LIVE/ Norvegji 1-1 Angli (Schjelderup 36' / Bellingham 45+2')

SHBA - Stadiumi 'Hard Rock' në Miami është arena ku Norvegjia dhe Anglia po përballen këtë të shtunë me fillim nga ora 23:00 për çerekfinalet e Kupës së Botës 2026.

Komentet më të rëndësishme:

55' Torbjorn Lysaker Heggem shënon golin e dytë për Norvegjinë, por VAR 'ngrin festën' për një faull në zonë nga Haaland dhe anulon gjithçka.

46' Nis pjesa e dytë. Anglia bën dy zëvendësime, Tuchel largon Madueke dhe Rice, në vend të tyre Saka dhe Eze.

45+5' Mbyllet 1-1 pjesa e parë.

45+4' Harry Kane shënon, por sulmuesi ndodhej në pozicion jashtë loje.

45+2' GOOL! Jude Bellingham barazon shifrat në 1-1. Gordon vepron bukur, pason për yllin e Real Madrid që depërton në zonë dhe me të majtën e ndal sferën pas krahëve të Nyland.

36' GOOL! Andreas Schjelderup kalon Norvegjinë në epërsi me një supergol. Anësori nordik lëshoi një të majtë diagonale duke befasuar portierin Pickford. VAR konfirmon golin pas dyshimeve për një faull gjatë aksionit.

35' Haaland me kokë, pret Pickford për Anglinë.

1' Nis ndeshja në Miami.

Trajneri Stale Solbakken ka shkruar historinë me Norvegjinë në këtë Kupë Bote. Fitorja ndaj Brazilit në fazën e 1/8-ave, që konsiderohet një nga sukseset më të mëdha në historinë e futbollit norvegjez, i siguroi ekipit kualifikimin në çerekfinalet e një turneu madhor për herë të parë.

Triumfi ndaj një kombëtareje të renditur mes pesë më të mirave në renditjen e FIFA-s ishte një arritje e jashtëzakonshme. Megjithatë, për të vazhduar më tej, Norvegjia duhet ta përsërisë këtë sukses. Statistikat nuk janë në favor të saj, pasi në gjashtë përballjet e mëparshme ndaj kundërshtarëve evropianë në Kupën e Botës nuk ka arritur asnjë fitore (2 barazime, 4 humbje). Në këtë seri përfshihet edhe humbja 4-1 ndaj Francës në këtë edicion të turneut. Pavarësisht kësaj, 16 fitore në 21 ndeshjet e fundit ndërkombëtare (3 barazime, 2 humbje) u japin norvegjezëve besimin se mund ta thyejnë këtë traditë negative.

Nga ana tjetër, Anglia arriti të eliminojë Meksikën me rezultatin spektakolar 3-2 në fazën e 1/8-ave, pavarësisht se luajti me një lojtar më pak dhe u përball me vështirësitë e lartësisë mbi nivelin e detit dhe atmosferën e stadiumit 'Azteca'. Skuadra e drejtuar nga Thomas Tuchel siguroi kështu çerekfinalen e pestë radhazi në një turne madhor.

Megjithatë, anglezët nuk mund të lejojnë vetëkënaqësi. Ata kanë humbur pesë nga gjashtë ndeshjet e fundit me eliminim direkt në Kupën e Botës ndaj kundërshtarëve evropianë, përfshirë humbjen ndaj Francës në çerekfinalet e edicionit të kaluar. Megjithatë, seria prej gjashtë fitoresh në shtatë ndeshjet e fundit (1 barazim) ka rritur besimin se "Tre Luanët" po arrijnë kulmin e formës në momentin ideal, ndërsa vazhdojnë përpjekjen për t'i dhënë fund pritjes 60-vjeçare për një trofe të madh ndërkombëtar.

Historia e përballjeve direkte

Anglia ka dominuar 12 përballjet e fundit mes dy kombëtareve, me 7 fitore, 3 barazime dhe vetëm 2 humbje. Ajo synon gjithashtu ndeshjen e pestë radhazi pa pësuar gol ndaj Norvegjisë. Kjo do të jetë përballja e parë mes tyre që nga viti 2014.

Statistika interesante

Në 11 nga 12 ndeshjet e fundit të Norvegjisë kanë shënuar gol të dyja skuadrat.

Gjashtë ndeshjet e fundit zyrtare të Norvegjisë kanë prodhuar të paktën një gol pas minutës së 85-të.

Katër nga pesë ndeshjet e Anglisë në këtë Kupë Bote kanë pasur saktësisht dy gola në pjesën e dytë.

Anglia ka shënuar pas minutës së 60-të në pesë nga gjashtë ndeshjet e fundit ndërkombëtare.

Fituesi i këtij çifti do të përballet në gjysmëfinale me fituesin e duelit mes Argjentinës dhe Zvicrës.

Norvegji - Angli, formacionet

Për të lexuar lajme të tjera nga Botërori KLIKONI KËTU.

Për të parë rezultatet e ndeshjeve të Botërorit KLIKONI KËTU.