TIRANË-Me 84 vota pro, Kuvendi miratoi amnistinë penale, nga e cila do të përfitojnë 1335 të dënuar. Sipas pr.ligjit të miratuar me votat e Partisë Socialiste dhe ato të PSD-së, 466 persona do të lirohen menjëherë nga burgu, nga të cilët 11 janë gra dhe 1 i mitur. Ndërkohë, 869 të tjerët do të përfitojnë ulje dënimi, mes tyre 8 gra dhe 1 i mitur.

Nga amnistia do të përfitojnë burrat që deri më 31 maj 2026 janë dënuar me vendim të formës së prerë deri në 3 vite burg ose u kanë mbetur pa vuajtur deri në 3 vite dënim, si edhe gratë e dënuara deri në 4 vite burg ose të cilave u kanë mbetur pa vuajtur deri në 4 vite dënim. Asnjë nga subjektet e SPAK dhe GJKKO nuk do të përfitojnë ulje dënimi apo lirim nga qelia.

Kryeministri Edi Rama mbërriti në Kuvend pas gati 3 ore e gjysmë ndërprerje seance. Ai ngriti kartonin t’i dhënë dritën jeshile amnistisë penale, ndërsa në sallë u rishfaq edhe deputetja Elisa Spiropali, e cila dukshëm është distancuar që pas disa përplasjeve që ka pasur me kryesocialistin.

Sali Berisha dhe të tijtë e bojkotuan votimin e amnistisë dhe nuk shkuan në sallë kur po bëhej votimi i ligjeve në rend dite. Pasi bllokuan foltoren për gati 4 orë dhe nuk lejuan zhvillimin normal të seancës, Berisha e kishte paralajmëruar se nuk do ta votojnë amnistinë, pasi sipas tyre në rend dite duhej të ishin vetëm kërkesat e protestuesve.

“Nuk e votojmë amnistinë. S’kemi asgjë tjetër në rend përveç kërkesave të protestuesve. Rendi i ditës janë kërkesat e protestuesve”, tha Berisha më herët gjatë ditës.

Të vetmit deputetë në sallë, ishin ata të partisë “Mundësia” që hidhnin pa mikrofon akuza në drejtim të kryeministrit Edi Rama, duke i kërkuar dorëheqjen. Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi e përjashtoi Shehajn nga seanca.

“Vazhdoni në oborr me Tik-Tok-un tuaj. Te lulishtja”, i tha Peleshi-Shehajt ndërsa i njoftoi përjashtimin.

Shehaj nuk u largua nga salla, ndërsa u filmua në një moment edhe pranë foltores duke hedhur akuza në drejtim të shefit të qeverisë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:08
Kuvendi miratoi ligjin për amnistinë me 84 vota pro, Gogu: Ligj që mbron sigurinë publike dhe respekton reformën në drejtësi

1779353107_tonigogu.jpg

Kuvendi i Shqipërisë miratoi sot me 84 vota pro ligjin për dhënien e amnistisë.

Pas votimit, Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, reagoi përmes një postimi në rrjetet sociale, ku e cilësoi vendimin si një hap me ndikim konkret në jetën e mijëra qytetarëve.

“Mes zhurmës së politikës së ditës, Kuvendi mori sot një vendim me pasoja konkrete për jetën e mijëra qytetarëve”, shkruan ministri.

Sipas Gogu, ligji i miratuar synon të garantojë sigurinë publike, të respektojë reformën në drejtësi dhe, njëkohësisht, të krijojë mundësi rehabilitimi për personat që plotësojnë kriteret e përcaktuara nga ligji.

“Ky është një ligj që mbron sigurinë publike, respekton reformën në drejtësi dhe njëkohësisht krijon mundësinë e rehabilitimit për ata që plotësojnë kushtet e përcaktuara nga ligji”, thekson ai.

Ministri i Drejtësisë nënvizon se shteti duhet të dijë të ndëshkojë kur është e nevojshme, por edhe të njohë momentin kur ndëshkimi e ka përmbushur qëllimin e vet.

“Shteti duhet të dijë të ndëshkojë kur është e nevojshme. Por duhet të dijë edhe të njohë momentin kur ndëshkimi e ka përmbushur qëllimin e vet. Ky është kuptimi i vendimit të sotëm”, përfundon reagimi i ministrit.

Ora 19:37
Berisha mungoi në votimet për rendin e ditës, Salianji: Akt tradhtie ndaj demokratëve dhe opozitarëve! Po bën teatër politik

1780079847_ervinsalianji.jpeg

Foto: Ervin Salianji

Ervin Salianji ka reaguar për mungesën e opozitës e veçanërisht të Sali Berishës ku deputetë u mblodhën për të votuar rendin e ditës. Në një postim në rrjetet sociale, Salianji shprehet se Berisha kreu sot një tjetër akt tradhtie ndaj demokratëve dhe opozitarëve.

Ai nënvizon se kreu i PD po bën një teatër politik. Çdo ditë kërkon Ramën, por kur ky i fundit vjen ,Berisha braktis parlamentin.

“Sali Berisha kreu sot një tjetër akt tradhtie ndaj demokratëve dhe opozitarëve. Nuk është rastësi që gjithnjë e më shumë demokratë dhe qytetarë kërkojnë largimin e tij, duke e konsideruar pjesë të së njëjtës bashkëqeverisje me Edi Ramën. Në bashkëpunim me njëri tjetrin e kërkon Ramën me gjasme çdo ditë kur Rama mungon e ndërkohë që ai vjen në parlament, Berisha e braktis me një teatër që tani e kanë kuptuar të gjithë!

Në një moment kur qytetarët janë ngritur në këmbë kundër qeverisë dhe Shqipëria pret një përballje të fortë parlamentare me Ramën, Berisha zgjedh të bëjë teatër politik paradite, vetëm për t’i hapur rrugë dhe për të mos e vënë në vështirësi kryeministrin gjatë paraqitjes së tij në seancë.

Regjimi Rama–Berisha po i merr frymën demokracisë, po asgjëson opozitën reale dhe po bashkëqeveris në dëm të interesit publik. Shqiptarët meritojnë një alternativë të vërtetë, jo një konflikt të inskenuar që në fund i shërben mbajtjes së të njëjtit sistem në pushtet”, shkruan Salianji në rrjetet sociale.

Ora 19:06
Miratohet amnistia penale, Lamallari: Një lajm i shumëpritur për familjet shqiptare, përqafojmë mendësinë dhe vlerat evropiane

1781802488_Capture.JPG

Ministri i Brendshëm Besfort Lamallari e cilësoi miratimin në Kuvend të Amnistisë Penale një lajm të mirë për shumë familje shqiptare që do të kenë pranë njerëzit e tyre më të dashur, të cilëve do u jepet një mundësi e dytë përmes vullnetit të qeverisë shqiptare. 

“Miratimi sot në Kuvendin e Shqipërisë i amnistisë penale në vijim të hartimit dhe miratimit të saj në Këshillin e Ministrave në muajin janar të këtij viti është një lajm i mirë dhe i shumëpritur për shumë familje shqiptare, të cilat do të kenë pranë tyre njerëzit e dashur, përfshi kryefamiljarë, gra dhe të mitur, të cilët nga ky moment kanë nevojë më shumë për pranimin dhe mbështetjen nga shoqëria, pa gjykim dhe stigmatizim. Amnistia buron nga humanizmi dhe besimi i shoqërisë dhe institucioneve tek forca e ringritjes dhe kontributit të individit mbi një mundësi të dytë dhe jo ndëshkimit apo stigmatizimit të tij, e cila mishërohet përmes vullnetit të qeverisë shqiptare e udhëhequr nga vizioni për një politikë penale e cila duhet të shkëputet nga e shkuara me një natyrë thelbësisht represive dhe të përqafojë mendësinë dhe vlerat evropiane në një rrugëtim pa kthim të integrimit të vendit, qytetarëve dhe institucioneve shqiptare në gjirin e Evropës së bashkuar brenda 2030” shkroi Lamallari në rrjete sociale

Amnistia u miratua në Kuvend me 84 vota nga mazhoranca ndërsa deputetët e opozitës munguan në seancë. 

 

Ora 18:53
Rama në Kuvend, Shehaj nuk lejon procesin e votimit! Peleshi e përjashton: Vazhdoni në oborr me Tik-Tok-un tuaj

Agron Shehaj përjashtohet nga seanca plenare. Ai nuk lejoi zhvillimin e procesit të votimit, ndërsa në sallë ishte kryeministri Edi Rama, të cilit i kërkoi dorëheqjen.

“Vazhdoni në oborr me Tik-Tok-un tuaj. Te lulishtja”, i tha Peleshi-Shehajt ndërsa i njoftoi përjashtimin.

Ora 18:51
Kaosi në Kuvend/ Rinis seanca, Rama i pranishëm! Mungon opozita

Seanca plenare ka rinisur sërish pas një pushimi prej gati dy orësh.

Kryesocialisti Edi Rama është i pranishëm në sallë, teksa ajo që shihet është mungesa e opozitës.