, në një seancë ku SPAK pritej të lexonte pretencën. Në zbatim të vendimit të Dhomës Kombëtare të Avokatisë për bojkot pa afat, avokatët e të pandehurve qëndruan në pjesën e sallës së rezervuar për publikun, në vend që të merrnin pjesë në proces si mbrojtës.

Trupa gjykuese, e drejtuar nga gjyqtarja Flora Hajredinaj, gjobiti me nga 50 mijë lekë (të rinj) mbi 10 avokatë, si të zgjedhur nga të pandehurit, ashtu edhe të caktuar kryesisht.

Në përgjigjen që u dërgoi avokatëve, GJKKO pretendon se ndalimi i telefonave celularë në sallën e gjyqit zbatohet për të gjitha palët dhe nuk pengon mbrojtjen, pasi avokatët mund të përdorin laptopët për të konsultuar dosjen elektronike, aktet dhe provat.

Nga ana tjetër, kreu i Dhomës së Avokatisë, Maksim Haxhia, e cilëson ndalimin cenim të ushtrimit të profesionit dhe paralajmëron se çështja mund të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese. Avokatët kanë paralajmëruar përshkallëzim deri të bojkotit edhe te seancat për masat e sigurisë, të cilat deri më tani janë zhvilluar normalisht.

Edhe gazetarët në shenjë kundërshtie ndaj kësaj rregulloreje, që përveç kamerave, i ndaloi edhe futjen në seancë me celular, i vetmi mjet pune për të përcjellë informacionin në kohë reale për qytetarët, nuk janë akredituar në GJKKO.