Bozdo-qeverisë: Ndalove parkimin
në Bulevard...tani zhblloko tramin

Bozdo-qeverisë: Ndalove parkimin<br />në Bulevard...tani zhblloko tramin
TIRANE - Nënkryetari i Bashkisë së kryeqytetit Eno Bozdo i bëri thirrje qeverisë që t’i japë “OK” nisjes së zbatimit të projekteve të Tramit dhe Terminalit Multimodal, pas përfundimit të një takimi mes dy kompani të interesuara për zhvillimin e dy projekteve.

Deri më tani, Bozdo është shprehur se Bashkia ka hasur pengesë politike nga ana e mazhorancës, duke nisur që nga Këshilli Bashkiak ku e majta ka shumicën e deri tek firma e qeverisë.

“Të dy projektet ne presim ende një përgjigje nga qeveria qendrore, duke shpresuar që kjo përgjigje të jetë pozitive dhe që Tirana të ketë terminalin e saj, si të gjithë kryeqytetet e tjera evropiane por të ketë edhe linjën e parë të tramit të saj, në të mirë të qytetarëve të Tiranës. Kjo nuk ka lidhje me koston financiare pasi qeverisë qendrore nuk i kërkohet absolutisht asgjë dhe çfarë i kërkohet është vetëm të japë dakordësinë e saj, që Bashkia e Tiranës të procedojë për këto dy projekte shumë të rëndësishme për kryeqytetin, për sot, nesër dhe dekadat që vijnë.

 I bëj thirrje edhe njëherë kryeministrit që projektet në interes të Tiranës, veçanërisht këto dy projekte transporti në asnjë mënyrë nuk duhet të stopohen në emër të luftës politike por të kenë mundësi që të vijojnë, në të mirë të interesit, në të mirë të mjedisit, për të mirën e transportit në Tiranë, në të mirë të qytetarëve të Tiranës dhe sikur kjo të ndodhë do të ishte një shenjë shumë e mirë bashkëpunimi”, tha Bozdo.

Numri dy i Bashkisë ka prekur dhe çështjen e kthimit të sheshit “Nënë Tereza” në pedonale, duke saktësuar se që në pikënisje ka qenë një projekt i bashkisë. Bozdo shtoi se vendimi i qeverisë për të bërë ndalimin e parkimit të automjeteve në segmentin që lidh bulevardin me këtë shesh, hap probleme serioze për parkimin e makinave, por sipas tij ka një zgjidhje.


“Me një të rënë të lapsit, praktikisht qytetarëve të Tiranës u mohohen kilometra të tërë parkim. E them këtë, sepse ndërsa ndalohet parkimi në një vend në Tiranë, duhet patjetër të gjendet një opsion tjetër për parkimin, që edhe pa këtë ndërhyrje të qeverisë është i rënduar. Ky vendim duhet të merret vetëm pasi të krijohej infrastruktura e nevojshme si terminali i ri i Tiranës i cili do të ketë një ndikim të jashtëzakonshëm në parkimet në Tiranë. Nuk do të jenë vetëm 6 tonë CO2 që nuk do të derdhen më por do të jenë më shumë se 7 km parkim në Tiranë, që do u kthehen qytetarëve të Tiranës. Pra, kjo është një zgjidhje konkrete, kështu flasim ne me shifra konkrete.
 
Po kështu, trami i Tiranës është një tjetër alternativë dhe tramet kanë provuar të jenë të njëjtat, të vetmet projekte që kanë reduktuar numrin e makinave në rrugë, jo vetëm në vendet e rajonit por kudo në botë dhe nxiten nga Komisioni Evropian. Është një projekt i gatshëm, nuk kushton asnjë lek, mjafton të zhbllokohet. Këto janë masa konkrete që rrisin cilësinë e jetës dhe që ofrojnë mundësi për qytetarët e Tiranës” – deklaroi  Bozdo. 


Për nënkryetarin Bozdo, urdhri qeverisë për të bllokuar parkimin ishte i pavend dhe në shkelje të kompetencave të Bashkisë së Tiranës

Redaksia Online
(Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria hap negociatat me BE për kapitullin 1, kur do ndodhë integrimi?



×

Lajmi i fundit

Kapiteni Elseid Hysaj: Goli i dytë na 'preu' këmbët, edhe mund të fitonim

Kapiteni Elseid Hysaj: Goli i dytë na 'preu' këmbët, edhe mund të fitonim