SHBA - Organizimi i Kupës së Botës 2026 po shoqërohet gjithnjë e më shumë me polemika, teksa FIFA po përballet me pakënaqësi në rritje nga tifozët që synojnë të ndjekin nga afër ndeshjet e turneut.
Një nga shqetësimet kryesore lidhet me çmimet e larta të biletave, ndërsa FIFA ka pranuar se nuk ka mundësi të ndalojë rishitjen e tyre, pasi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kjo praktikë është e ligjshme.
Së fundmi, ka dalë në pah edhe një tjetër problem, këtë herë i lidhur me infrastrukturën dhe aksesin në stadiume. Ndryshe nga Evropa, transporti publik në SHBA nuk është gjithmonë i zhvilluar në mënyrë që të lehtësojë lëvizjen e tifozëve, duke i detyruar shumë prej tyre të përdorin automjetet personale për të shkuar në impiantet sportive.
Sipas gazetarit Henry Bushnell të 'The Athletic', FIFA ka vendosur të shesë edhe vendet e parkimit pranë stadiumeve. Për shembull, një vend parkimi pranë “SoFi Stadium” në Los Angeles po ofrohet me çmim që varion nga 250 deri në 300 dollarë amerikanë për ndeshje.
Përveç kostos së lartë, tifozët janë ankuar edhe për distancën që duhet të përshkojnë nga parkingjet deri në stadium, e cila në disa raste arrin deri në rreth 1.500 metra.
Një tjetër vendim që rrezikon të rëndojë më tej marrëdhënien mes FIFA-s dhe tifozëve, vetëm pak muaj para fillimit të Botërorit më të madh në histori.
Komente










