/ATSH/.- Ambasadori i Mbretërisë së Holandës në Republikën e Kosovës, Robert Bosch, vlerëson se pritjet që Evropa t'i liberalizojë vizat për qytetarët e Kosovës brenda këtij viti janë joreale dhe se në rastin më optimist kjo mund të ndodhë në fillim të vitit 2016.
Në një intervistë për KosovaPress, Bosch theksoi se " qeveria kosovare duhet të arrijë shumë kushte, sidomos në aspektin e sundimit të ligjit. E di që ministri Çollaku ka thënë se kjo do të ndodhë deri në fund të verës, le të shohim nëse kjo do të ndodhë, sepse ka ende punë për t'u bërë në Komisionin Evropian. Ata do ta shikojnë këtë proces për të parë se sa ka përparuar dhe në këtë rast do të shohin - nëse janë të kënaqur do të raportojnë në Bashkimin Evropian dhe në Këshillin e Evropës dhe në fund, pas Këshillit, në Parlamentin Evropian. Mirëpo, nuk mendoj se kjo do të ndodhë deri në fund të këtij viti. Mirëpo, siç thashë, për arsye politike kjo ikje e njerëzve ka pasur ndikim negative, prandaj në Parlament, ku njerëzit vijnë përmes votës, kjo mund të bëhet më e vështirë . Prandaj ikja e njerëzve e ka bërë më të vështirë për ata që kanë qëndruar dhe nuk kanë ikur. Nuk mendoj që është reale të presim këtë vit. Më e mira e mundshme do të ishte në fillim të vitit të ardhshëm".
Duke folur për Gjykatën Speciale thekson se "kjo ide është diskutuar dhe ka qenë një vëzhgues holandez, por nuk ka asgjë më shumë se kaq, sepse ne jemi duke pritur që të përfundojë procesi. Gjykata duhet të jetë diku dhe ne kemi thënë - në rregull, e pranojmë. Nëse askush tjetër nuk e do, ne mund ta kemi. Sepse ne e konsiderojmë se pas Tribunalit Ndërkombëtar të Hagës, ne tashmë kemi shumë gjyqe dhe një më shumë një më pak nuk çon peshë. Për këtë arsye ne kemi thënë që është në rregull. Me këtë mund ta kuptoni logjikën e asaj pse një gjykatë e tillë duhet të jetë në Holandë".
Sipas tij do të ishte më problematike vendosja e kësaj gjykate nën juridiksionin e Kombeve të Bashkuara, sesa nën ombrellën e BE-së dhe ligjeve të saj , pasi që përfshirja e OKB-së në këtë çështje do të ishte më e komplikuar për vetë faktin se do të kishte numër të madh të shteteve të përfshira në këtë çështje.
Bosch thotë se Holanda mund ta ndihmojë Kosovën, sidomos në fushën e bujqësisë, duke sjellë ekspertë të saj për të dhënë kontributin e tyre në këtë fushë, që konsiderohet ndër degët më të rëndësishme ekonomike.
Ambasadori Bosch foli edhe për migrimin e qytetarëve kosovarë muajt e fundit të vitit 2014 dhe muajt e parë të këtij viti, duke thënë se ikja e njerëzve ka filluar t'i bëjë popujt evropianë të mendojnë se çfarë do të ndodhë me këta qytetarë.
Kjo, sipas tij, ka dëmtuar imazhin e vendit tonë në arenën ndërkombëtare.
Bosch foli edhe për bojkotin që po i bën Lista Serbe institucioneve të vendit, për të cilin thotë se më së shumti i dëmton banorët serbë, të cilët kanë mbetur të papërfaqësuar në Kuvendin e Kosovës.
Ambasadori holandez komenton edhe protestën që pritet të mbahet me 18 prill, duke thënë se është e drejtë legjitime e gjithsecilit për të protestuar, mirëpo së pari duhet të veprohet në Parlament, e pastaj të shihen alternative të tjera./k.s/