Tre gola, kartona, tension, raste, polemika dhe një histori lufte që zgjat që nga viti 1982. Argjentina, kampione bote në fuqi përmbysi 1-2 Anglinë në Atlanta për ndeshjen gjysmëfinale të Kupës së Botës 2026, duke marrë biletën e mbetur për në finalen e 19 korrikut kundër Spanjës.

Argjentina festoi në fund, por futbollistët në fushë nuk mund të shmangnin pjesën politike. Kujtimi i konfliktit të armatosur të vitit 1982 për sovranitetin mbi Ishujt Falkland (Malvinas) dhe humbja e Argjentinës në atë luftë mbeten thellësisht të ngulitura në vetëdijen kombëtare dhe çdo ndeshje kundër Anglisë është një mundësi për të riafirmuar të drejtën e Argjentinës mbi arkipelagun e Atlantikut të Jugut, sot një territor nën administrimin e Mbretërisë së Bashkuar.

Disa minuta pas vërshëllimës së fundit, ndërsa euforia vazhdonte ende, disa lojtarë të ekipit kombëtar argjentinas, të udhëhequr nga Giovani Lo Celso, shtrinë një flamur të bardhë në fushë me një mesazh të qartë: "Malvinas janë argjentinase". Flamuri fillimisht u mbajt nga Lisandro Martinez, më pas iu bashkua Lo Celso dhe një pjesë e madhe e futbollistëve.

Reagimet pas ndeshjes

Trajneri i Anglisë, Thomas Tuchel nuk pranoi asnjë kritikë pas humbjes, duke thënë se ekipi i tij ka zhvilluar një nga ndeshjet më të mira, 'për mos thënë më të mirën'.

"Ka miliona trajnerë pas ndeshjes që e dinë se çfarë duhej bërë më mirë. Është e lehtë të thuash se vendimet e mia ishin të gabuara pasi gjërat nuk shkuan mirë. Nuk kam asnjë pendesë. Zhvilluam një nga ndeshjet tona më të mira, në mos më të mirën", tha mes të tjerash Tuchel.

Nga ana tjetër, Lionel Scaloni nuk mund ta fshihet emocionin duke thënë se të tijtë e merituan fitoren. Nuk mund të mungonin elozhet për Messin.

"Shpresoj që tifozët spanjollë të jenë të lumtur që do të përballen me Argjentinën në finale, duke pasur parasysh gjithë gëzimin që Leo Messi i ka dhuruar atij vendi. E di që shumica e njerëzve në Spanjë e duan Messin.

Çfarë tjetër duhet të bëjë Messi që të njihet si futbollisti më i madh në histori? Nuk ka më asnjë dyshim.

Jemi unikë, më besoni. Këta lojtarë…., është e pamundur për t’u shpjeguar. E merituam fitoren ndaj Anglisë. Kur ndiejmë erën e gjakut, hidhemi në sulm", tha Scaloni, trajneri kampion bote në fuqi.

Kapiteni i Anglisë, Harry Kane ishte i dëshpëruar për mënyrën sesi shkoi loja.

"Jam i shkatërruar. I shkatërruar për djemtë, për të gjithë, stafin dhe tifozët. Bëmë një ndeshje të mirë në pjesën më të madhe të kohës. Kur shkuam 1-0 dukej se u limituam me rezistencën. Në këtë nivel, nuk është e mjaftueshme", tregoi Kane, autori i gjashtë golave këtë Botëror.

"Vuajtëm për të ushtruar presion. Besoj se sidomos në pjesën e parë dhe në fillim të së dytës i presuam mirë. Rikuperuam topa në gjysmëfushën kundërshtare dhe kontrolluam ndeshjen. Patëm momente të bukura në këtë turne, ndeshje të mira.

Një tjetër gjysmëfinale, një hap larg fitores. Duhet të gjejmë vetëm atë pjesën që mungon në fazën finale të kompeticionit. Këta turne të shterojnë energjitë, presioni dhe mentaliteti. Kemi treguar shumë këto 6-7 javë, na mungon vetëm ai hapi final", tha Kane.

Pas ndeshjes nuk munguan përplasjet në fushë. Jude Bellingham i Anglisë nuk duroi dot festën e Argjentinës duke goditur me shpullë pas koke një prej kundërshtarëve. Kaq mjaftoi që për disa sekonda gjakrat të nxeheshin.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:12
VIDEO/ Portieri Pickford lë shënimet në fushë, futbollistët e Argjentinës zbulojnë 'armën sekrete' të Anglisë

1784189669_argjentina.jpg

Portieri i Anglisë, Jordan Pickford, ishte i përgatitur për gjuajtjet me penallti kundër Argjentinës, por kur lojtarët rivalë i gjetën shënimet e tij ishte tepër vonë pas anglezët u përmbysën 1-2.

Momenti kur lojtarët e Argjentinës me Lionel Messin në krye kanë gjetur shënimet e Pickford është bërë viral në internet. Portieri i Anglisë kishte studiuar goditjet e penalltive të rivalëve, duke i shënuar në shishen e tij të ujit, siç bëjnë zakonisht portierët.

Mirëpo këto të dhëna nuk i hynë në punë Pickford pasi Anglia e tij humbi 1-2 brenda 90 minutave. Interesant është reagimi i futbollistëve të Argjentinës që kanë zbuluar 'armën sekrete' të rivalëve, paçka se gjithçka kishte përfunduar.

Ora 09:54
VIDEO/ Jude Bellingham godet me shpullë futbollistin e Argjentinës, sherr pas ndeshjes gjysmëfinale

Jude Bellingham nuk i ka mbajtur dot nervat pas humbjes së Anglisë kundër Argjentinës. Mesfushori ka parë rivalët të festojnë përpara syve të tij dhe ka goditur me shpullë në kokë një prej rivalëve, pikërisht Valentin Barco.

Kaq ka mjaftuar që për disa çaste gjakrat në fushë të ndizeshin dhe futbollistët nga dy kampet të kishin shtyrje mes tyre.

Ora 09:38
VIDEO/ Festë e madhe në Buenos Aires, tifozët e Argjentinës mbushin rrugët dhe sheshet pas fitores kundër Anglisë

Fitorja 1-2 me përmbysje kundër Anglisë ka bërë që tifozët e Argjentinës të jenë në festë të madhe. Kulmi ishte në kryeqytetin e Argjentinës, Buenos Aires. Mijëra tifozë e ndoqën përballjen në rrugët dhe sheshet e qytetit ndërsa pas përballjes festa ishte legjitime.

Atmosfera u elektrizua nga këngët tradicionale të tifozëve, si “Muchachos”, “Olé, olé, olé, Messi, Messi” dhe “Kush nuk kërcen është anglez”, ndërsa himni i ri i këtij Botërori, “La cuarta estrella” (“Ylli i katërt”), u këndua në kor nga turma. Boritë e makinave dhe fishekzjarrët shoqëruan festimet deri në orët e vona të natës.

Festë kishte edhe në qytetete e tjera të Argjentinës dhe në shtetet ku komuniteti argjentinas është i madh.