Kampioni Evropian në kategorinë "Cruiser" (90kg) Nuri Seferi do të rikthehet në ring me datë 11 Maj 2012, pas një pauze mbi 7 muaj. Pas duelit të tij me 24 Shtator 2011 në Maqedoni Nuriu ishte i detyruar t´i nënshtrohej një operacioni të komplikuar, madje lufta e tij ka qenë shumë e rrezikshme për shëndetin.

Nuriu kishte luftuar 6 vite me një tumor në këmbë, por tani është larguar tumori, këmba i është forcuar mirë, ka disa javë që Nuriu ka filluar me stervitje të lehta dhe shkon gradualisht duke e ngritur intensitetin e tyre.

Lufta e tij e ardhshme në të cilën do ta mbron titullin për herë të tretë është caktuar për datën 11 Maj 2012 në EWS Arena të qytetit gjerman Goeppingen, kundërshtari i Nuriut akoma nuk është bërë i njohur nga kompania promovuese EC Boxpromotion. Ata tani janë në bisedime me organizaten botërore të boksit WBO dhe do të gjejn së shpejti një kundërshtarë për mbrojtjen e titullit Evropian.

" Kam kaluar disa muaj të vështirë, por jam përpjekur që mos të largohem shumë nga stërvitjet dhe kam qen vazhdimisht në palestër, tani mezi po e pres të ngjitem në ring dhe jam i lumtur që do të mbroj titullin evropian në një vend të madh sic është Gjermania " tha Nuri Seferi.