Bojkoti i PD për zgjedhjet, Gjosha
si Meta: Palët të dialogojnë

Bojkoti i PD për zgjedhjet, Gjosha<br />si Meta: Palët të dialogojnë
Ashtu si Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, edhe Ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha, përfaqësuese e LSI në qeveri, është e mendimit se ngërçi politik i krijuar mes mazhorancës dhe opozitës duhet të zgjidhet përmes dialogut.
 
Gjatë një interviste për Report tv, Klajda Gjosha, e pyetur nëse e ka menduar LSI të mos hyjë në zgjedhje në rast bojkoti të PD, u shpreh se forca politike ku aderon synon të arrihet ende një marrëveshje mes palëve për të shmangur këtë krizë ekstreme.
 
"LSI nuk e mendon këtë. LSI mendon se duhet gjetur një zgjidhje me patjetër si me opozitën ashtu edhe më një pjesë tjetër të mazhorancës në mënyrë që vendi të ketë stabilitetin e duhur dhe kjo besoj se është në interes të të gjithëve ne dhe të çdo qytetari", u shpreh Gjosha.
 
Ministrja e Integrimit sqaron gjithashtu se në zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit do të jetë deputete në Tiranë.
 
"Jam e vendisur pranë njësisë bashkiake nr.1 dhe jam duke punuar shumë me strukturat atje", thotë Gjosha, ndërsa duke iu referuar pritshmërive eleitorale të LSI-së në 18 qershor thotë se fjala e fundit u takon qytetarëve me votë.
 
Gjosha sqaron gjithashtu për Report Tv deklaratën e saj në Pogradec se Ilir Meta do të jetë kryeministër pas zgjedhjeve të 18 qershorit.
 
"Nuk e di pse duhet të bënte bujë një deklaratë e tillë sepse nuk dhashë ndonjë deklaratë për shtyp as nga Ministria e Integrimit dhe as zyrtare. Kur jemi me elektoratin të gjithë ne shpresojmë për kryetarin tonë për të qenë në krye. Por kjo nuk do të thotë se është diçka zyrtare, apo një vendim për të bërë Ilir Metën kryeministër", sqaron ministrja e Integrimit.
 
Zërat për prishje koalicioni nuk janë të verteta, pasi marrëveshjes me PS, LSI do t'i qëndrojë deri ditën e fundit me fanatizëm, konfirmon ministrja.
 
"Ne jemi në koalicion dhe jemi munduar, me fanatizëm do të thoja unë, që të respektojmë çdo pikë të kontratës të cilën ne e kemi ende në vazhdimësi me Partinë Socialiste do ta bëjmë këtë deri në fund. Kështu që mendoj se nuk është momenti për të diskutuar për koalicionin. Padyshim që në ditët, në javët në vazhdim do të jetë një temë diskutimi, por në këto momente ne jemi shumë të fokusuar tek puna e përbashkët që kemi me Partinë Socialiste", deklaroi Klajda Gjosha.
 
Ndërkohë në kuadër të punës së saj të përditshme, Gjosha shpreson që krizës politike me Vettingun, t'i ketë ardhur fundi deri në shtator, kur Brukseli do të flasë me raportin e ndërmjetëm.

Intervista e plotë e Klajda Gjoshës për Report TV

Znj. Ministre mesa tha dhe Avokati i Popullit procesi i vettingut është një proces i cili do të zgjasë. Vetëm 40 vetë kanë paraqitur interes për tu bërë pjesë e garës sërish. Me shtyrjen e afateve gjasat janë që vettingu të mbesë pas zgjedhjeve të 18 qershorit...
Procesi i vettingut është tepër teknik dhe i takon teknicienëve dhe atyre personave që janë marrë me procesin e drejtësisë, me sistemin e drejtësisë të shikojnë të gjitha mundësitë për të zhbllokuar procesin e vettingut. Në rradhë të parëky proces i përket të gjithë qytetarëve shqiptarë pasi është kyçi i fillimit të implementimit të reformës në drejtësi dhe njëkohësisht është një nga kushtet kryesore që ne kemi dhe për procesin e integrimit.
Në këtë këndvështrim patjetër që për ne është një prioritet, ka qenë prioritet i politikës dhe këtë ne e kemi treguar edhe me votën tonë,  edhe me vullnetin që politika kishte për të miratuar reformën në drejtësi dhe më pas ligjet që shoqëronin atë.
Është me shumë rëndësi që procesi të jetë shumë transparent, të jetë në vijën ligjore në mënyrë që të mos jetë i kontestueshëm dhe të sigurojë vazhdimësi dhe legjitimitet deri në fund të këtij procesi, ashtu sikundër e kemi përsëritur edhe disa herë, vettingu nuk është një proces që do të ndodh brenda një ditë apo një jave, është një proces që do të zgjasë me vite. E rëndësishme është që ne ti përmbahemi të gjithave afateve ligjore siç i ka parashikuar ligji dhe kushtetuta.
 
Në këto kushte krize ç’ndodh në sy të ndërkombëtarëve dhe ç’ ndodh me negociatat nëse vettingu shtyhet pas zgjedhjeve?
Ne do të dëshironim shumë që procesi i vettingut të vazhdonte për të treguar vendosmërinë tonë, por ndërkohë, dhe të prodhonte rezultatet e para, sepse kjo është ajo që pret Komisioni Europian, që të prodhojë një raport të ndërmjetëm për Shqipërinë dhe njëkohësisht dhe vendet anëtare të cilat duan të shohin rezultatet më të para që mund të prodhojë  i gjithë ky proces.
Të shpresojmë deri në shtator, tetor të cilët janë edhe muajt ku Shqipëria do të jetë e detyruar të paraqesë dhe një raport sesi ka qenë ecuria e reformës në drejtësi dhe e procesit të vettingut. Deri atëherë ne të kemi realisht diçka për ti treguar vendeve anëtare, mos të harrojmë që janë taksapaguesit europian ata që kanë dhënë taksa nga vendet e tyre, familjet e tyre për t’ iu përkushtuar sistemit të drejtësisë në Shqipëri. Pra ne kemi një detyrë shumë të madhe që duhet ta vendosim në vijimësi.
 
Pyetja ime ishte a do të jetë LSI e gatshme t'i zhvillojë proceset zgjedhore, qoftë të Kavajës në maj, apo të përgjithshmet në qershor pa PD?
LSI është e gatshme për dialog, për të qenë konstruktiv me të gjitha palët politike, dhe ajo çfarë është më e rëndësishme, LSI është e gatshme që vendi të ketë stabilitet në mënyrë që të ketë një demokraci funksionale sepse nëse opozita dhe mazhoranca nuk punojnë për të njëjtin drejtim, prioritet, për qytetarët, kuptohet që dhe demokracia e vendit vihet në rrezik.
Prandaj LSI është gjithmonë këtu për të dialoguar dhe për të qenë konstruktiv me të gjitha palët. Nëse ne gjejmë një mënyrë dialogu unë kam bindjen që gjithmonë ka një zgjidhje, mjafton të ulemi pranë njëri tjetrit për të disktuar të gjithë këto problematika.
 
E ka menduar ndonjëherë LSI të mos hyjë në zgjedhje nëse PD nuk merr pjesë?
LSI nuk e mendon këtë, mendon që duhet gjetur një zgjidhje patjetër, si me opozitën ashtu edhe me një pjesë tjetër të mazhorancës në mënyrë që vendi të ketë stabilitetin e duhur qëështë në interes të të gjithëve ne dhe çdo qytetari.
 
Ju sipas pritshmërive ku do të jeni deputete?
 Unë për momentin jam e vendosur pranë njësisë bashkiake numër 1, njësisë administrative numër 1, dhe jam duke punuar shumë bashkë me strukturat atje.
Patjetër që unë jam dhe Kryetare e Forumit të Gruas së LSI dhe ne kemi kryer disa takime në të gjithë Shqipërinë sepse këtë rradhë LSI ka një slogan që i drejtohet edhe grave, është një shans për gruan, një shans për familjet e tyre, një shans për çdo qytetar që do të dojë të kontribuojë në të mirë të vendit tonë.
 
Bëri bujë deklarata juaj se Ilir Meta do të ishte Kryeministër në zgjedhjet e ardhshme, me entuziazëm iu drejtuat grave. Vazhdoni të keni ende këtë shpresë?
Unë nuk e di përse duhet të bënte bujë një deklaratë e tillë sepse unë nuk dhashë ndonjë deklaratë për shtyp as nga Ministria e Integrimit as zyrtare.
Patjetër që kur ne jemi me elektoratin, të gjithë ne shpresojmë për kryetarin tonë për të qenë në krye, por nuk do të thotë që kjo është diçka zyrtare apo që ne kemi marrë një vendim për të bërë Ilir Metën Kryeministër.
Kur flitet me elektoratin patjetër që shpresa është aty, flasim shumë sinqerisht me to për të gjithë programin e LSI, vizionin që ne mund ti ofrojmë grave apo edhe më tej, sepse është e gjithë LSI-ja. Në krye ne kemi dhe rininë ku shumë diskutime dhe takime bëhen edhe me ta. E rëndësishme është që programi ynë të vihet në zbatim dhe më e mira ti jepet qyetarëve. Pjesa tjetër pastaj janë numra politik, diskutime të tëra që vihen në vijimësi.
 
LSI si e sheh veten pas 18 qershorit forcë e parë, e dytë, e tretë?
Ne nuk kemi menduar për renditje, edhe sikur të kemi dëshirat tona atë e vendos populli shqiptar me votë në 18 qershor. Ajo që ne na takon është të zgjidhim problemet e çdo qytetari, të qëndrojmë pranë tyre nëçdo moment, të mendojmë për një vizion i cili nuk është vetëm sot për nesër por që i jep atyre një të ardhme të sigurt në Shqipëri, kjo është detyra e çdo politikani.
 
Ndërkohë me PS, pa PS apo duhet të presim deri në 1 prill?
 
Ne jemi në koalicion, jemi munduar me fanatizëm gjithmonë të ruajmëçdo pikë të kontratës që ne e kemi ende në vazhdimësi me PS dhe do ta bëjmë këtë deri në fund. Kështu që mendoj se nuk është momenti për të dikutuar për koalicionin, i cili patjetër ditët në vijim, javët në vijim do të jetë një temë diskutimi, por në këto momente ne jemi shumë të fokusuar tek puna e përbashkët që kemi me PS.

  • Sondazhi i ditës:

    Ngjarja në Pogradec, jeni dakord me akuzën si vrasje nga pakujdesia?



×

Lajmi i fundit

OBSH shpall sërish linë e majmunëve si emergjencë globale për shëndetin publik

OBSH shpall sërish linë e majmunëve si emergjencë globale për shëndetin publik