Bota poetike e Abdullah Thaçit, poetit të fëmijëve

Bota poetike e Abdullah Thaçit, poetit të fëmijëve

Abdullah Thaçi

1. Me poetin për fëmijë e të rinj Abdullah Thaçi u takuam disa herë në Prishtinë. Çuditërisht, asnjëherë në Prizren, ku jetonte. Njohja u bë më e afërt, kur më kërkoj të isha recenzent i një libri të tij me poezi.

E kam njohur Abdullahin edhe për sportivitetin e humorin e tij, edhe për zemërbardhësinë e tij. Të bënte jo vetëm mik, por ta falte zemrën e ta jepte në dorë. Një poet i talentuar që në poezitë e tij reflektoi urtësinë dhe mençurinë popullore përmes humorit dhe proverbialitetit.

Shumë vite më vonë, rasti e solli që së bashku me poetin e talentuar Avdush Canaj të ishim recenzentë të librit “Një gjyshe më ndryshe”. Mendova se ky titull ishte i përshtatshëm, sepse përkonte me natyrën, kodin dhe karakteristikat e poezisë së tij, ndonëse e huazova nga krijimtaria e poetit të paharruar Agim Deva. Me rastin e botimit të librit, ai ma dërgoi duke ma shoqëruar edhe me një letër, siç dinte të shkruante Abdullahi. “Mik i nderuar Xhahid, Me lutje për mirëqënien Tënde, dhe të familjes sate, Ju përshëndesim familjarisht. Me shpresë që pena Juaj do të na gëzojë edhe më shumë vepra të reja, të falenderoj për librat që m’i pate dërguar, të cilët, nga kënaqësia po i rilexoj herë pas herë. Po ju dërgoj librin tim të cilin e pate recensionuar me përkushtim, përafërsisht para një viti, të cilin arrita ta botoj këto ditë, me titullin që e pate propozuar. … Të falënderoj edhe me këtë rast për kontributin e dhënë në përgatitjen e këtij libri. U pafshim për të mirë, Abdullah Thaçi, Prizren.25.07. 2012.”

2.

Abdullah Thaçi (12.06.1942 - 21.10.2015) ishte nga fshati Novosellë (Fierzë) të Pejës, aty ku lind dhe udhëton Drini i Bardhë. Shkollimin fillor e mbaroi në fshatrat e lindjes, gjimnazin në Pejë, kurse Fakultetin e Shkencave të Natyrës (kimi) në Prishtinë. Ka punuar në gjimnazin e Prizrenit dhe në Drejtorinë Komunale të Arsimit në Prizren. Që nga shkolla fillore shkruan dhe boton vjersha, kryesisht për fëmijë dhe të rinj. Rregullisht bashkëpunoi me shtypin për fëmijë. Ishte anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, si dhe i Karvanit të shkrimtarëve për fëmijë “Agim Deva”. Jetën dhe krijimtarinë letrare e ndërtoi dhe e ndau mes Prizrenit dhe fshatit të tij të lindjes, të cilin e dashuroi shumë. Autori ka botuar këta libra për fëmijë: “Lumi i dritës” – 1980, “Treni i bardhë” – 1982, “Duke pritur ylberin” – 1983, “Piknik poetik” – 1986, “Anës Drinit” – 1989, “Ani, Kosovë, ani” – 1994, “Mes dy dashurish” – 1997, “Fëmijët kanë të drejtë” – 2001, “Vjersha hutaqe” – 2003, “Porta e kufirit” – 2006, “Përralla nga Prevalla” – 2008, “Hajt, qëlloja” (gjëegjëza) – 2008, “Le të qeshë bota” – 2009, “”Një mal me këngë” – 2009, “Zogu i mjaltishtës” – 2010, “Një gjyshe më ndryshe” – 2012, “Kalaja e Fjalës” (pas vdekjes) Prizren – 2015 (Kjo vepër fitoi Çmimin Vehbi Kikaj), “Kodi i Harmonisë” (pas vdekjes) Prizren  – 2016, “Kalliri i Fjalës” (pas vdekjes) Prizren – 2016.

3.

Poeti Abdullah Thaçi i mbeti besnik poezisë. Për këtë besnikëri studiuesi Faik Shkodra ka shënjuar se “vjershat… shquhen për lirizmin e ngrohtë, për fabulat domethënëse, të cilat paraqesin gjëra interesante, të cilat nga ana e fëmijëve kapen lehtë, sepse shumë prej tyre ruajnë elemente dhe frymë të llojeve të ndryshme të folklorit, si: të përrallës, legjendës, mitit, të trajtave të dendura të mendimit e të filozofisë popullore, si: fjalëve të urta, gjëegjëzave dhe mënyrën komunikuese gojore…”[1]

     Herë pas here, këndoj dhe studioj librat poetikë të poetit Abdullah Thaçi, me pikësynimin: për një njohje të mëtejshme, më të thelluar të personalitetit të tij artistik. Së fundi, përfundova së lexuari librat: “Kalaja e fjalës” (Prizren, Biblioteka Ndërkomunale, 2015); “Kodi i Harmonisë” (Prizren, “Fidani”, 2016); “Kalliri i fjalës” (Prizren, “Fidani”, 2016). Tre libra të shkruara në gjallje, por të botuara pas vdekjes së autorit. Tre libra, si fjalë amaneti. Me  plot dhimbje studiuesi Xhevat Syla, teksa flet për poetikën e Thaçit, pohon: “Na u shua edhe një gurrë e çiltër poetike, ndër më të çiltrat që patëm, ajo që me decenie u njoh si gurrë poetike e Abdullah Thaçit, i cili diti të na gëzojë e kënaqë me çdo buqetë vjershash, secila më e mirë se tjetra,, përherë me depërtime edhe më të thella dhe me prurje të reja tematike, motivore, por edhe metrike e figuracionale, me vargjet që na vinin si rezultat i një loje dhe mjeshtërie të lakmueshme artistike.”[2]

Abdullah Thaçi e deshi aq shumë poezinë, sa iu bë pjesë e zemrës dhe e shpirtit. Nuk iu nda gjithë jetës, deri në frymën e fundit, që nga libri i parë “Lumi i dritës” (1980) e deri tek i fundit “Kalliri i fjalës” (2016). Plot 36 vjet nga botimi i librit të parë. Në këtë hark kohor vitesh e këndoi poezinë për fëmijë e të rinj ashtu butësisht e me rrezatim drite. Veç një zemër e tillë mund të shkruaj këshilla të tilla urtie:

“Në je djalë a në je burrë,

Mos i mbyll dyert me “kurrë”.

……

“Kurrja” është dry i ndryshkur,

Që e bën lulen të vyshkur.

Të gjitha dyert këtu e n’qiell,

Lëri hapur… Le të ketë diell!”

 -poezia: “Butësisht”-

Me poezinë, Thaçi ka një rrugëtim të gjatë. Edhe pas botimit të librit të fundit, me siguri do të gjenden, përsëri, të fshehura aty-këtu, edhe poezi të tjera të panjohura ende. Poezi të fshehura që u ngjajnë vjollcave që, edhe në heshtje lëshojnë aromë, freski e dashuri…

Nuk ishte rastësi, që autori Abdullah Thaçi u prezantua në fillimin e tij poetik me librin “Lumi i dritës”. Ai do të udhëtonte si lumë drite edhe me një porosi të tillë: “Kur t’iu lë shëndenë / M’përcillni me këngë!” (-poezia: “Dashjet e gjyshit”-)

Poezia në gjithë krijimtarinë poetike të Thaçit kthehet në një metaforë të jetës njerëzore. Në ligjërimin e tij poetik fantazia krijuese madhështon mendimin dhe përjetimin real, jetësor.

Në këtë aradhë librash, edhe “Kalliri i fjalës” ruan simbolikën e tij të gjetur,  karakteristikë edhe shumë librave të tjerë të mëparshëm të poetit Abdullah Thaçi.

Komunikon me çdo poezi të këtij vëllimi, dhe është e pamundur të mos marrësh ca përftesa, si këto:

*Gjen trajtime me mjeshtëri të problemeve aktuale.

*Shpesh fabulën poetike e shoqëron një dozë e caktuar humori e ironie.

*Në rrëfimin e tij ligjërimor, artikulimi i fjalës, shprehjes poetike mbart melodi, dhe është në përputhje me rendin dhe strukturat sintaksore të shqipes. Kujtojmë: “Në jetë kur vijnë / Nga farat mbijnë  … Frutat na i falin / Për vete s’i ndalin.” (poezia: Pemët”).

*Autori, herë në rolin e gjyshit, të prindit, të urtit, të poetit ndërton një mozaik poezish, ku krahas ngjyrave që “shëtisin” hapësirave të poezisë, bashkëshoqërohen edhe plot këshilla e porosi të vlefshme.

*Përmes preferencave të tij të vargëzimit, si: distik, tercinë, katër vargësh, monokolonë, etj., ‘qëndis’ peizazhet përmes detajeve poetike të kthyera në metafora, të cilat i dashuron së tepërmi. Një pjesë të shpirtit të poetit e gjejmë tek poezitë, si: “Veriu”, “Hëna”, “A kthehet?”, “Zgjim pranveror”, “Është – ç’ është -1”, “Dashjet e gjyshit”, etj.

Kuvendimin poetik me Thaçin e vazhdoj më tej, sepse në larminë e poezive të tij  rrezatojnë befasime lodërtare, proverbiale, urtake, me urime dhe bekime nënash e një begati fantazie, kësaj radhe e ushqyer nga një informacion i pasur shkencor, etj., etj. Larmia e motiveve, gjerësia dhe thellësia e tyre, na konkludon se ai e rrëfeu bukur dhe e ligjëroi ndjeshëm poezinë, ku në zanafillë ruan origjinalitetin thaçian. Origjinalitet që përherë pati si fokusimin personazhin-fëmijë. Mjafton të kujtojmë: si i drejtohet, si e pyet, si i rrëfehet, si e shoqëron, si i buzëqesh, si e uron…

Abdullah Thaçi si individualitet artistik la shkollën e tij poetike në letërsinë shqipe për fëmijë e të rinj. Po përmend poezinë “Kënga e mugët e gjyshit”, që ka vlerën e një monumenti, për të kuptuar shpirtin e poetit: “Një atdhe në tokë / Një atqiell mbi kokë / Rreth me miq e shokë. // Unë diku në mes / Në stacion të pres / Trenat përshëndes. // Venë e vijnë vagonat / Mbush e zbraz stacionet / Hip e zbrit gjitonët. // Në cep të katundit / Pi kafenë e mundit / Hip n’vagon të fundit.” 

Në të gjitha këto hapësira-realitetesh të pasurisë së tij poetike lëviz e kaluara, e sotmja dhe e ardhmja, ku poeti Abdullah Thaçi me fjalë e pa bujë, me shpirt e në heshtje e dritësoi letërsinë shqipe për fëmijë e të rinj me mjaltin e tij, dhe për këtë mjaltë gjeti lulet më të bukura me syrin e poetit, gjeti lule me aromë vendlindjeje...

Shkodër, qershor 2016

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Netanyahu do të apelojë urdhrin e arrestit të lëshuar nga GJPN

Netanyahu do të apelojë urdhrin e arrestit të lëshuar nga GJPN