Shqipëria do të nisë 4 oficerë shtabi në misionin ndërkombëtar në Gaza në kuadër të detyrimeve si vend anëtar në Bordin e Paqes, organizatës ndërkombëtare të themeluar nga Presidenti i SHBA-ve Donald Trump në janar të 2026-ës. Kjo organizatë synon ruajtjen e paqes globale dhe stabilizimin e situatës në Rripin e Gazës.

Vendimin e bëri të ditur ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi pas mbledhjes së qeverisë, ndërsa misionit shqiptar pritet t’i bashkohen edhe ushtarakë të tjerë

“Në përputhje edhe me mandantin e Këshillit të Sigurimit dhe Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese, Republika e Shqipërisë do të ketë një përfaqësi në Gaza, duke filluar fillimisht me 4 oficera Shtabi. Ky do të jetë angazhimi i Republikës së Shqipërisë dhe me vajtjen e këtyre 4 oficerave të Shtabit në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese, do të vlerësohet më pas edhe kush do të jetë niveli konkret i trupave që do dërgohen në Gaza, duke përfshirë këtu edhe vendodhjen konkrete ku këto trupa do të dislokohen", tha Nufi.

I pyetur për marrëveshjen e financimit 302 mln dollarë me SHBA-të dhe vendimin e Partisë Demokratike për ta çuar në Gjykatën Kushtetuese këtë marrëveshje, Nufi e cilësoi një gabim të madh strategjik.

Në pikun e temperaturave të larta dhe rrezikut të shtuar për zjarre, ministri Nufi tha se situata është në kontroll me 27 vatra zjarri të shuara deri më tani. Për çdo ushtar apo zjarrfikës të angazhuar në shuarjen e zjarreve qeveria shpërblimin me një pagën shtesë.

“Jam i bindur që ky shpërblim shkon në vendin e duhur, shpërblim i merituar për njerëzit e punës, për ata që janë në vijë të parë të frontit, përballen me zjarret dhe që garantojnë që situata të jetë nën kontroll, e menaxhuar dhe që gjithë pjesa e biznesit, jetës së qytetarëve është e sigurtë për sa kohë këta njerëz janë në vijë të parë të frontit. Ky shpërblim është një shpërblim i merituar. Qeveria ia jep të gjithë atyre, të cilët përballen drejtpërsëdrejti me zjarret, përballen në vijë të parë, në vijë të parë të frontit të gjithë emergjencave kudo në Republikën e Shqipërisë”, tha Nufi.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:30
PD çoi në Kushtetuese marrëveshjen me SHBA, Nufi: E papranueshme, çështjet e sigurisë kombëtare nuk duhet të kenë kah politik

1785399200_nufi.JPG

Të papranueshme e ka quajtur ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi vendimin e PD për të dërguar në Kushtetuese marrëveshjen e Shqipërisë me SHBA për blerjen e pajisjeve ushtarake. Nufi tha se nuk duhet të ketë krah politik për çështje të sigurisë kombëtare.

“Siguria kombëtare nuk është cështje debati politik. Unë di edhe në të kaluarën qëndrimet e Partisë Demokratike për këtë pikë kanë qenë shumë, e të dy palëve mund të ishin shumë më bashkëpunuese për këtë marrëveshje. Në këtë rast ky nuk është një sinjal i mirë. Përkundrazi, të atakohet një marrëveveshje që financon mbrojtjen është e papranueshme. Unë mendoj që kur vjen puna tek siguria kombëtare, nuk ka krah politik dhe sidomos kur vjen puna të marrëdhënia dhe marrëveshja që ne kemi me SHBA, nuk duhet të kemi krah politik. Fakti që kjo marrëveshje atakohet, për mendimin tim është e papranueshme, është gabim politikisht dhe mesazhet dhe sinjalet që përçojmë janë shumë të gabuara.

Marrëveshja është shumë e thjeshtë; financim nga SHBA për blerjen e sistemeve teknologjike apo ushtarake që lidhen me Ministrinë e Mbrojtjes. Ajo pagesë shkon përmes Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Mbrojtjes tek prodhuesit e sistemeve dhe këtu mbyllet historia.

Nuk ka asnjë cikël, është krejt transparente, krejt e pastër dhe e qartë. Fakti që detajet nuk bëhen publike, ato lidhen me çështjet e sigurisë kombëtare dhe nuk është vetëm për të kaluar radhën, por ky është fakt, është diçka e zakonshme dhe e kuptueshme në të gjitha vendet e botës”, tha Nufi.