Bota në krizë, shqiptarët
lënë lekët në kazino

Bota në krizë, shqiptarët <br />lënë lekët në kazino
TIRANE- Pavarësisht nga kriza, loja e fatit ka përfshirë shqiptarët në mënyrë të çuditshme. Vitin e kaluar xhiroja zyrtare e subjekteve ishte 93 miljonë euro. Vlerësimet e e ekspertëve janë se 40% e këtij sektori është informale.

Shqiptarja.com shkruan sot se cdo ditë shqiptarët shpenzojne mesatarisht 600 miljon lekë të vjetra, me shpresën se do të kapin një fitim të madh që ua premtojnë lojërat e fatit. Duket se ky sektor vazhdon të thithë një shifër shumë të lartë nga buxhetet familjare me pasojat sociale negative që e shoqërojnë një gjë të tillë. Në fakt vitin e kaluar sipas kreut të Njësisë së Mbikqyrjes së Lojërave të Fatit Besnik Cobaj xhiroja e subjekteve ra me 27%, shenjë kjo e mungesës së parave për të luajtur dhe jo frikës për të provuar sërish.

Zoti drejtor, si shpjegohet numri i madh i pikave të bastit në Shqipëri, kryesisht në Tiranë? A ka liberalizim të kritereve në këtë fushë?

Njësia e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, duke mos qenë organ politikëbërës i tregut të lojërave të fatit në Shqipëri, ka si detyrim ligjor vetëm kontrollin e ligjshmërisë dhe mbikëqyrjen e subjekteve të licencuara. Numri i madh apo i vogël i pikave mund të ketë disa shpjegime, arsyetimi mbi të cilat del jashtë kompetencave të këtij institucioni. Gjithsesi mund të themi që është tregu dhe konkurrenca e lirë që vendos shpërndarjen e tyre, sigurisht duke respektuar kriteret ligjore për hapjen e tyre. Për sa i përket pjesës së dytë të pyetjes, nuk ka ndryshim të kritereve as aktualisht dhe as me daljen e ligjit nr. 10033 "Për lojërat e fatit", më datë 11.12.2008. Kriteret për licencim dhe hapje-mbyllje pikash janë përcaktuar në këtë ligj dhe aktet nënligjore të dala në zbatim të tij.

Ku konsiston projekti për monitorimin online të këtyre pikave dhe në çfarë faze është?
Projekti për monitorimin online të lojërave të fatit konsiston në përllogaritjen më të saktë të xhiros së arkëtuar nga subjektet, për çdo pajisje elektronike apo për çdo pikë të basteve sportive apo edhe të bingove. Po kështu, nëpërmjet këtij sistemi do të bëhet e mundur të kontrollohet edhe fitimi që krijojnë vetë kompanitë e licencuara për çdo pikë të lojërave të fatit. Kjo do të sjellë taksim më të drejtë të subjekteve, kontroll më të lartë në veprimtarinë e këtyre operatorëve, rritje të konkurrencës, mbrojtje më të mirë të lojtarit, transparencë më të madhe dhe të dhëna statistikore më të sakta. Ky projekt aktualisht është në fazën e përcaktimit të kritereve referuese që duhet të përmbushë shoqëria/shoqëritë fituese që do të zbatojnë në terren këtë procedurë.

A përbën ky treg rrezik potencial për pastrimin e parave?
Kjo është një pyetje më tepër për Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave, e cila është e specializuar në këtë drejtim. Ne kemi një bashkëpunim shumë të mirë me këtë drejtori. Organizatorët e lojërave të fatit, në zbatim të nenit 3/g, të ligjit nr. 9917, datë 19.5.2008 "Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit", i ndryshuar, janë subjekt të deklarimeve periodike dhe detyrimeve të tjera.

A planifikohet këtë vit ndonjë aksion për prishjen e makinerive që nuk plotësojnë standardet?
Nëse i referoheni monitorimit online, thuajse të gjitha pajisjet e deklaruara që operojnë në vend, do të kenë mundësinë e implementimit të kësaj mase, pasi, sipas ligjit nr. 10 333, certifikimi i makinave bëhet vetëm pasi të kenë dokumentacionin e prodhimit dhe të kenë plotësuar disa standarde të caktuara europiane. Gjithashtu ky treg, në përgjithësi operon me pajisjet më të fundit, pra është një shtysë e vazhdueshme nga vetë operatorët puna me pajisje që i plotësojnë standardet. Vetë NJMLF-ja nga ana e saj, si detyrim të sajin ligjor ka certifikimin e pajisjeve, dhe ky certifikim mbështetet në disa kritere të caktuara, të cilat janë në linjë me direktivat dhe specifikimet europiane në këtë fushë. Asnjë pajisje që nuk i përmbush këto kritere nuk certifikohet dhe si e tillë, nuk mund të operojnë në treg.

(ns/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Lituania njofton paketën e re të ndihmës ushtarake për Ukrainën

Lituania njofton paketën e re të ndihmës ushtarake për Ukrainën