TIRANE- Pas shifrave të publikuara ditën e sotme gjatë konferencës së përbashkët të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Ministrit të Financave, guvernatorit të Bankës së Shqipërisë dhe Ministrit të Ekonomisë, ka reaguar edhe deputeti Erjon Braçe, njëherësh kryetar i Komisionit të Ekonomisë.
 
Në faqen e tij në rrjetin social “Facebook”, Braçe i kërkon ish-kryeministrit Berisha të flasë lidhur me shifrat e bëra publike sot, të cilat sipas tij flasin për një situatë të vështirë ekonomike dhe financiare të vendit.
 
Kryetari i Komisionit të Ekonomisë, ndalet tek niveli aktual i borxhit i cili llogaritet në 67%, më i lartë nga sa ishte bërë publik nga Qeveria Berisha, ndërsa shton se po të llogaritet dhe borxhet që qeveria i ka shteti i ka kompanive, ky nivel arrit në mbi 70%.
 
“Tani Sali Berisha duhet të flasë! Madje madje; tani Sali Berisha duhet të japë llogari!! Për vitin 2013; Borxhi publik ishte përcaktuar ligjërisht ne 63.7%!! Sali Berisha me shpenzimet e tij politike, të përdorura vetëm në 6 muajt e pare të vitit, tamam se i duheshin për zgjedhjet e 23 Qershorit; E ka çuar borxhin në nivelin 67%!!!
 
Por nuk është vetëm kjo!! Janë edhe 400 milionë euro (ende të paverifikuara deri në qindarkën e fundit) të cilat janë borxhe të qeverisë ndaj kompanive që kanë marrë kontrata qeveritare!! Bashkë me këto 400 milionë euro; Borxhi publik e kalon nivelin 70%!!!”, shkruan Braçe.
 
Ndërsa shton se këto janë shifrat të cilat i janë bërë të ditura edhe disa ditë më parë, gjatë një takimi të zhvilluar me shefin e Misionit të FMN në Tiranë.
 
“Konfirmimi publik i këtyre numrave të frikshëm u bë sot në një konferencë të përbashkët për shtyp nga FMN dhe Ministri i Financave. Të njëjtët numra mësova edhe tre ditë më parë në takimin tim të parë si kryetar i Komisionit të Ekonomisë me shefin e Misionit të FMN në Tiranë”, e përfundon Braçe reagimin e tij.
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)