Kapiteni i Argjentinës, Lionel Messi, e ka cilësuar si një sfidë të veçantë përballjen ndaj Anglisë në gjysmëfinalen e Botërorit 2026, duke theksuar se do të jetë hera e parë në karrierën e tij që luan kundër kombëtares angleze.

Ylli argjentinas vlerësoi maksimalisht kundërshtarin, duke e përshkruar Anglinë si një nga skuadrat më të forta në futbollin botëror.

“Është një ndeshje e veçantë. Është hera e parë që luaj kundër Anglisë. Kam luajtur kundër pothuajse të gjitha kombëtareve të mëdha, përveç tyre. Janë një skuadër e shkëlqyer, një fuqi e vërtetë dhe është gjithmonë kënaqësi të përballesh me ekipe të këtij niveli. Tani po përpiqem të rikuperohem sa më mirë, sepse kemi kaluar shumë lodhje dhe duam të paraqitemi në formën më të mirë të mundshme për të vazhduar rrugëtimin tonë”, u shpreh Messi.

Pavarësisht karrierës së jashtëzakonshme, Anglia mbetet e vetmja kombëtare elitare me të cilën 39-vjeçari nga Rosario nuk është përballur asnjëherë në një ndeshje zyrtare apo miqësore.

Takimi i fundit mes Argjentinës dhe Anglisë daton më 12 nëntor 2005, në një ndeshje miqësore. Messi ishte pjesë e grumbullimit të trajnerit Jose Pekerman, por nuk mundi të aktivizohej, pasi ishte i pezulluar pas kartonit të kuq të marrë në debutimin e tij ndaj Hungarisë.

Ndërkohë, policia në Atlanta po rrit masat e sigurisë përpara këtij dueli.

"Personeli shtesë është tashmë në terren dhe do të vendoset në zonat e nxehta, zonat e argëtimit dhe zona të tjera me trafik të lartë për të siguruar një përvojë të sigurt dhe të këndshme për të gjithë“, tha policia e Atlantës.

“Masat proaktive të marra synojnë mbrojtjen e publikut, pengimin e aktivitetit kriminal dhe sigurimin që banorët dhe vizitorët të mund të shijojnë në mënyrë të sigurt këtë ngjarje historike“, thuhet më tej në deklaratë.

Stadiumi me 75,000 vende pritet të ndahet në mënyrë të barabartë midis tifozëve, falë pranisë së komuniteteve të mëdha të emigrantëve nga të dyja vendet.

Ekziston një diasporë e madhe argjentinase në Florida dhe mijëra pritet të udhëtojnë për në Atlanta. Numri i tifozëve anglezë pritet të rritet në orët në vijim, me mijëra që do të mbërrijnë për ndeshjen.

Për të lexuar lajme të tjera nga Botërori KLIKONI KËTU.

Për të parë rezultatet e ndeshjeve të Botërorit KLIKONI KËTU.