Katërqind mijë dollarë bonus. Për secilin. Për punëtorët e divizionit të çipave të Samsung Electronics. Janë kompensime shtesë të destinuara për dhjetëra mijëra teknikë dhe punëtorë të specializuar të një fabrike gjysmëpërçuesish në Korenë e Jugut.

Samsung nuk e hapi portofolin nga bujaria. E bëri për të shmangur që 48 mijë punëtorë të ndalonin punën për 18 ditë rresht në një nga momentet më delikate dhe më fitimprurëse të historisë së kompanisw. Marrëveshja paraprake u arrit më 20 maj, vetëm pak orë para fillimit të grevës, pasi ministri i Punës i Koresë së Jugut, Kim Young-hoon, ndërhyri si ndërmjetës në raundin e fundit të negociatave. Punëtorët e ratifikuan sot, më 27 maj, me 73.7% të votave. Samsung, nga ana tjetër, përfaqëson 12.5% të PBB-së së Koresë së Jugut. Asnjë qeveri nuk mund të rrinte duarkryq.

Detajet e marrëveshjes

Samsung është angazhuar të alokojë 10.5% të fitimit operacional të divizionit të gjysmëpërçuesve në një fond të posaçëm bonusesh për punëtorët e sektorit DS (Device Solutions). Bonusi do të jepet në aksione, me një të tretën të likuidueshme dhe dy të tretat e mbetura të bllokuara respektivisht për një dhe dy vite. Gjithashtu është hequr tavani që kufizonte bonuset në 50% të pagës vjetore.

Marrëveshja vlen për dhjetë vite, me pragje minimale të fitimit operacional: të paktën 200 trilionë won në tre vitet e ardhshme, të ulura në 100 trilionë won për periudhën 2029–2035. Shtuar me 1.5% që parashikohej tashmë nga mekanizmat ekzistues, totali e çon në 12% pjesën e fitimit të shpërndarë për punëtorët.

Pse Samsung u dorëzua

Lëshimi nuk është një akt madhështie korporative. Është rezultat i një presioni të saktë, i ushqyer nga një përballje e drejtpërdrejtë me konkurrentin kryesor. Punëtorët e Samsung ishin të zemëruar për diferencën në bonuse krahasuar me rivalin SK Hynix, dhe sipas sindikatës po largoheshin nga kompania për të punuar tek konkurrenca. SK Hynix kishte arritur tashmë një marrëveshje të ngjashme, 10% e fitimeve operative në bonuse për dhjetë vite dhe punonjësit e saj po merrnin kompensime shumë më të larta.

Momenti nuk mund të ishte më i keq për Samsung. Në tremujorin e parë të vitit 2026 fitimi operacional u rrit më shumë se tetë herë, duke arritur në 57.2 trilionë won (rreth 41.7 miliardë dollarë), ndërsa të ardhurat u rritën në një rekord prej 133.9 trilionë won (97.7 miliardë dollarë). Fitimi i vetëm një tremujori tejkaloi të gjithë fitimin operacional të vitit 2025.

Në qendër të këtij shpërthimi rezultatesh janë çipat HBM (high-bandwidth memory), komponentët e specializuar që furnizojnë qendrat e tw dhwnave për inteligjencën artificiale. Refuzimi i një marrëveshjeje në një moment fitimesh rekord, ndërkohë që punonjësit ishin në grevë, do të kishte qenë politikisht i paqëndrueshëm.

Gara në bursë

E gjithë kjo po ndodh ndërsa Samsung ka arritur një prag simbolik: kapitalizimi i tregut ka kaluar një trilion dollarë, duke e bërë kompaninë e dytë aziatike pas TSMC që arrin këtë objektiv. Aktualisht kapitalizimi është rreth 1.270 trilionë dollarë, duke e vendosur Samsung në vendin e njëmbëdhjetë mes kompanive më të mëdha në botë. Aksioni, pas njoftimit të marrëveshjes paraprake, u rrit me 6% brenda një dite.

Rritja është pasojë direkte e bumit të Inteligjencës Artificiale. Samsung është prodhuesi më i madh në botë i DRAM dhe memories NAND, çipa që janë bërë infrastrukturë kritike për këdo që ndërton sisteme inteligjence artificiale. Kërkesa ka shpërthyer dhe bashkë me të edhe marzhet e fitimit.

Kritikat e aksionerëve që kërcënojnë me padi

Por bonusi ka hapur një çështje që shkon përtej shifrave. Marrëveshja thyen një normë të konsoliduar: punonjësit marrin një pjesë të fitimit operacional përpara se të paguhen taksat. Madje edhe aksionarët marrin dividentë nga fitimi neto, jo nga marzhi operacional. Vetë presidenti i Republikës, Lee Jae Myung, i konsideruar pranë kërkesave të punëtorëve, ka shprehur dyshime në Këshillin e Ministrave. Një grup aksionarësh ka njoftuar tashmë synimin për të paraqitur një padi ligjore, duke argumentuar se shpërndarja e një pjese fikse të fitimit operacional para taksave është në thelb një dividend i maskuar, i pa miratuar nga asambleja dhe potencialisht në kundërshtim me ligjin tregtar.

Precedenti i konkurrentit SK Hynix

Marrëveshja e Samsung është e dyta e këtij lloji në Korenë e Jugut, pas asaj të SK Hynix. Problemi për kompanitë është se vështirë se do të mbetet rasti i fundit. Janë tashmë të hapura mosmarrëveshje të ngjashme: punëtorët e Kakao po diskutojnë një formulë që parashikon shpërndarjen e 10% të fitimeve, ata të LG Uplus dhe HD Hyundai Heavy Industries kërkojnë madje 30%, ndërsa Samsung Biologics është përballur këtë muaj me pesë ditë greve me kërkesa të ngjashme.

Kufijtë e marrëveshjes

Marrëveshja e nënshkruar në Samsung prek punonjësit direkt të divizionit të çipave, jo punëtorët e divizioneve të tjera të gjigantit, të cilët do të marrin bonuse shumë më modeste dhe sidomos jo dhjetëra mijëra punonjësit e kompanive nënkontraktuese që punojnë çdo ditë në zinxhirin e Samsung, pa mbulim sindikal dhe pa pjesëmarrje në fitime.

Koreja e Jugut ka një treg tw dyfishtw pune: mbrojtje të fuqishme për ata që punojnë në konglomeratet e mëdha dhe kushte shumë më të pasigurta për ata që punojnë në sektorët ndihmës. Marrëveshja e sapo arritur nuk e ndryshon këtë strukturë, por e forcon atë./Corriere della Sera