Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, i është drejtuar me një kërkesë zyrtare kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, kreut të Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, dhe kreut të Komisionit për Mbikëqyrjen Institucionale, Fatmir Xhafaj, duke kërkuar ndërhyrjen e Parlamentit për zgjidhjen e konfliktit mes GJKKO-së dhe Dhomës Kombëtare të Avokatisë.

Kërkesa vjen pas vendimit të avokatëve për ta shtrirë bojkotin edhe te seancat për masat e sigurisë. Blushi argumenton se përplasja nuk është më vetëm një mosmarrëveshje administrative, pasi sipas tij rrezikon zhvillimin normal të proceseve penale, respektimin e afateve procedurale dhe të drejtën e mbrojtjes.

Deputeti i PL-së kërkon thirrjen urgjente të një seance dëgjimore me përfaqësues të GJKKO-së, Dhomës së Avokatisë, KLGJ-së dhe institucioneve të tjera, si dhe nxitjen e dialogut për t'i dhënë fund ngërçit.

Pjesë nga kërkesa e Tedi Blushit

Kërkoj nga Kryetari i Kuvendit që, në përputhje me kompetencat e Kuvendit dhe Rregulloren e tij, të mundësojë trajtimin me urgjencë të kësaj çështjeje në komisionet përgjegjëse dhe veçanërisht:

1.     Thirrjen urgjente të një seance dëgjimore të Komisionit për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike dhe të Komisionit për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të GJKKO së Shkallës së Parë, Dhomës Kombëtare të Avokatisë, Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe institucioneve të tjera  që vlerësohen të nevojshme;

2.    Kërkimin e informacionit dhe shpjegimeve të plota mbi shkaqet e krijimit të këtij ngërçi, efektet e tij konkrete mbi proceset gjyqësore dhe masat e marra nga secili prej institucioneve për parandalimin e pasojave mbi të drejtën e mbrojtjes dhe procesin e rregullt ligjor;

3.    Nxitjen e një dialogu të drejtpërdrejtë institucional ndërmjet GJKKO-së dhe Dhomës Kombëtare të Avokatisë, me synim gjetjen e një zgjidhjeje të menjëhershme dhe të qëndrueshme, pa cenuar pavarësinë e gjyqësorit dhe kompetencat e organeve të avokatisë;

4.    Vlerësimin e përputhshmërisë së kuadrit rregullator dhe praktikave të zbatuara me legjislacionin në fuqi dhe standardet e procesit të rregullt ligjor, veçanërisht për sa i përket ushtrimit efektiv të funksionit të mbrojtjes;

Në përfundim të shqyrtimit, hartimin e një raporti dhe, nëse vlerësohet e nevojshme, propozimin e masave përkatëse institucionale ose legjislative, me qëllim parandalimin e përsëritjes së situatave të ngjashme.

Kuvendi nuk mund dhe nuk duhet të zëvendësojë gjykatat apo të ndërhyjë në vendimmarrjen gjyqësore. Por ai ka detyrimin kushtetues dhe parlamentar të ushtrojë kontrollin që i takon dhe të nxisë dialogun institucional kur një përplasje ndërmjet aktorëve të sistemit të drejtësisë rrezikon të cenojë funksionimin normal të tij dhe garantimin e të drejtave procedurale.

Në këto kushte, mbizotërimi i parimit të procesit të rregullt ligjor duhet të jetë kriteri udhëheqës për tejkalimin e këtij ngërçi. Çdo mosmarrëveshje institucionale duhet të zgjidhet përmes dialogut, proporcionalitetit dhe respektimit të kompetencave reciproke dhe nuk mund të lejohet të shndërrohet në një pengesë për funksionimin e drejtësisë penale.

Për këtë arsye, kërkoj që kjo çështje të trajtohet me urgjencë të veçantë parlamentare, përpara se pasojat e saj të bëhen edhe më të rënda dhe të prekin në mënyrë të pakthyeshme të drejtat e personave që janë aktualisht pjesë e proceseve penale.


Lajmi kryesor:

Rregullorja e GJKKO/ Avokatët përshkallëzojnë bojkotin: Nuk shkojmë as në seancat për masat e sigurisë! Të arrestuarit lirohen nëse nuk dalin në gjykatë brenda 72 orëve