Ambasadorja e Kosovës në Izrael, Ines Demiri, ka inspektuar ecurinë e punimeve në ndërtimin e bazës logjistike “Endurance”, e cila do të shërbejë si një pikë kyçe për Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese (ISF).

Lajmi u bë i ditur nga Bordi i Paqes përmes një njoftimi në rrjetin social “X”, ku thuhet se objekti do të përdoret për furnizim, mirëmbajtje dhe riorganizim të forcave të angazhuara në operacionet e rimëkëmbjes dhe ndihmës humanitare.

“Ambasadorja e Kosovës, Ines Demiri, inspektoi ecurinë e punimeve në Bazën e Mbështetjes Logjistike ‘Endurance’, e cila do të shërbejë si një pikë kyçe për ISF-në për furnizim, mirëmbajtje dhe riorganizim gjatë mbështetjes së përpjekjeve për rimëkëmbje dhe ndihmë humanitare”, thuhet në njoftim.

Kosova iu bashkua zyrtarisht Bordit të Paqes në prill të këtij viti, pasi Kuvendi ratifikoi unanimisht marrëveshjen e anëtarësimit me 103 vota pro. Më herët gjatë vitit, presidentja Vjosa Osmani firmosi Kartën e Bordit të Paqes në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.

Pjesëmarrja në këtë nismë përfshin edhe angazhimin e Kosovës për të kontribuar me trupa në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese, e cila parashikohet të ndihmojë në rindërtimin dhe administrimin e Gazës pas konfliktit.