Braçe: Bode e Berisha, favor
24 milionë dollarë për CEZ

Braçe: Bode e Berisha, favor<br />24 milionë dollarë për CEZ
TIRANE- Maxhoranca dhe opozita kanë nxjerrë dosjet përkatëse, për të faturuar kundër njëri-tjetrit atë që e quajtën skandal me kompaninë CEZ. Deputeti i PS, Erion Braçe duke iu drejtuar kryeministrit Berisha ka deklaruar se është favorizuar CEZ në dëm të kompanive të tjera publike.

“Në vitin 2009 kishin kompaninë shtetërore që u privatizua me një akt persona të kryeministri i atëhershëm. I gjithë procesi u përmbyll me një takim të Berishës në Pragë dhe aprovimit për mbështetje për statusin. Nga kompania e OSHE­së u kaluan të gjitha asetet tek CEZ. Tani vijmë te vendimet që ka marrë ERE dhe i kam të gjitha këtu. Janë vendime me para shumë që kanë dëmtuar kompanitë publike dhe kanë favorizuar kompaninë CEZ. Efekti 24 milionë dollarë, imagjino vetë se çfarë vendimi kundra shqiptarëve ishte ky.

Kanë dëmtuar kompanitë publike dhe kanë favorizuar CEZ duke ulur çmimin që kompania çeke blinte energjinë nga KESH”,-tha Braçe. Ai u ndal më tej për të shpjeguar se si me vendimet e saj ERE i shkaktoi dëme të mëdha KESH, si kompani shtetërore, në favor të CEZ.

“Këta nuk janë heronj; këta janë njerëzit që shkatërruan sektorin energjetik në vend! Vendimet janë këto: Më 15. 12. 2009, ERE vendosi që tarifa e furnizuesit publik me shumicë të energjisë elektrike për periudhën 1-31 dhjetor 2010 është 2.03 leke për kvh; Më 07. 12. 2010, ERE vendosi që tarifa e furnizuesit publik me shumicë të energjisë elektrike për periudhën 1-31 dhjetor 2011 është 1.48 lekë për kwh.

Ulja e çmimit në dëm të KESH dhe buxhetit të shtetit është 0.55 lekë për kvh. Më 07. 12. 2011 ERE vendosi që tarifa e furnizuesit publik me shumicë të energjisë elektrike për periudhën 2012-2014 është 2.83 lekë për kwh. Pasi kishte hyrë në fuqi ky çmim, më 29. 06. 2012 ERE vendosi që tarifa e furnizuesit publik me shumicë të energjisë elektrike është 2.2 lekë për kvh. Madje, me fuqi prapavepruese, qershor me fuqi nga janari 2012, duke detyruar KESH të kthejë pas para për kompaninë CEZ.

Ulja e çmimit në dëm të KESH dhe buxhetit të shtetit është 0.63 lekë për kvh. Më e madhja ndër dy favoret skandaloze që qeveria i ka bërë CEZ në përpjekje jo për ta përzënë, por për ta mbajtur CEZ në Shqipëri”,-tha Braçe. Sipas tij në këtë vendim nuk mori pjesë ministri i atëhershëm i ekonomisë, Nasip Naço, por vendimi qe mes Bodes dhe Berishës.

“Kryetari i ERE-s një ent rregullator i pavarur, zotni Ramadani, i kërkon dy ministrave miratim për çmimin e ri të furnizuesit publik me shumicë të energjisë, njohjen e borxhit të keq. Ministri i Financave, Ridvan Bode, mbështet dhe garanton këto tregues, çmimin dhe humbjet, favor në miliona euro për CEZ. Ministri i Energjisë, Nasip Naço, thotë qartë se nuk mund të japë mendim pasi në të dy treguesit nuk argumentohet dëmi për KESH dhe buxhetin e shtetit.

Në të njëjtën datë, ditë, për të njëjtën çështje, në të njëjtën qeveri; ERE vendosi siç miratoi Bode, uljen më të madhe të çmimit dhe favorin më të madh për CEZ! Kjo është e vërteta dhe këto janë dokumentet. Ky është krim dhe të pakën duhet hetuar”,-sqaron Braçe, i cili vendosi në dispozicion dhe dokumentet e këtij vendimi. 
 

Reagimi/ Pse nuk e arrestuar Kastriot Ismailajn?
Gjiknuri: ERE raportonte çdo ditë në zyrë të Berishës

Në akuzë kundër qeverisë së shkuar për ccështjen e CEZ, doli edhe Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri gjatë fjalës së tij në Kuvend. Ai akuzoi Berishën si “tutor” i ERE-s. “Po kush e solli CEZ-in në Shqipëri? Na pyetët ne kur privatizuat CEZ-in, në atë formë që e privatizuat? Nuk na pyetët! Kush e bëri aferën me CEZ-in, kush u dashurua me ta? Të gjitha ato vendime, janë vendime të cilat kanë shkatërruar sektorin energjetik dhe janë bërë me urdhër të Sali Berishës.

Të gjithë e dinë shumë mirë që Enti Rregullator i Energjisë kontrollohej dhe raportonte në zyrën e Sali Berishës. Meqenëse KESH-in e kishte LSI-ja, kështu thoshte ai, Enti Rregullator është i imi dhe të gjithë do të raportojnë tek unë. Pse e shkarkuan Bujar Nepravishtën pasi u miratoi çekëve çmimin? Le të dalin këtu pasi ka dëshmitar, do dalin letrat. Pasi i tha t’ju miratosh çekëve çmimin, doli tha e ke bërë pa dijeni time! Tamam si njeriu që ‘hedh gurin e fsheh dorën’, këtë e bëri Sali Berisha!” – tha Gjiknuri.

Ai i kërkoi llogari Berishës, se pse nuk e kishte arrestuar Kastriot Ismailajn, nëse kishte dijeni për influencën e tij? “Tani thotë broçkulla, po kush i ha ato?  Është edhe kontradiktor kur flet. Thotë në vitin 2012, Drejtori i Parandalimit të Pastrimit të Parave thërriti Kastriot Ismailajn.

Po kush e arrestoi Kastriot Ismailajn? A u arrestua gjatë periudhës së kësaj qeverie? Ai Drejtori i Parandalimit të Pastrimit të Parave, çfarë bëri me të, pse nuk e arrestoi? Sapo e tha këtu! Apo bëri ndonjë marrëveshje me Kastriot Ismailajn? E tha vet këtu pak më parë se në vitin 2012 drejtori thërriti Kastriot Ismailajn”,-tha Gjiknuri, duke e akuzuar Berishën si nekrofil.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 11 Shtator 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)  

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?



×

Lajmi i fundit

Reshje shiu me intensitet të ulët, si parashikohet moti për sot

Reshje shiu me intensitet të ulët, si parashikohet moti për sot