Në pamundësi për t’i kërkuar llogari Belinda Ballukut, e cila është pezulluar nga funksionet e saj si ministre e zv/kryeministre, demokratët kërkuan në interpelancë kryeministrin Rama.
Interpelanca u rrëzua me 74 vota kundër dhe 17 pro, me argumentin se çështja “Balluku” është në Gjykatë Kushtetuese dhe se duhej pritur vendimi i drejtësisë për pezullimin e saj, por PD pretendon se Rama po i bën presion “Kushtetueses”.
"Ne duam të dimë cili është motivi që ka në kabinet numrin 2 të pandehur nga SPAK, pse është bërë kryeministri i parë në historinë e botës që ndërhyn në një çështje në hetim", tha Bardhi.
"Një njeri ka marrë çdo pushtet në të cilin një njeri arrin të bllokojë vendimet e gjykatave, prokurorisë për vjedhjet monstruoze ndaj qytetarëve. Në të cilin një njeri arrin të ushtrojë një presion të tmerrshëm të gjithanshëm, banditesk mbi Gjykatën Kushtetuese", tha Berisha.
Akuzave për presione ndaj drejtësisë iu përgjigj Ministri i Drejtësisë Besfort Lamallari.
“Shqiptarët e dinë se kush kërkon asgjësimin e SPAK. Të hënave shënjestrohen prokurorët e SPAK dhe ngryset java me euforinë e mjerë kur subjektet e hetimit janë kundërshtarët politikë. Ne flasim për standarde ju flini për kallëzime e të pandehur edhe pse atë e keni në ballin tuaj. Rotacioni polik vendoset me verdiktin popullor dhe jo me vendime gjykatash", tha ministri.
I vetmi, sipas Shehajt që tregon kujdes kur vjen puna tek gjyqtarët dhe prokurorët është Taulant Balla, qëndrim që nxiti një përplasje të ashpër.
"Del Balla dhe thotë pyesni Chat GPT, nuk ka ndodhur ndonjëherë por prapë unë thotë nuk flas për prokurorët e gjykatësit. S’ia mban atij se ka frikë se përfundon si të tjerët. Nuk e shmangni dot daljen para drejtësisë. E keni të kotë", tha Shehaj.
"Ti kur të përmendësh emrin tim laj gojën, po bëjë gargarën me ujë të kripur Vlore, se po u pendua Lul Basha do tregojë se sa para i ke dhënë për të marrë mandatin në 2017. Kujdes se mos të bën të penduarin Luli”, iu përgjigj Balla.
Pjesa e parë e diskutimeve në parlament u përqendrua pikërisht tek zv/kryeministrja Belinda Balluku, e cila përveçse është marrë zyrtarisht e pandehur nga SPAK për abuzime me tenderët e Tunelit të Llogarasë dhe Unazës së Madhe është pezulluar nga funksionet e saj qeveritare, çështje që është tashmë në dorën e Gjykatës Kushtetuese.
(Kliko këtu për të lexuar rendin e ditës)

Ndërsa mbahet seanca plenare për ditët e sotme deputetët e PS bëjnë dicka ndryshe nga politika. Deputeti Ervin Hoxha dhe Ardit Bido bëhën gati për foton që po i shkrep Taulant Balla
Deputetja e PD-së Jorida Tabaku dhe ministri i Financave, Petrit Malaj u përplasën në Kuvend për një kërkesë lidhur me një kërkesë për përfituesit e ligjit të shlyerjes së borxheve. Tabaku tha se i ka dërguar prej një muaji 4 shkresa ministrisë për informacion por akoma nuk ka marrë përgjigje.
Malaj i replikoi duke e akuzuar se po gënjen pasi kërkesa e parashtruar i ka shkuar vetëm para një jave, ndërsa i përmendi edhe ligjin për procedurat tatimore. Tabaku më pas i tha se jo vetëm që është ai që po gënjen por edhe se ka "injorancë ligjore" .
Pjesë nga diskutimi:
Jorida Tabaku: Sipas nenit 80 të kushtetutës, drejtuesit e institucioneve shtetërore me kërkesë të deputetëve duhet të japin shpjegime për cështje të ndryshme. I kam kërkuar ministrit të Financave prej një muaji, disa shkresa, për të bërë transparencë mbi përfituesit e ligjit të shlyerjes së borxheve. Njëkohësisht transparencë mbi amnistinë fiskale zoti ministër s’e ka ofruar akoma këtë transparencë. Ministri e ka detyrë kushtetuese të kthejë përgjigje për përfituesit, a janë koncesionarë, marrës të tenderave, subjekte të SPAK? Jo 1 por 4 shkresa kam dërguar që nuk kanë sjellë përgjigje as nga Tatimet e as nga Doganat. I kërkoj ministrit të bëjë transparencë. Nuk mund ta miratojmë nen për nen pa pasur transparencë.
Petrit Malaj: S‘e kuptoj se si arrini të gënjeni me zë dhe figurë që keni dërguar 4 shkresa dhe paskeni dhe një muaj që e keni dërguar se në fakt ka ardhur vetëm para një jave në ministri. Mos gënjeni, por para një jave e keni dërguar dhe si ligjvënese e vjetër e parlamentit duhet të dini se kërkesa që keni sjellë është në kundërshtim me disa ligje të tjera për nivelin e informacionit që keni kërkuar. Duhet t’i referoheni ligjit të procedurave tatimore për të kuptuar se informacioni që kërkoni nuk mund të ndahet se është e dhënë personale dhe duhet të kërkoni konsensusin e debitorit që të japë informacion mbi borxhet me administratën tatimore. Në lidhje me informacionin se kush janë përfituesit e detyrimeve tatimore e doganore, e kam sqaruar janë 202 mijë përfitues.
Jorida Tabaku: Zoti ministër, të gënjesh kaq paturp por të kesh edhe kaq injorancë ligjore unë s’e di.
Deputeti i PS, Erion Malaj i është përgjigjur Agron Shehaj i cili nxori në Kuvend një listë me zyrtarë që janë nën hetim nga SPAK dhe kërkoi që ata të largohen nga detyra. Malaj i tha Shehajt se s’mund të vijë të japë leksione për individë që janë në hetim ose të pandehur, duke shtuar se PS nuk ndërhyn në çështje gjyqësore. Ligjvënësi socialist tha se nuk i bëjnë gjyqin publik askujt, e as nuk merren me gojëdhëna, por presin vendime gjyqësore.
“S’mund të vij asnjë deputet me leksion me poër point për individë që janë nën hetim ose të pandehur. Ti e di se cfarë do të thotë i pandehur? Si del aty dhe na nxjerr foto dhe na bën vendos gjysmën e Shqipërisë, me çfarë etike dhe morali na bën etikë e moral. Po na kërkon të ndërhyjmë në çështje gjyqësore, t’i bëjmë gjyq publik njerëzve, ne presim vendime gjyqësore dhe nuk merremi me analiza dhe gojëdhëna. Na kërkoni llogari për çështje në hetim, ne nuk ndërhyjmë tek këto dhe s’do ndërhyjmë kurrë”, tha Malaj.
Deputeti Agron Shehaj i është përgjigjur Taulant Ballës, i cili gjatë seancës në Kuvend i tha se duhet të ketë kujdes pasi nëse pendohet Lulzim Basha do tregojë se sa ka paguar për të blerë mandatin në 2017-ën. Shehaj tha se Balla është i shqetësuar pasi Apeli i GJKKO-së ka prishur vendimin për një çështje që i takon Ballë, duke iu referuar vendimit për ish-kryeprokurorin Aurel Zarka te dosja Toyota Yaris.
“Balla bëri një shfaqje dhe mendoi se me një gjuhë të viteve ‘90 mendonte se do ja dilte. Pasi ofendoi, gjuhë bajate, e shpërndau në të gjitha mediat. Ishte në të gjitha mediat. Balla shan Shehajn, thua se më ulën mua, Balla është shumë i shqetësuar se dje u mor vendimi për një çështje që i takon Ballës. Apeli vendosi se hetimet duhet të fillojnë nga fillimi se është organizatë kriminale. Se di ku e gjen kurajon Balla...”, tha Shehaj.
Deputeti Agron Shehaj shfaqi në Kuvend foto të personave që janë ende në hetim nga SPAK, mes tyre vartës të Belinda Ballukut, si Gentian Gjyli apo Erald Elezi. Shehaj tha se po mbajnë në dteyrë persona ne hetim duke i bërë thirrje PS që t’i largojnë. Sipas Shehajt, mazhoranca po mbron drejtorët e korruptuar që të vazhdojnë të vjedhin sërish.
“Kam listën e zyrtarëve të lartë që janë në hetim dhe vazhdojnë mbajnë detyrën. Balluku po bën çmos të qëndrojë në detyrë. Berberi është në burg, ky zotëria është Gentian Gjyli, është drejtor i ARRSH në detyrë, është në shtëpi nuk del dot nga shtëpia. Ky zotëria vazhdon bën tenderë prej qindra milionë euro, është vartësi i ballukut. Kemi tjetrin Erald Elezi, drejtori i KESH. Është drejtori aktual i KESH, është në arrest shtëpie. Unë dua nga ju që të keni pak dinjitet, të ngrihesh e të thuash që s’mund të vazhdojmë në këtë mënyrë. Miminalisht largojini, të keni dinjitetin dhe të çoheni të flisni me njerëzit. Po lejoni që drejtorët që janë kapur duke vjedhur, të vazhdojnë të vjedhin dhe nuk thoni as gjysmë fjale. Kjo është Viola Haxhiademi sekretare e përgjithshme në Ministrinë e Infrastrukturës, e pandehur sipas mediave. Keni marrë peng ministritë me njerëz të marrë të pandehur për korrupsion. Evis Mamaj shefe finance në hetim për korrupsion. Bashkitë janë një tufë të korruptuarish. Nuk shkulen nga karrigia, i kanë çuar në burg, nuk shkulen nga karrigia, duan të vazhdojnë të vjedhin. Ky është Veliaj, tjetri Erion Isai, Benet Beci”, tha Shehaj.
Përplasje në Kuvend mes deputetit socialist Ardit Bido dhe të partisë Mundësia Agron Shehaj. Bido e akuzoi Shehajn se po bën “show” për reels e radhës në rrjete sociale duke përdorur Foltoren e Kuvendit, ndërkohë që deputeti i partisë Mundësia e ironizoi se është i ri në parlament dhe duhet të mendojë si një i tillë.
Ardit Bido: Hera e disatë që në këtë sallë përsëritet, merret fjala për një çështje, tirret dhe diskutohet për të tjera në tentativë për të kapur reels e radhës, shoën dhe përdorur foltore si të ishte një hapësirë e konferencave për shtyp. Unë besoj se ju takon ju në të gjitha kompetencat që jep rregullorja që ta ndaloni këtë fenomen. Është fyese për deputetët që presin të marrin fjalën për një çështje të caktuar edhe akoma më shumë të atyre që çështjen jashtë rendit të ditë spresin të mbyllen të gjitha pikat për të folur. Ky fenomen i shëmtuar që e kthen këtë sallë nga një sallë e debatit dhe ideve në një sallë fyerjesh vetëm që të dalë dhe të shfaqemi në rrjete sociale për të treguar sa të mirë jemi, si treguam disa fotografi nuk kanë vend në këtë sallë të nderuar. Dëgjuam parafolësin që e bëri sërish për herë të disatë këtë gjë, duke folur si “virgjëri politike” a thua se nuk vjen nga një forcë politike që mbaj mend kur isha gazetar, mbante në punë duke paguar jo me pezullimin që është proces i përcaktuar në ligj për nëpunësit civil një nëndrejtor të një institucioni dhe e paguante ndërkohë që rrinte në shtëpi e s’bëntëe asnjë punë, jo të pezulluar. Ky moral nuk mundet të bëhet zoti Shehaj duke u bazuar në një pengmarrje të sallës së kuvendit për shfaqje.
Agron Shehaj: Ju jeni deputet i ri, të gjithë këtu para se të bëheshim deputetë ishim qytetarë të thjeshtë, dhe kur shihnim korrupsion skandalizoheshim. Ti the se PD kur ka qenë ka bërë të njëjta gjëra edhe më keq. Po ore po, dhe kjo është arsyeja pse unë kam hyrë në politikë, jam krenar pse kam hyrë në PD, kam bërë rrugëtim për të ndryshuar PD sepse besoja se i përkisja asaj partie dhe bëra atë betejën time në PD dhe një ditë të bukur dola se vendosa të ndjek rrugë tjetër. Nuk mi vesh dot ti mua fajet e PD, nuk e kam thënë kurrr që është parti perfektë. Ajo që është e rëndë është se del nga goja jote, ti thua ti mbyllim gojën, mos të flasim për çështje që janë në rendin e ditës. Si do flasim ne, ka ndonjë rend dite ku të themi diskutojmë për Ballukun që të diskutojmë për ballukun, do përfitojmë nga hapësirat që na jepen, si të del nga goja të thuash mbyllja gojën opozitës të mos flasim për Ballukun. Si të del nga goja ty njëherë? Si mund ta thuash këtë ti?
Meqë je deputet i ri, shyqyr që ka deputetë të rinj, por silluni si të rinj. Ça thashë unë që nuk është e vërtetë. Pse shqetësoheni ju se Balluku është e pandehur? Pse shqetësoheni se Veliaj ka thuajse 1 vit në burg dhe qeveris nga burgu. E nisa fjalimin duke thënë se kemi dy standarte. Për ty është normale që një ministre vjedh 50 mln euro.
Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla iu përgjigj opozitës lidhur me akuzat se fondacioni Hanns-Seidel po largohet nga vendi për shkak të qeverisë. Nga Foltorja, në përgjigje të komentit të Tritan Shehut, Balla kujtoi se vendi ynë aktualisht gëzon marrëdhëniet më të mira më Gjermaninë ndonjëherë. Ai kujtoi vizitat ndër vite të kancelarëve, duke filluar nga Angela Merkel e së fundmi të Friedrich Merz.
“Pa harruar nivelin më të mirë historik të marrëdhënieve që Shqipëria ka sot me Gjermaninë, e vërteta është që kancelarët gjermanë zyrtarisht e kanë vizituar Shqipërinë pas 2013, duke filluar me vizitën historike të 8 korrikut 2015 të Merkel në Tiranë dhe për të vijuar më pas edhe me një mik të vyer si kancelari Olaf Scholz dhe së fundmi sapo ishte emëruar në detyrë Friedrich Merz. Pa harruar edhe kryeministrin e Bavarisë. Kështuq q thënë të gjitha këto zoti Shehu, meqë ngrite këto shqetësime, sot Shqipëria e Gjermania kanë nivelin më të lartë të marrëdhënieve bilateriale. Na takon ne si kuvend të rivendosim dhe të vazhdojmë kuadrin e mirë të marrëdhënieve ndërparlamentare ne të gjitha nivelet. Sapo të sjellë edhe grupi i PD emrat e grupit të miqësisë në konsituojmë grupet e miqësisë që edhe në këtë aspekt, Bundestagu e ka një grup miqësia me vendet e Ballkanit Perëndimor. Gjermania mbetet partneri ynë kryesor brenda vendeve të BE, por është vendi i parë sa i përket financimeve të drejtëpërdrejta. Di që është mbi 1.2 mld euro me projektet e fundit që do kalojmë shkojnë përtej financimeve direkte të Gjermanisë. Ajo që ka ndodhur në vitet e fundit, për shkak të angazhimit personal të Ramës, kemi raport tëngushtë edhe me landet. “, tha ai.
Mes të tjerash, ai ironizoi PD-në duke përmendur fondacionin Konrad Adenauer.
“Po mirë këtu ku e kemi ne se Fondacioni Konrad Adenauer punon me ju. O është mërzitur fondacioni me partinë tuaj se s’kemi ndonjë faj këtu. O është mërzitur se të shkretët harxho pafund dhe ju s’bëheni”, tha Balla.
Në seancën e sotme plenare në Kuvend, deputeti demokrat Bledjon Nallbati i kërkoi debat kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi për situatën në Devoll. Duke folur nga Foltorja, deputeti i PD-së tha se debatin mund ta bëjnë në qendër të qytetit të Bilishtit, me të pranishëm edhe qytetarët.
"Nëse pretendon se është e kundërta, të kam bërë një ftesë gjatë fushatës që unë, ti, ky tjetri këtu sipër, ai guaku i bashkisë, të ulemi në sheshin e qytetit të bëjmë një debat. Nuk patët guxim. Ju ftoj prapë, ty, këtë ksëtu sipër që shkoi shtëpi më shtëpi, ulemi në qendër të qytetit të Bilishtit, dhe e shohim nëse qëndron ajo që them unë apo ajo që thoni ju. Qëndron ajo situatë që shkollat e fshatrave të Devollit janë katandisur pa asnjë nxënës, që bujqësia është shkatërruar apo jo thoni ju se bujqësia në Devoll ka ecur me ritme galopante.", tha Nallbati.
Në përfundim të fjalës së tij, Peleshi replikoi duke i thënë:
“Duhet të qërosh fjalorin dhe duhet t’i drejtohesh kolegëve me respekt, pavarësisht mendimeve të kundërta. Nëse një koleg ose qytetarët nuk shoqërohen me ty në një shesh të qytetit ose fshatit, mos e shih si mungesë guximi nga ana e tyre, por shihu në pasqyrë dhe shihe problemin te vetja”.
Deputetja demokrate, Ina Zhupa sulmoi nga Kuvendi qeverinë duke përmendur rastin e ndalimit të rektores së Kolegjitt ë Evropës, Federica Mogherini, ish-përfaqësuese e Politikës së Jashtme të BE-së.
Ajo tha se qeveria i ka dhënë 17 mln euro Mogherinit për projektin e kolegjit në Tiranë, ndërsa shtoi se në këmbim të “broçkullave të paguara”, do të merrte deklarata në Bruksel sesa afër është vendi ynë drejt Unionit.
“Në shkelje të ligjit shqiptar, bëhet rektore vetëm se është ndërkombëtare (Mogherini) dhe rektorja e këtij universiteti merr miliona euro nga buxheti i këtij shteti të varfër, që nuk investon në arsim. Merr 17 mln nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit për godinat, i dhurohen godina nga këshilli bashkiak i Tiranës vetëm për ta mbajtur mirë për ndërkombëtarët e korruptuar, që ajo te fliste sa afër integrimit është qeveria shqiptare, sa me standarte ishte qeveria dhe sa i arritshëm ishte 2030 për qeverinë shqiptare. Ishin broçkulla të paguara shtrenjt nga paratë e taksave të shqiptarëve. Ndërkohë që për atë vend atje kishte një vendim nga 2013 për të bërë kampus universitar për studentët dhe pedagogdët që mësojnë në kushte që s’kanë lidhje fare me standartet evropaine. Më e frikshme është të shikosh buxhetin e arsimit. Shqipëria alokon në pak finde për arsimin.”, tha Zhupa.
Deputetja socialiste Olta Xhaçka, gjatë seancës së sotme plenare i është përgjigjur akuzave të opozitës, e cila ashtu si herët e tjera akuzoi mazhorancën për vjedhje dhe korrupsion. Deputetja Xhaçka tha se në fund të ditës janë qytetarët ata që vlerësojnë punët e bëra nga PS.
"Nuk ka qeveri pa gabime, por mjafton të shohim realitetin. Shqipëria sot ka rritjen më të lartë ekonomike në rajon, kemi rritje pagash dhe pensionesh jo premtime abstrakte, jemi vend lider në turizëm, kemi hapur negociatat me BE. Infrastruktura, energjia, politika e jashtme, siguria, energjia etj janë fusha që sot Evropa i konsideron histori suksesi për Shqipërinë. Opozita flet për korrupsion por është e para që sulmon SPAK sa herë ai prek njerëzit e tyre. Flet për punë të bëra keq, por nuk flet për asnjë ide se si këto punë mund të bëhen më mirë. Në fund të ditës qytetarët e shohin dallimin. Mazhoranca punon, sjell investime, hap dyert në Evropë dhe e çon vendin përpara. Opozita prodhon akuza, tym, zhurmë dhe zero zgjidhje", tha Xhaçka.
Deputeti i PD-së, Agron Gjekmarkaj, teksa mori fjalën në Kuvend, tha se qeveria Rama i bëri “atentat” zgjedhjeve të 11 majit dhe votës së lirë. Ai tha se raporti final për zgjedhjet i OSBE/ODIHR ishte akti më zyrtar që konfirmoi se demokracia shqiptare ka vdekur. Sipas tij, atentatorët e kësaj janë në sallën e Kuvendit.
"Sot e pandehur është e gjithë qeveria, e pandehur është e gjithë mazhoranca e cila nuk e gjen fuqinë morale per katarsis! Sot ju e spostuat nga kalenadri raportimin e Komisionerit per zgjedhjet po jo Raportin Përfundimtar te OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e 11 majit 2025 i cili ju rri mbi kokë si xhebraili. Ai nuk është një dokument teknik, nuk është një justifikim opozitar – është akti zyrtar ndërkombëtar politik i cili konfirmoi se demokracisë shqiptare ju bë atentat. Atentatorët janë këtu pas e para meje.
E vërteta e zgjedhjeve po del nga Tuneli i Llogarasë dhe rri këtu këmbëkryq. Qeveria juaj ka rënë dhe rri si kadaver në mes të mexhlisit nga habia dhe apatia sociale. Pafuqia juaj për të qënë të ndershem sot është kurthi më i madh i shpresave shqiptare. Dëshira juaj për të rëndur si të çmendur pas parasë duke zaptuar çdo korsi të jetës publike eshtë virusi me vdekjeprures për çdo vlerë. Paaftësia juaj morale për tu përballur me krimin e ka kthyer Shqipërinë në një tokë të askujt, ku jeta e një pule vlen më shume se jeta e një shqiptari, i cili del në mengjes për pune e kthehesh në darkë në arkivol.", tha deputeti.
Sipas tij, deklarata e republikanit amerikan Keith Self për sistemin e drejtësisë në Shqipëri tregon se SHBA po vëzhgon. Po ashtu, tha Gjekmarkaj, edhe Donald Trump dhe Marco Rubio, me mesazhet e tyre për 113-vjetorin e Pavarësisë ishte një mesazh i qartë për qeverinë e Ramës.
"SHBA po na vështron dhe po flet. Siç e tha këto ditë një kongresmen amerikan, pluralizmi në Shqipëri po shuhet. Dhe kur shuhet pluralizmi, nuk shuhet vetëm opozita – shuhet liria, shuhet debati, shuhet shpresa. Pa te hyme ne ujdhesat e tiranise. Ky paralajmërim është akt i rëndë politik ndaj qeverisë së Edi Ramës, sepse vjen nga tempulli i demokracise më të konsoliduara të botës. Presidenti Trump dhe Sekretari i shtetit Rubio në mënyrën më të pazakontë por edhe më të qartë ne telegramet e urimit për Festën Kombëtare cituan luftën ndaj karteleve të drogës dhe bashkëpunëtorve të tyre! Këmbanat po bien për ju", shtoi deputeti.
Deputetja e PD-së Jorida Tabaku tha në Kuvend se qeveria Rama, prej 12 vitesh në pushtet, ka ngritur një sistem të korruptuar që vepron vetëm në favor të klientëve të saj dhe jo të qytetarëve.
“Në 12 vite, kjo qeveri ka ngritur një sistem të mbyllur, të korrptuar dhe që nuk nneh ndjeshmërinë, as përgjegjësi e respekt për qytetarin. Jo zhvillim për të gjithë por ekonomi të pakicës, jo shpresë por varfëri. Në çdo ligj të miratuar këtu, janë shenja të një keqbërje sistemike që ka plaçkituar të ardhurat e qytetarëve shqiptarëve për t’i shërbyer një grushti njerëzish. “, u shpreh Tabaku.
Tabaku shtoi se sot bujqësia është duke u fundosur me një rënie me -1%, dhe kjo vjen si rezultat i politikave cinike të qeverisë. Sipas saj, qeveri Rama që flet për një Shqipëri 2030 me destinacion Evropën, në fakt nuk po bën gjë tjetër, veçse një ekonomi klienteliste dhe të pandershme për pjesën më të madhe të qytetarëve.
“Ka shkatërruar meritokracinë, rrëzuar konkurrencën ka ngritur monopole me ligje të miratuara nga ky kuvend. Kjo u vu re te tenderat e dhëna nga ish zëvendëskryeministrja që sot duhet të ishte e dorëhequr. Shikoni lejet e drejtimit, koncesionet, kontratat e PPP që fituesit përcaktohen me mesazhe. Ky është modeli i një ekonomie klientelistë dhe jo një vendi që përfaqëson Evropën. Shqipëria e vitit 2030 që sot socialistët reklamojnë është vend i koncesinuar deri në palcë, i pandershëm me shumicën e qytetarët, dhe ku torta e madhe e pushteti ndahet për një grusht njerëzish.”, shtoi më tej ajo.
Nga Foltorja e Kuvendit, Sali Berisha sulmoi qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama. Sipas tij, Belinda Balluku dhe Edi Rama dolën “zbuluar” me mesazhet e Evis Berberit për çështjen e tunelit të Llogarasë.
“Ky parlament ngjet sot me parlamentin fals, me parlamentin kallp. Një njeri ka marrë çdo pushtet në të cilin një njeri arrin të bllokojë vendimet e gjykatave, prokurorisë për vjedhjet monstruoze ndaj qytetarëve. Në të cilin një njeri arrin të ushtrojë një presion të tmerrshëm të gjithanshëm, banditesk mbi Gjykatën Kushtetuese. Në të cilin një njeri ka vendosur me vendim të fshehtë të gjitha shpenzimet e tij. Kjo praktikë ka ekzistuar vetëm në diktaturën komuniste, kur për Enver Hoxhën, për arsye të sigurisë kombëtare, por jo për Mehmetin, por vetëm për Enverin, shpenzimet ishin në një llogari të veçantë ku përveç Nexhmijes, askush nuk mund t’i kontrollonte. Ky është parlamenti që mblidhet në ditët e krizës më të thellë, e akteve më antidemokratike, në një kohë kur një ministre është zbërthyer me të gjithë qenien e saj nga mesazhet, fotot, dokumentet etj, etj, të gjetura në telefonat e Evis Berberit. Në një kohë që një kryeministër është i kapur në çark si miu në telefonat, me mesazhet në telefonat e Evis Berberit. Në një kohë që vërtetohet se oferta 140 milionë euro për ndërtimin e tunelit të Llogarasë u zëvendësua me ofertën 190 milionë euro të kompanisë turke pas udhëtimit në Ankara të Edi Ramës me atë që quhet Lubi Balluku. Në një kohë që vërtetohet nga Banka Botërore se 90 përqind e të gjitha fondeve të investimeve vidhen, vidhen, vidhen dhe nuk gjinden.", tha Berisha.
Më tej, ai shtoi se Gjykata Kushtetuese është në presion të tmerrshëm nga deklaratat e Ramës për çështjen Balluku.
“Përballë këtyre vjedhjeve, shkatërrimit të madh të materies kombëtare, rrënimit të ekonomisë. E morët vesh që u kthyem ku ishim për herë të parë në 32 vite, ekonomia mbahet nga kontributi i shtetit. Ekonomia kontribuon vetëm 49% të rritjes ekonomike se është në rënie të lirë se vjedhjet e droga po e shkatërrojnë. Tani forca e ekzekutivit kundër pezullimit kur ajo duhet të ishte prej kohësh e arrestuar se po prishin provat ditë e datë, po zhdukin dokumentet. Ka administruar 12 mld euro, ku 10.3 mld janë zhdukur pa gjurmë, pa fund nam e nishan. Shihni rrugën e Qafë Plloçësh. Shkoni në rrugën e Ersekës, rrugën e Arbrit. Para të gjitha këtyre gjykata Kushtetuese në presion të tmerrshëm në vend që të hedhë poshtë shqyrtimin siç hodhi atë të 30 deputetëve. Nuk legjitimoi duke shkelur kushtetutën, nuk hedh poshtë shqyrtimin e një mase të ligjshme në Evropë e kudo. Tani Edi Rama, unë kam thënë shumë gjëra për ju, por jo atë që ka thënë Edi Rama. Ai është dhe jo unë, ka thënë që PS është bordello. Unë se kam thënë kurrë këtë, s’e kam këtë koncept. Por për të parë se kush është bordello i vërtetë shkoni te SKAP-i i partisë dhe shihni dokumentet. Atje do të mësoni se kush është bordello e vërtetë.
Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari iu përgjigj akuzave të opozitës se kryeministri Rama po i ushtron presion drejtësisë për rastin e Belinda Ballukut. Lamallari tha se PS është ajo që ka ideuar reformën në drejtësi, duke ironizuar kundërshtarët politikë për të cilat tha se e dimë shumë mirë se kush kërkon asgjësimin e SPAK. Lamallari i tha opozitës se rotacioni politik vjen vetëm me verdikt popullor dhe jo me vendime gjykatash.
“Viti i ardhshëm shënon një moment të rëndësishëm në historinë e shtetit shqiptar. Plot dhjetë vite nga miratimi i Reformës në Drejtësi, një nismë kombëtare e cila i dha jetë institucioneve të reja të drejtësisë. Përveçse një nevojë ulëritëse kombëtare për më shumë drejtësi, reforma, me gjithë kundërshtitë, përpjekjet për ta bllokuar dhe efektet e pritshme ka padyshim një rol të veçantë në të ardhmen e afërt të një vendi dhe populli evropian, i cili sot më shumë se kurrë sheh se “Shqipëria si gjithë Europa” nuk është më një thirrje utopike pas kolapsit të një regjimi shtypës dhe dëshpërimit që pasoi nga një tranzicion sfilitës dhe zhgënjyes!
Padyshim, qenia vend kandidat sot me të gjithë grup-kapitujt e negociatave të hapura me Bashkimin Evropian, është falë dhe përparimit të shënuar nga zbatimi i Reformës në Drejtësi.
E teksa Komisioni Evropian raporton vit pas viti mbi arritjet, sfidat dhe rekomandimet për sistemin gjyqësor, si Ministër i Drejtësisë kam përgjegjësinë e dyfishtë politike, të qenit njëkohësisht i matur po aq sa i zëshëm:
-së pari para qytetarëve të vendit tim, pa dallim bindjeje apo përkatësie partiake;
-së dyti, ndaj institucioneve të drejtësisë në funksion të detyrës time ligjore për mbështetjen dhe koordinim me ta, në respektim të parimit demokratik të ndarjes dhe kontrollit të pushteteve;
Me qëllimin NJË dhe të VETËM për të kontribuar për më shumë drejtësi dhe një sistem të fortë dhe të qëndrueshëm, në përvjetorin e 10-të të zbatimit të Reformës në Drejtësi, koha dhe pozicioni më diktojnë nevojën e një reflektimi të gjerë, gjithëpërfshirës dhe objektiv mbi arritjet dhe sfidat e drejtësisë, pas reformës!
Të nderuar deputetë, ishte PS ajo që ideoi dhe mbështeti vënien në jetë të Reformës në Drejtësi. Qytetarët e dinë shumë mirë se kush e kundërshtoi me çdo mjet dhe mënyrë. Është PS dhe kjo qeveri që është e vendosur të mbështesë me çdo kusht konsolidimin e saj. Shqiptarët e dinë shumë mirë se kush kërkon asgjësimin e SPAK-ut. Çdo ditë ne punojmë për forcimin e standardeve dhe institucioneve të drejtësisë sipas praktikave më të mira europiane duke përfshirë rishikimin e Kodit Penal dhe rishikimin e Kodit të Procedurës Penale.
Shqiptarët e shohin çdo javë se si të hënave shënjestrohen me emër dhe mbiemër prokurorët e SPAK dhe ngryset java me euforinë e mjerë kur subjektet e hetimit janë kundërshtarët politikë. Ne flasim për standarde, ju flisni për kallëzime dhe të pandehur edhe pse atë e keni në ballin tuaj. Ju mund të silleni sikur parimet kushtetuese të mos ekzistojnë, por ju e dini mjaft mirë prej 4 legjislaturash tashmë, se rotacioni politik vendoset me verdiktin popullor në kutitë e votimit dhe jo me vendime gjykatash”, tha Lamallari.
Deputeti i partisë Mundësia, Erald Kapri shprehu kritika ndaj Taulant Ballës duke i thënë se nuk mund të flasë në parlament sikur është në ‘konakun’ e vet në Librazhd. Më pas u ndal te pezullimi i Belinda Ballukut, teksa tha se kryeministri Edi Rama po e kërcënon çdo ditë Gjykatën Kushtetuese
"Tërhiqu vëmendjen deputetëve dhe Ballës ( i drejtohet Peleshit), që kur flitet në parlament të çohet në këmbë. Nuk është në konakun e vet në Librazhd por në parlament. E kuptoj se ka 20 vjet në parlament dhe 13 vite ne pushtet por minimalisht të ketë etikën kur flet në parlament, se ndoshta është i vetmi ish ministër që ditën më të lumtur e ka kur e shkarkuan se dijet se pse e shkarkoi Rama si ministër i brendshëm.
Së dyti, Rama ka ardhur vetëm për betimin dhe për buxhetin. Më gjeni një vend në Evropë kur kryeministri shkon njëherë në 6 muaj në parlament. Fakti që nuk shkarkohet nga kryeministri, por po tentohet me çdo mjet për të kapur Gjykatën Kushtetuese dhe SPAK më pas, duke tentuar që të ulet edhe numri i deputetëve dhe ndryshuar parlamentin dhe rregullat me institucionet e drejtësisë. Duam përgjigje që herën tjetër do të vijë ose jo kryeministri.”, tha Kapri.
Kreu i grupit të PS, Taulant Balla është përfshirë në një përplasje me deputetin opozitar Agron Shehaj. Ky i fundit po akuzonte kryeministrin Rama se po i ushtron presion Kushtetueses për çështjen Balluku, ndërsa për Ballën tha se ai ka frikë të ushtrojë presion se përfundon si të tjerët.
Por, Balla i tha që kur të përmendë emrin e tij të lajë mirë gojën. E ndërsa i kujtoi edhe ish-kryetarin e tij Lulzim Bashën, duke i thënë se duhet të ketë kujdes pasi nëse pendohet Luli do tregojë se sa para ka paguar që të merrte mandatin e deputetit në 2017-ën.
“Për tu bërë interesant për rrjetet sociale, bërtet dhe kujton se është interesant edhe kur ja fut kot. Ti kur të përmendësh emrin tim laj gojën, po bëjë gargarën me ujë të kripur Vlore, se po u pendua Lul Basha do tregojë se sa para i ke dhënë për të marrë mandatin në 2017. Kujdes se mos të bën të penduarin Luli”, tha Balla.
Deputetja Jozefina Topalli hodhi akuza ndaj qeverisë teksa tha se në 3 muaj është “përmbysur” për shkak të korrupsionit. Në Kuvend, ajo iu drejtua kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, duke i thënë se po drejton një seancë me një qeveri të deligjitimuar.
“Nuk mund të bëjmë se në çfarë realiteti po jetojmë. Ju drejtoni një seancë ku një qeveri është zhytur kokë e këmbë në skandale, Treçerekët e qeverisë s’i keni më në karrige. Drejtoni një seancë me një qeveri të deligjitimuar moralisht, politikisht dhe publikisht. Drejtoni një qeveri që është si një anije që ka marrë ujë dhe timonieri e ka humbur drejtimin dhe timonieri është kryeministri. Në kushte kur qeveria është vetë krizë, ne rrezikojmë shtetin. Kërkojmë që të jeni të përgjegjshëm për situatën ku ndodhemi se nuk keni më maxhorancë. Për 3 muaj është përmbysur çdo gjë. Është përmbysur nga pesha e jashtëzakonshme e turpshme e korrupsionit.", tha ajo.
Deputeti i partisë Mundësia, Agron Shehaj kritikoi maxhorancën se i ka rrëzuar dy interpelanca, me kryeministrin Edi Rama dhe me Belinda Ballukun. Këtë të fundit e ironizoi teksa tha se i shpëtoi interpelancës në Kuvend, por përfundoi më keq, pasi u mor e pandehur nga SPAK dhe më pas u pezullua nga detyra nga GJKKO.
Ai i cilësoi qesharake arsyetimet e kryeministrit se është bllokuar nisja e fluturimeve me Kanadanë, ndërsa shënjestroi edhe Taulant Ballën për komentet e tij lidhur me çështjen Balluku. Sipas tij, Balla ka frikë që të flasë kundër prokurorëve dhe gjykatësve pasi mund të përfundojë më keq se të tjerët.
"Nuk e di se si do ta zgjidhim këtë problemin e mohimit të të drejtës për interpelancë që si deputet kam. Kam kërkuar në 2 muaj me Ballukun, por tani nuk është më ministre. I shpëtoi interpelancës por përfundoi më keq. Por kam një kërkesë për interpelancë edhe me kryeministrin. E kuptoj se kërkoni të shmangni llogaridhënien por s’i shpëtoni dot. Ju mendonit se kur u arrestua Veliaj ishte një çështje që kishte me të. Tani që është marrë e pandehur Balluku…vërtet mendoni se kemi të bëjmë me çështje të përvetshme të disa individëve. Ky është ndryshim thelbësor. Duhet të jepni llogari dhe nuk keni ça t’i bëni drejtësisë, SPAK se kanë mbrojtjen e ndërkombëtarëve. Dhe këto sulmet qesharake që bëni përditë, Rama çdo ditë kërcënon Gjykatën Kushtetuese me broçkulla se kemi marrë të pandehur Ballukun dhe shqiptarët nuk udhëtojnë dot në Kanada, tani ka filluar ministri i drejtësisë me postime. Del Balla dhe thotë pyesni Chat GPT, nuk ka ndodhur ndonjëherë por prapë unë thotë nuk flas për prokurorët e gjykatësit. S’ia mban atij se ka frikë se përfundon si të tjerët. Nuk e shmangni dot daljen para drejtësisë. E keni të kotë. Ndajeni mendjen. Bashkëpunoni me drejtësinë se iu ka ardhur fundi.", tha Shehaj.
Kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi kërkon në Kuvend kryeministrin Edi Rama për të zhvilluar interpelancën për çështjen Ballukun, kërkesë që nuk u aprovua me argumentin se çështja është në Kushtetuese. Bardhi akuzoi Ramën se është kthyer në avokat mbrojtës i Belinda Ballukut dhe se po i fshihet deputetëve. Deputeti dmeokrat u shpreh se urdhëruesi i aferës së Llogarasë është Rama. Ai akuzoi shefin e qeverisë se po i bën presion Gjykatës Kushtetuese, duke shtuar se ankimi është ndërhyrhje në një çështje të drejtësisë.
“Çdo shqiptar e ka parë që Rama del dhe flet me vete 3 herë në ditë për këtë çështje, del dhe mbron të pandehurën ministre të paktën 3 herë në ditë me videoselfie apo postime në tëitter si një mjet presioni ndaj Kushtetueses. Një njeri që flet nga mëngjesi në darkë për këtë çështje, i fshihet deputetëve dhe llogaridhënies. Në këtë rast fshihet pas një shkresë tuajën që thoni s’mund të shqyrtoni shkresën e Gjykatës Kushtetuese. Ne duam të dimë cili është motivi që ka në kabinet numrin 2 të pandehur nga SPAK, pse është bërë kryeministri i parë në historinë e botës që ndërhyn në një çështje në hetim, ka kërkuar ne emër të Këshillit shfuqizimin e vendimit të GJKKO-së për pjesën që ka disponuar vendosjen e pezullimit të detyrës. Ç’punë ka kryeministri që shndërron institucionin në zyrë avokatie ndaj një të pandehure. Pse do duhet kryeministri të bëhet palë në një çështje ku nuk është palë. Ai duhej të ishte këtu për të dhënë të pavërtetat e tij. Ai vetë e pranon përmes kërkesës në Kushtetuese që është bashkëfajtor me ballukun, duhej të ishte marrë bashkë i pandehur. Kërkesën e ka bërë për veten e vet, sepse urdhëruesi i aferës së tenderit të Llogarasë është Rama. Ka paditur një vendim individual për të zhbërë një masë individuale sigurimi. Pse ka ndërhyrë në një çështje të drejtësisë, pse nuk e shkarkon Ballukun? Kuvendi mund të këtë vullnet, por kërkohet procedura përkatëse dhe propozimi i kryeministrit. Të vijë të japë llogari pse e ka të domosdoshme për të mbajtur të pandehur një zv.kryeministre”, tha Bardhi.
Kërkesa e Bardhit për interpelancë me Ramën u rrëzua me 74 vota kundër dhe 17 pro.
Kërkesa e PD-së për të mbajtur interpelancë urgjente me kryeministrin Edi Rama lidhur me ankimimin e pezullimit të Belinda Ballukut në Gjykatën Kushtetuese nuk është pranuar. Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi theksoi se çështja është në Kushtetuese dhe duhet pritur vendimi nga ana e gjykatës.
74 deputetë votuan kundër dhe vetëm 17 ishin pro për mbajtjen e interpelancës.
"Objekti është aktualisht në shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese dhe kërkesa për interpelancë urgjente sipas parashikimit kushtetues, nuk është pranuar se çështja është aktualisht në Gjykatën Kushtetuese. Është ky organ që do të japë një interpretim përfundimtar mbi kompetencat dhe ndarjen e pushteteve mes institucioneve. Çdo përpjekje për të nxjerrë një vendim politik para se të përfundojë shqyrtimi kushtetues mund të cënojë parimet e pavarësisë së institucioneve. Është e domosdoshme të pritet vendimi i Gjykatës”, tha Peleshi.
Qeveria, në kërkesën depozituar në Gjykatën Kushtetuese, argumentoi se GJKKO me vendimin për pezullim ka shkelur kompetencat e Këshillit të Ministrave, Presidentit dhe Kuvendit. Por, PD, në kërkesën për interpelancë theksonte se Rama ka paraqitur pretendime në Kushtetuese në emër të Kuvendit pa marrë asnjë qëndrim nga ana e këtij institucioni.
Komente












shqiperia per fat te keq eshte peng bandash te cfaredolloji. sa turp
Përgjigju