Bollano: Rregjimet shqiptare
punojnë kundër minoritetit

Bollano: Rregjimet shqiptare<br />punojnë kundër minoritetit
TIRANE- Presidenti i OMONIA-s Vasilis Bollanos, siç ai e shkruan emrin, ka kërkuar mbështetjen e qeverisë greke mbi ndarjen territoriale në Shqipëri. Me anë të një letre ai ka njoftuar me tone të nxehta kryeministrin Samaras dhe ministrin e Jashtëm Venizelos.

Gjatë shkresës Bollanos shprehet se në të shkuarën ka pasur një mungesë të politikës serioze nga qeveria greke. Madje ai shton se kjo është shfrytëzuar nga, ajo që ai i quan, regjimet shqiptare. Po ashtu Bollano nuk nguron të ngrejë dhe tezën e përkatësisë fetare si ndarje mes komuniteteve. Për të qeveria shqiptare ka ndjekur politika të tilla që kanë ndryshuar karakterin kombëtar të Sarandës, Korçës, Gjirokastrës, Delvinës etj.

faksimile bollano
(Në foto: Faksimile e shkresës së Bollanos)

Ankesa
“Na shqetësojnë veçanërisht, sepse ato synojnë të bëjnë bashkim administrativ të zonave ku jeton minoriteti kombëtar grek, me zona ku banojnë shqiptarë myslimanë”, shprehet Bollano në shkresën e nisur drejt Greqisë. Ndërsa nënvizon se të gjitha opsionet ia ka bërë të ditur dhe qeverisë shqiptare si dhe ambasadorëve të akredituar në Tiranë. Sipas tij, me metoda të përafërta, në vitet e mëparshme, regjimet shqiptare, duke shfrytëzuar mungesën e një politike serioze kombëtare nga ana e Greqisë: “Ia kanë arritur që të ndryshojnë karakterin kombëtar të qyteteve si: Saranda, Gjirokastra, Delvina, Korça etj”.

Sipas tij, e vetmja zonë qytetare, e cila ka një popullsi dërrmuese me origjinë greke është Himara. Por ai vëren se vetë ndarja e re administrative ka si synim ndryshimin e përkatësisë së komunitetit që jeton aty. “Për këtë arsye objektivi kryesor i ndarjes së re administrative të Shqipërisë është ndryshimi i karakterit kombëtar të kësaj zone. Dhe kjo ka për të ndodhur në rast se miratohet një nga katër variantet që synohet nga shqiptarët”, shprehet Bollano në shkresën e nisur.

Kërkesa
Në atë që Bollano e quan plan kundër Himarës, është përfshirë edhe media shqiptare. “Të gjitha këto plane që po thuren zbulojnë dëshirat e shtetit shqiptar dhe regjimit ekonomik e mediatik shqiptar përballë minoritetit kombëtar grek, edhe në këtë periudhë kur me mbështetjen e plotë të Greqisë, Shqipëria po bëhet gati të marrë statusin e kandidatit në Bashkimin Evropian”, thotë ai. Gjithsesi OMONIA nuk ka mendimin për të mos realizuar ndarjen e re administrative.

Por është dakord që të miratohet varianti i pestë, ku Himara qëndron me Lukovën, si dhe mbetet më vetë Libohova. “Ky variant parashikon krijimin e bashkisë së Himarës, duke shkrirë zonën aktuale ku shtrihet bashkia e Himarës, me komunën e Lukovës. Kjo përbën një zgjidhje të mjaftueshme, e cila përmbush kriteret e duhura dhe jep garanci për një zhvillim sipas politikave që mbështeten në parimet bazike evropiane për vetëqeverisjen lokale”, thekson Bollano.

tabela

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 13 qershor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)    

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria çel negociatat për kapitullin e parë, integrohemi brenda 2030?



×

Lajmi i fundit

Hapen negociatat për grup kapitullin e parë, Alban Daci: Sot ndër datat më të rëndësishme për shqiptarët! Anëtarësimi në BE brenda 2030, i mundur

Hapen negociatat për grup kapitullin e parë, Alban Daci: Sot ndër datat më të rëndësishme për shqiptarët! Anëtarësimi në BE brenda 2030, i mundur