Kombëtarja e Spanjës ka marrë një sinjal alarmi vetëm dy ditë përpara finales së madhe të Kupës së Botës 2026 ndaj Argjentinës, pasi Lamine Yamal dhe Pedro Porro nuk janë stërvitur me pjesën tjetër të skuadrës.

Shqetësimi më i madh lidhet me Lamine Yamal. Talenti 19-vjeçar u pa gjatë fitores 2-0 ndaj Francës në gjysmëfinale duke mbajtur kofshën pas një dueli me Kylian Mbappe, çka ngriti dyshime për një problem muskulor. Si masë paraprake, ai mungoi në seancën stërvitore të së enjtes me ekipin.

Në të njëjtën situatë ndodhet edhe mbrojtësi i djathtë Pedro Porro, i cili po ashtu po menaxhon disa shqetësime muskulore dhe nuk u bashkua me grupin në stërvitje.

Përzgjedhësi i Spanjës, Luis de la Fuente, konfirmoi se të dy futbollistët po monitorohen nga stafi mjekësor, ndërsa programi i tyre është përshtatur për të shmangur çdo rrezik para finales.

Megjithatë, lajmet që vijnë nga kampi spanjoll mbeten inkurajuese. Sipas medieve spanjolle, as Yamal dhe as Porro nuk kanë pësuar dëmtime serioze dhe pritet të jenë gati për sfidën vendimtare kundër Argjentinës.

Finalja e Kupës së Botës 2026 mes Spanjës dhe Argjentinës do të zhvillohet të dielën, duke nisur nga ora 21:00.