SHBA, KANSAS/ Angli - Argjentinë, kjo do të jetë gjysmëfinalja e dytë e Kupës së Botës 2026. Mëngjesin e kësaj të diele me orën shqiptare, Argjentina vuajti 120 minuta, por ia doli të mposhtte 3-1 Zvicrën dhe të merrte biletën e vetme të mbetur për në fazën gjysmëfinale të Botërorit. Tanimë kampionët në fuqi të botës janë vetëm një ndeshje larg finales së madhe, ndërsa më 15 korrik në orën 21:00 përballë do të jetë Anglia.

Ndeshja nisi shumë mirë për Argjentinën, me Lionel Messin që asistoi për Mac Allister i cili shënoi me kokë. Messi bëhet asistuesi më i mirë në Kupat e Botës me dhjetë pasime finale.

Zvicra me Granit Xhakën në fushë nuk u dorëzua dhe barazoi për rezultatin 1-1 në minutën e 67-të me një gol të bukur të Ndoye. Vetëm pesë minuta më vonë Zvicra mbeti me një lojtar më pak pas daljes me karton të kuq të Embolo. I dyti i verdhë solli protesta të mëdha te Zvicra, aq sa Xhaka me shokë bënë edhe shenjën 'ka mbaruar, e vendosur'.

Megjithëse me një lojtar më shumë Argjentina nuk shënoi brenda kohës së rregullt dhe 90 minutat u mbyllën 1-1. Duhej minuta e 112-të që Julian Alvarez me një supergol të kalonte amerikano-latinët në epërsi, përpara se Lautaro Martinez në minutën e 120+1 të 'vuloste' rezultatin në 3-1.

Kështu, marrin fund çerekfinalet e Botërorit për t'ia lënë vendin dy gjysmëfinaleve; Francë - Spanjë dhe Angli - Argjentinë.

Kupa e Botës, faza gjysmëfinale:

14 korrik 21:00 Francë - Spanjë

15 korrik 21:00 Angli - Argjentinë

Rezultatet e ndeshjeve çerekfinale:

9 korrik ora 22:00 / Francë 2-0 Marok (Boston)

10 korrik ora 21:00 / Spanjë 2-1 Belgjikë (Los Angeles)

11 korrik ora 23:00 / Norvegji 1-2 Angli (Miami)

12 korrik ora 03:00 / Argjentinë 3-1 Zvicër (Kansas)

Rruga drejt finales

Për të lexuar lajme të tjera nga Botërori KLIKONI KËTU.

Për të parë rezultatet e ndeshjeve të Botërorit KLIKONI KËTU.