NIKOSIAS- Qeveria dhe partitë kanë rënë dakord në unanimitet për të krijuar një fond shpëtimi që do të kontribuojë në shpëtimin e sektorit financiar një propozim që mund të debatohet në Parlament. Lajmi është bërë i ditur nga zëdhënësi i qeverisë, Christos Stylianides, lideri i partisë në qeveri Disy, Averof Neofitu i cili shtoi “Jam optimist se do të ketë një zgjidhje”

Objektiv i të gjithëve është të shpëtosh falimentimin e Qipros, ka thënë Neofitu në fund të një takimi mes presidentit qipriot, konservatorit Nikos Anatasiades, liderët e partive dhe përfaqësuesve të bankës qendrore në Qipro. Neofitu nuk ka shtuar të dhëna të tjera si do të funksionojë ky fond shpëtim duke u limituar të thotë se funksionimi do të përcaktohet me ligj, i cili duhet të miratohet nga parlamenti.

”Jemi anëtarë të BE dhe Eurozonës dhe është në interesin tonë të vazhdojmë të mbetemi në Eurozonë”- nënvizoi ai. Ndërkohë që liderët politkë të dalë nga takimi kanë thënë se është braktisur ideja e taksës mbi depozitat bankare.

Ndërkohë Banka Qendrore Evropiane (BQE) i ka dhënë Qipros afat deri të hënën, për të dalë me një plan, i cili do t’i lejonte të sigurojë ndihmën ndërkombëtare.

BQE është duke mbajtur të bllokuara bankat e Qipros, duke i lejuar të përdorin vetëm fondet emergjente nga banka lokale qendrore.

Insitucioni monetar evropian ka thënë se do të ndërpresë gjithë financimin, nëse deri të hënën nuk ka marrëveshje për paketën e ndihmës.

Të martën, më 19 mars, deputetët refuzuan ndihmën prej 10 miliardë eurosh nga huadhënësit ndërkombëtarë, e cila në këmbim parashihte taksa deri në 10 për qind për depozitat bankare në Qipro.

Ministri qipriot i Financave ndodhet në Moskë, për të kërkuar ndihmë financiare në Rusi, e cila ka sytë tek bankat në Qipro pasi miliarderët rusë kanë të depozituar në këto banaka miliarda dollarë.

Redaksia online

(sg/shqiptarja.com)