U konsiderua si e vetmja që mund të ndalte superfuqinë e Francës dhe ia doli. Spanja, pas 16 vitesh ka arritur të sigurojë finalen e Botërorit, duke mposhtur me rezultatin e pastër 2-0 ‘gjelat’ e Deschamps. Në Miami gabimet ishin përcaktuese dhe sidomos ai i Digne në minutën e 20. Yamal ia arriti të fitonte një penallti, që pak sekonda më pas u konkretizua nga Oyrazabal, i cili i dha epërsinë La Roha-s.
Tentativat e Francës për të barazuar ishin të parrezikshme, ndërsa në pjesën e dytë Pedro Porro i dha goditje të fortë duelit, duke dyfishuar rezultatin. Spanja ishte shumë agresive dhe qarkulloi rrjedhshëm topin, duke mos i dhënë asnjë mundësi Francës që largohet me keqardhje të madhe nga Botërori. Sipas Rayan Cherki-t ‘Francën këtë Botëror mund ta eliminonte vetëm vetja’. Shumë i zhgënjyer edhe Kylian Mbappe, i cili mbyll sezonin pa trofe dhe automatikisht del nga gara për ‘Topin e Artë’. Numri 10 i Francës deklaroi se ‘gjelat nuk u paraqitën në lartësinë e një gjysmëfinaleje të Botërorit në këtë ndeshje’, ndërsa shtoi se ‘bënë shumë gabime teknike dhe taktike’.
Eliminimi në gjysmëfinale nga Spanja mbylli edhe kapitullin e trajneri Didier Deschamps, i cili ishte emëruar te Franca në vitin 2012. Pas ndeshjes ai kishte shumë rezerva për arbitrimin, por tha se ‘nuk është momenti i duhur’. Mbetet vetëm çështje ditësh që vendin e tij te ‘gjelat’ pas 14 vitesh ta marrë Zinedine Zidane.
Komente




