PRISHTINË - Boksieri shqiptar nga Kosova, që ka nënshtetësi gjermane, Haxhi (Robin) Krasniqi, shënoi fitore në arenën sportive në Mynih kundër polakut, Dariusz Sek duke hapur rrugën për titullin botëror.
Krasniqi ka arritur që për mrekulli t'i mbrojë titujt që zotëron në WBA Continental dhe WBO International, ndërsa kjo fitore, tani i hap rrugën për të luftuar për titullin e botës në WBA, raporton media kosovare.
Gjatë 12 raundeve, i përkrahur nga publiku ku kishte edhe shumë shqiptarë, boskieri junikas Krasniqi u tregua më i mirë se polaku dhe fitoi me vendim unanim të gjyqtarëve, 115:113, 116:112, 116:112.
Haxhiu tani do ta ketë duelin e radhës kundër Jurgen Brahmer (WBA) ose Sergey Kovalev (WBO) dhe synimi i tij është titulli i kampionit botëror.
"Faleminderit shumë për përkrahjen", u shpreh sportisti shqiptar në deklaratën pas fitores.Krasniqi arriti fitoren e 43-të nga 46 ndeshjet e zhvilluara deri tani.
Boksieri nga Juniku, qytezë kosovare afër kufirit me Shqipërinë, është uruar nga zv/kryeministri e ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.
"Junikasi ynë dhe boksieri numër dy në kategorinë gjysmë të rëndë, Haxhi Krasniqi, i mbrojti sot në Mynih, titujt e tij WBA Continental dhe WBO Continental pas fitores ndaj polakut Dariusz Sek.
Urime të përzemërta Haxhiut, të gjithë shqiptarëve kudo që janë për sukseset e pareshtura të kampionit tonë. Me hapa të sigurtë drejt titullit të kampionit të botës", është shprehur Thaçi.
"Haxhi Krasniqi, ashtu si dhe shumë sportistë të tjerë të njohur, po i bën nder Kosovës dhe kombit tonë në botë. Duke shpresuar fuqishëm në sukseset e tij të radhës, i dëshiroj shëndet dhe punë të mbarë. Urime dhe suksese!", shprehet Haradinaj. /ATSH/