Botërori 2026 ka sjellë një tjetër ndryshim në pankinat e kombëtareve. Pas eliminimit të Portugalisë nga Spanja në fazën e 1/8-ave, Roberto Martinez ka konfirmuar largimin nga drejtimi i përfaqësueses luzitane.
Trajneri spanjoll e bëri të ditur vendimin në konferencën për shtyp pas ndeshjes, duke theksuar se objektivi i tij ishte fitimi i Kupës së Botës.
“Erdha te Portugalia për të fituar Botërorin dhe mendoj se pa e fituar nuk ka kuptim të vazhdoj. Këshilli Administrativ dhe presidenti kanë mundësinë të zgjedhin trajnerin e ri. Presidenti më ka mbështetur gjithmonë në punën time, por kontrata ime skadon sot dhe nuk kam çfarë të shtoj më”, deklaroi Martinez.
Roberto Martinez mori drejtimin e Portugalisë në janar të vitit 2023, duke pasuar Fernando Santos pas Kupës së Botës në Katar. Pas më shumë se tre vitesh në krye të kombëtares, aventura e tij mbyllet pa arritur objektivin madhor.
Ndërkohë, Federata Portugeze e Futbollit duket se ka gati edhe pasuesin. Sipas raportimeve të të përditshmes A Bola, favorit për të marrë drejtimin e Portugalisë është Jorge Jesus.
Tekniku portugez, i cili aktualisht është i lirë pas përfundimit të eksperiencës së tij te Al Nassr, pritet të nisë një cikël të ri me synim Euro 2028 dhe Kupën e Botës 2030, turne që Portugalia do ta organizojë së bashku me Spanjën dhe Marokun.
Sipas medias portugeze, sapo kombëtarja të kthehet në vend, Jorge Jesus do të zhvillojë një takim me presidentin e Federatës, Pedro Proença, për të finalizuar marrëveshjen dhe për t'u zyrtarizuar si trajneri i ri i Portugalisë.
Për të lexuar lajme të tjera nga Botërori KLIKONI KËTU.
Për të parë rezultatet e ndeshjeve të Botërorit KLIKONI KËTU.
Komente










