MEKSIKË, Monterrey - Pas Gjermanisë, edhe Holanda i jep lamtumirën Botërorit 2026. 'Tulipanët' barazuan 1-1 kundër Marokut në fazën e 1/16-ave mëngjesin e sotëm me orën shqiptare, por 'ruleta e penalltive' foli për afrikanët të cilët fituan 3-2 duke marrë biletën për në fazën e 1/8-ave, aty ku i pret Kanadaja.
NDESHJA - Dueli nisi me kujdesin e të dyja skuadrave për mos u hedhur në aventurë, ndërsa 45 minutat e para u mbyllën 0-0 edhe pse Maroku ishte më kërkues. Nisja e fraksionit të dytë pa afrikanët me disa raste të pastra, por Verbruggen në portë bëri shpëtimtarin për holandezët.
Në minutën e 72-të Summerville përfitoi nga shpejtësia e tij, teksa pasoi për Cody Gakpo edhe pse ishte i rrëzuar në tokë. I vetëm përballë portierit Gakpo nuk gaboi dhe kaloi Holandën në epërsi. Sulmuesi tre ditë më parë përjetoi një tragjedi, pasi së bashku me bashkëshorten humbën foshnjën e palindur. Gol, lot dhe sytë në qiell me lutje nga Gakpo.
Kur u duke se 'Tulipanët' do të merrnin suksesin, në shtesën e parë një pasim i Talbi bëri që Diop me kokë të barazonte rezultatin në 1-1, duke i dërguar skuadrat në një shtesë më të madh prej 30 minutash. Edhe pse Maroku pati disa shanse të mira, ndeshja u mbyll 1-1 pas 120 minutave lojë dhe gjithçka u vendos nga pika e bardhë e penalltive.
Kluivert, Timer dhe Summerville gabuan për Holandën, duke bërë që Maroku të tregohej më i saktë për të marrë të drejtën e kalimit më tej (3-2 pas penalltive).
Për të lexuar lajme të tjera nga Botërori KLIKONI KËTU.
Për të parë rezultatet e ndeshjeve të Botërorit KLIKONI KËTU.
Komente





