Ylli Pata: Boomerang-u i “Ballos me Pranga” të Lulzim Bashës

Ylli Pata: Boomerang-u i “Ballos me Pranga” të Lulzim Bashës

Kreu i PD Lulzim Basha

Që prej vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Teatrin, Lulzim Basha dhe njerëzit e tij në kupolën e Partisë Demokratike kanë nxjerrë nga fjalori frazën “pranga”.

E bëri i pari Basha, e më pas e përsërisin me radhë vartësit e tij, duke urdhëruar SPAk që të arrestojë me radhë të gjithë udhëheqësit më të lartë të mazhorancës: Edi Ramën, Erion Veliajn e me radhë.

Ndërkohë, nga ana tjetër, është riaktivizuar edhe “qytetari digjital” e qarqet mediaike të opozitës po i bëjnë jehonë hetimeve apo edhe operacioneve të SPAK ndaj narkotrafikut.

Normalisht, duke bërë atë që kanë thënë e vepruar prej vitesh sapo dolën në opozitë.

Ka një gjë interesante në fjalorin e opozitës së Lulzim Bashës, i cili, siç thotë, në CV ka edhe një diplomë juridiku në xhep.

Kërkon pranga dhe urdhëron prokurorët të arrestojnë kundërshtarët e tij politikë, sa herë e sheh të arsyeshme për interesat politike të partisë së tij.

Basha dhe zyrtarët e tjerë të PD-së bëhen prokurorë sa hap e mbyll sytë, madje jo prokurorë normalë që hapin dosje dhe nisin hetime, por sikur të ishin prokurorë të viteve 1945-1947, të cilët kundërshtarët i shikojnë në burg apo pushkatim.

Nuk ka asnjë zgjidhje tjetër për ta: as gjykim në gjendje të lirë apo arrest shtëpie.

Veçse, sapo kemi të bëjmë me një fabul, ku drejtësia hyn në “oborrin e PD-së”, gjithçka ndryshon.

I akuzuari është menjëherë i pafajshëm edhe pse është kapur në kushte flagrance.

Doni raste? Le të kujtojmë rastin më të freskët tragjik të 21 prillit të shkuar, kur një anëtar i strukturave të Partisë Demokratike vrau me armë zjarri Pjerin Xhuvanin në Elbasan dhe plagosi të tjerë, një ndër ta edhe oficere e Policisë së Shtetit.

PD nuk kërkoi arrestimin të paktën “preventiv” të zyrtarit të saj, por e mbrojti, e justifikoi, e homologoi vrasjen, pra marrjen e jetës me shkelje të tjera penale që PD ja ngjiti viktimës që vrau me armë i punësuari i saj.

Nuk është politik? OK, vijmë tek vendimi i Departamentit Amerikan të Shtetit për shpalljen non grata të Sali Berishës për “korrupsion të rëndësishëm”, “minim të demokracisë” dhe “pengim të drejtësisë”.

Një akuzë e rëndë, shumë, shumë e rëndë, nga një institucion shumë prestigjoz dhe më shumë se serioz.

“Duke nënvizuar qëndrimin e z. Berisha, i cili pasi shpreh keqardhjen për vendimin dhe e konsideron atë pa asnjë bazë konkrete, bëj thirrje për transparencë të plotë mbi çdo fakt e dokument që ka lidhje me këtë vendim”,  tha Basha për vendimin e DASH.

Po mirë, përse këtë standard ai nuk e ka edhe për të tjerët?

Përse Basha dhe PD e njeh SPAK, sapo hetohen njerëz që kanë lidhje, apo PD mendon se ka lidhje me kundërshtarët e tij politike, apo i kërkon arrestimin e krerëve të PS kur i teket, por kur SPAK ka hetime për njerëz të saj PD, nuk e mban këtë qëndrim.

Madje PD e ka cilësuar SPAK, drejtësinë e re si një “mekanizëm në duart e Edi Ramës”.

Megjithatë, PD-ja, sa herë politikisht ka probleme me mazhorancën, e ka kthyer SPAK-un si portali “Shqipëriaqëduam”, ku ka depozituar një mal me fletërrufe që opozita i quan prova dhe denoncime juridike.

Në fakt, një parti politike në çdo vend të botës, kur bën një denoncim pret drejtësinë, madje të gjithë shkallët e saj dhe flet në fund, e jo sipas midesë.

Një parti politike nuk kërkon arrestime, por hetime, pasi është Gjykata që vendos masën e arrestit.

Nuk mund të jetë opozita një Gjykatë Paraprake, apo një gjyqtar dezhurn për të vendosur për masën e sigurisë. Një opozitë thjesht kërkon hetime, hapje dosjesh, e nëse kjo ndodh, atëherë drejtësia ka bërë rolin e saj.

Për çdo dosje ka proces, e pas një procesi ka një vendim. Të cilin politika duhet ta respektojë.

Kjo “ballo prangash” që ka shpërthyer në radhët e opozitës sapo është hequr ora policore për klubet e natës, duket si një shpërthim veror para vjeshtës, kur pritet jo thjesht të nisë stina e re politike në vend, e cila është vulosur më 25 prill, pra i ka dhënë mandatin e tretë PS-së, por sipas gjasave do të nisë një stinë edhe më e ftohtë për politikën që do të vijë nga SPAK.

A do ta luajë më “ballon e prangave” PD-ja dhe Lulzim Basha, nëse drejtësia do të hapë dosjet për njerëzit e saj?

Deri tani nuk e ka bërë kurrë. Qoftë edhe vetë personalisht Lulzim Basha me rastet që drejtësia shqiptare e ka vënë në procesverbal emrin e tij.

Sipas gjasave, kjo “ballo prangash” mund t’i qëllojë politikisht një bumerang, siç ka ndodhur tërë këto vite me kauzat e shpikura pikërisht që të pengojë drejtësinë…

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë