Kombëtarja e vajzave në futboll njohu këtë të martë rivalet që do të ketë përballë në kualifikueset e Botërorit “Brazil 2027”. Në shortin e hedhur në selinë e UEFA-s në Nyon të Zvicrës, Shqipëria është pozicionuar në grupin B1, ku do të përballet me Uellsin, Çekinë dhe Malin e Zi.

Ndeshjet kualifikuese do të zhvillohen sipas sistemit vajtje-ardhje dhe sipas kalendarit të UEFA-s, takimet kualifikuese do të nisin në muajin shkurt dhe sfidat përmbyllëse do të luhen në qershor.

Pas përfundimit të ndeshjeve kualifikuese, do të nisë faza Play-off. Kombëtarja e vajzave mund të kualifikohet në këtë fazë nëse renditet në vendin e I, II ose të III-të të grupit B.

Kalendari i ndeshjeve:

Ndeshja 1 & 2: 26 shkurt – 7 mars 2026

Ndeshja 3 & 4: 9-18 prill 2026

Ndeshja 5 & 6: 3-9 qershor 2026

Si funksionon faza play-off?

Pas përfundimit të sfidave kualifikuese, do të nisë faza play-off që do të përcaktojë ekipet që do të kualifikohen për në Botërorin “Brazil 2027”. Katër vendet e para të katër grupeve në Ligën A do të kualifikohen automatikisht për në finalet e Botërorit. 8 ekipet e tjera do të kualifikohen përmes një faze play-off që do të luhen në nëntor/dhjetor 2027.

Ekipet që renditen në vendin e dytë dhe të tretë në Ligën A do të luajnë me ekipet e renditura në vendet e para dhe dy më të mirat e grupeve në Ligën C. 8 ekipet fituese do të kalojnë në raundin e dytë.

4 ekipet e renditura në vendet e fundit në grupet e Ligës A dhe katër fitueset e grupeve në Ligën B do të përballen me 8 ekipet e renditura në vendet e dyta dhe të treta të grupeve të Ligës B. 8 fitueset nga këto përballje do të kalojnë në raundin e dytë.

Më pas, skuadrat e kualifikuara në raundin e dytë do të përballen më njëra-tjetrën, po me sistem vajtje-ardhje nga ku do të përcaktohen edhe shtatë ekipet e tjera që do të shkojnë në finalet e Botërorit. Ndërsa ekipi i tetë me koeficientin më të ulët sipas renditjes së UEFA-s do të marrë pjesë në fazën play-off, ku do të përballet me ekipet e gjashtë konfederatave të tjera.

Shorti i fazës Play-off: 24 qershor 2026

Raundi i parë: 7-13 tetor 2026

Raundi i dytë: 26 nëntor-5 dhjetor 2026

Play-off i mes ekipeve të 6 konferederatave – Shkurt 2027